Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se s’ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave në veri. Ai thekson se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar e mohon kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti thotë se për shtensionimin e situatës në veri ka pasur takime vetëm me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e QUNIT-it, veçmas atë amerikan. Siç thotë ai, ditët e fundit ka pasur angazhim të shtuar të tyre për largimin e barrikadave, pasi Policia e Kosovës ka treguar vendosmërinë për t’i larguar ato.
“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in dhe ka pasur takime me EULEX dhe ka pasur takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të ShBA-së. Meqë rast ne vazhdimisht kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme. Por gjithashtu, nga takimet që kemi pasur kemi filluar të vërejmë angazhimin e tyre të shtuar drejt largimit të atyre barrikadave, andaj në ditën e diel e patëm thënë se është çështje ditësh se kur do të largoheshin këto barrikada. Nëse nuk do të largoheshin nga KFOR-i atëherë do të detyrohej Policia e Kosovës ta bënte këtë. Ajo mua më ka bindur drejtpërdrejtë kur i kam vizatuar se e ka jo vetëm vullnetin por edhe kapacitetet për largim efikas të atyre barrikadave”, thotë ai.
Megjithatë, ai thotë se është bërë mirë që barrikadat i hoqën vet, sesa të detyrohej ta bënte Policia e Kosovës. Derisa tregon edhe grupet kriminale që kanë qenë prapa barrikadave në veri.
“Ne i kemi dhënë më shumë kohë KFOR-it, pasi nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullojnë njerëzit që ose ishin drejtpërdrejtë të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Wagnerit, pastaj me formacionin paramilitarë ujqërit e natës dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që i përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë…Këto barrikada nuk ka qenë aq shumë barrikada kundër qeverisë, sa për bindjen time kanë qenë kundër pluralizmit politik në komunitetin serb në Kosovë. Kanë qenë barrikada kundër Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq, mbase më shumë sesa barrikada kundër Albin Kurtit…Arsye tjetër është edhe territorializimi i brendshëm i Kosovës, ku një pjesë të territorit e kontrollon Beogradi. Kjo për ne ka qenë është dhe do të jetë e papranueshme. Kosova ndodhet në binarët e zhvillimit, progresit dhe të demokracisë. Kjo është e pandalshme, por nervozë në Beograd, i shndërruar ndonjëherë edhe në panik, prodhon ndonjëherë edhe barrikada në veri. Të cilat shumë më mirë që po hoqën kështu vetë prej atyre që bllokuan vetën, sesa këtë të detyrohej të bënte Policia e Kosovës”, shton Kurti.
Sipas tij, garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve është që s’ka lista për arrestime. Siç thotë Kurti, garancia të tjera për institucionet e Kosovës janë Kushtetuta, rendi dhe ligji, por edhe koordinimi me aleatët ndërkombëtar.
“E vetmja garanci që kemi dhënë ne është ajo që tashmë e ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se Qeveria dhe Policia e Kosovës nuk posedon lista për arrestime. Ne nuk kemi lista të njerëzve që ndjekim apo përndjekim. Mirëpo garanci të tjera për neve janë Kushtetua, rendi dhe ligji dhe gjithmonë për hire të paqes dhe sigurisë, koordinimi me faktorët ndërkombëtar që janë partnerë dhe miqtë tanë”, thotë ai.
Ndërkaq, mohon se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Ai thotë se ata që bënë “asociacion të barrikadave’ po kërkojnë asociacion të komunave, që komunat t’i duan si barrikada dhe të njëjtat t’i bëjnë bashkë.
“Nuk ka garancinë të tilla nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për neve është shumë e qartë se asociacioni i komunave u bë asociacioni i barrikadave. Ky është asociacion i barrikadave. Pra ata të cilët e bënë asociacionin e barrikadave, po kërkojnë asociacion të komunave. Me fjalë të tjera ata i duan komunat si barrikada dhe dëshirojnë të bëjnë bashkë. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, dëshirojnë t’i bëjnë dhjetë komuna bashkë në një asociacion. Me këtë mendësi që nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviqi dhe as nga e tashmja e tyre, pra Putini, nuk mund të bëhet fjalë për garanci të tilla. Ne jemi për të drejtat e serbëve në Kosovë, jemi për të krijuar mundësi për gjithë ata”, thekson Kurti.
Sipas tij, presidenti serb, Vuçiq por edhe Rusia po i përdorin barrikadat si mjete politike për dialogun Kosovë-Serbi.
“Jo vetëm ai, por unë besoj që kjo po bëhet edhe nga Kremlini, pasi parulla kryesore në ato barrikada, ato ëangerbarrikada dhe parulla kryesore në protestën që e bënë në Jarinje serbët që bënin thirrje të gjithë serbëve në Ballkan që të vijnë aty, por edhe grumbullimi i serbëve në kufij me Kosovën, parulla më e shpeshtë që dëgjohej ishte ‘lutuni zotit dhe mbaheni për Rusinë’. Mua kjo më dukej si një lloj jehone e parullës kryesore të Nikolla Pashiq para më shumë se 1 shekulli, e ajo ishte ‘zoti, populli dhe Rusia”, deklaron Kurti.
Sa i përket kritikave që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nga Rashka po merr vendime për çështjen e barrikadave, Kurti thotë se Lista Serbe vazhdimisht është shkuar në Serbi për konsultime politike.
“Kjo nuk është asgjë e re. Ne e dina se Lista Serbe rregullisht gjatë këtyre 10 viteve prej se ekziston vazhdimisht ka shkuar në Rashkë për koordinime politike. Ju e dini se edhe një koalicion qeverisës që është bërë në shtatorin e vitit 2017 edhe më herët që është bërë në dhjetorin e vitit 2014, vazhdimisht kanë shkuar në Rashkë dhe janë konsultuar atje para se të votojnë për qeverinë në Prishtinë. Tash kemi një qeveri që nuk varet nga votat e tyre. Besoj se nervoza dhe paniku në Beograd është pikërisht kjo”, deklaron ai.
Në lidhje me polarizimet me sistemin e drejtësisë pas lirimit të masës së sigurisë të ish policit serb të arrestuar për terrorizëm, Kurti thotë se ai nuk ka menduar se dikush i akuzuar për terrorizëm të dërgohet në arrest shtëpiak.
“Unë jam brengosur shumë për gjendjen shëndetësore të të paraburgosurit Pantiq, një gjë që jam marrë edhe personalisht, sidomos kur morra vesh që ndodhet në grevë urie dhe është në moshën 56 vjeçare dhe ka probleme me zemër, meqenëse kishte edhe stenda. Unë e kam menduar që prokurori dhe gjykatësi i procedurës paraprake do të dërgojnë në spital diku. Por meqenëse ishte i akuzuar për terrorizëm nuk e kam menduar që do të dërgohet në arrest shtëpiak. Por ai është një dimension i veçantë dhe i pavarur prej qeverisë në shtetin tonë”, thotë Kurti./KP