I akuzuari për vrasjen e komisarit Artan Cuku ka ndryshuar befas dëshmi dhe kërkon që të lirohet. “Panorama” mëson se avokati i Mikel Shallarit ka depozituar ditën e djeshme pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda një kërkesë për t’u liruar nga paraburgimi, ku po mbahet që prej 10 qershorit të këtij viti.
Burimet thonë se Mikel Shallari pretendon se ndaj tij nuk ka prova për vrasjen e kryer dhe se ai po mbahet pa arsye në paraburgim. Kjo kthesë e tij në dëshmi bie ndesh me atë që ka thënë para hetuesve për vrasjen e bujshme që ka ndodhur më 8 prill të këtij viti, ku komisari u ekzekutua në hyrjen e pallatit ku banonte.
Shallari mësohet të ketë thënë para hetuesve se ai i kishte takuar porositësit e atentatit ndaj Artan Cukut përmes një të afërmi të tij. Sipas Shallarit, i afërmi i kishte thënë se porositësit ishin nga Jugu i Shqipërisë dhe se kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin, në mënyrë që të mos kapej.
Shallari ka thënë se takimin me porositësit e kishte kryer në një lokal në Tiranë dhe se personi që ofronte paratë për vrasjen e kishte kërcënuar dhe urdhëruar që të mos ia shihte fytyrën.
“Të vras po ma përmende emrin dhe mbaroje këtë punë. Mos më shiko në fytyrë”, mësohet t’i ketë thënë porositësi të arrestuarit, sipas rrëfimit të atij vetë në Prokurori. Gjithashtu, ai ka dhënë më herët detaje për pagesën, ku fillimisht ka marrë 3500 euro për vrasjen dhe pas kryerjes së saj, 15 mijë euro.
Gjithashtu, në dispozicion të tij janë vënë edhe dy armë zjarri dhe një automjet. Pavarësisht mohimeve të tanishme të Shallarit për atentatin, ai u identifikua si autor i dyshuar përmes ADN-së.
Profili gjenetik i personit që dyshohet se kreu ekzekutimin e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cukut, u arrit të ndërtohej nga mbetjet biologjike në rrobat që ai mbante veshur në momentin e krimit. Ai i kishte hedhur rrobat pas Postës nr.8 në Tiranë, ku ishte filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve private.
Analiza e ADN-së u krye edhe me ndihmën e laboratorëve të Policive të vendeve të BE-së. Ndërsa prova vendimtare që çoi në zbulimin e identitetit të Mikel Shallarit erdhi nga Zvicra.
Dosja penale që Shallari kishte atje, përmbante edhe provën e ADN-së, ku krahasimi me profilin e ndërtuar çoi në identifikimin e tij si autor. Por ky person vijonte të ishte i lirë dhe Policia ende nuk kishte rënë në gjurmët e tij. Në këtë mënyrë u kërkua inskenimi i një aksioni të Policisë Rrugore, me qëllim kryerjen e testit të alkoolit.
Në fakt nuk bëhej fjalë vetëm për Mikel Shallarin, por edhe për disa persona të tjerë, që kishin qenë në të njëjtin burg me të në Zvicër, emrat e të cilëve po ashtu kishin mbërritur në Tiranë nga Interpol Berna. Për kërkesën e papritur të Shallarit pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të marrë një vendim së shpejti.
Ndërkohë, burimet thonë se porositësit e atentatit mund të jenë larguar nga vendi. Hetimet për identifikimin e tyre vazhdojnë nga ana e organit të akuzës. Artan Cuku u ekzekutua më 8 prill të këtij viti, në hollin e pallatit ku banonte. Autori i dyshuar e kishte ndjekur në çdo lëvizje dhe e qëlloi nga pas me armë zjarri. Ndërkohë që largohej, ai ishte filmuar nga kamerat e bizneseve aty pranë.