Shifrat janë kokëforta. Pavarësisht planeve të qeverisë për zgjerimin e dijes dhe reformat për të marrë më të mirët, universitetet e rretheve mund të themi se kanë dështuar të funksionojnë si të tilla.
Përveç degëve që shërbejnë si “pasaportë” për të emigruar jashtë (kryesisht profile të shkencave mjekësore), programe të tëra mbeten bosh duke u mbajtur me zor për t’i shpëtuar mbylljes pasi nuk tërheqin as dhjetë studentë në vit. Rritja e notës mesatare në degët e mësuesisë po i çon ato drejt mbylljes. As paga minimale gjatë shkollimit e premtuar nga qeveria nuk i bindi të rinjtë të regjistrohen. Në këto kushte, është menduar një reformë e thellë në arsimin e lartë, e cila mund të çojë në mbylljen e universiteteve në rrethe, pasi nuk ka studentë dhe ka rënë cilësia. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që e komunikoi këtë, pas vitesh të tëra “sehir” në IAL-të e vendit, të tkurrura në sasi e cilësi.
REFORMA
“Vazhdoj të mendoj dhe të besoj që ne kemi shumë universitete dhe për të pasur kaq shumë studentë ose dhe më shumë studentë, për të pasur kaq shumë cilësi, por mundësisht më shumë cilësi, ne na duhet të mendojmë seriozisht për një reformë të thellë dhe për një sinergji të re me qendër graviteti Universitetin e Tiranës, në mënyrë që të mos jetojmë me indiferencë ose me qetësinë e inercisë, agoninë e universiteteve nëpër territoret e tjera të vendit që një pjesë të tyre janë në një proces tkurrjeje. Kanë gjithmonë e më pak studentë”, deklaroi Kryeministri në organizimin me rastin e 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, duke deklaruar kështu çeljen e një nisme që me një të rënë të lapsit lë shumë staf pedagogjik e administrativ pa punë.
PAGAT
Lidhur me ankesat e këtyre të fundit mbi trajtimin financiar, kreu i qeverisë bëri me dije se vitin e ardhshëm do të ketë një rritje pagash për ta, por të diferencuar sipas performancës së tyre, që është parë me shumë rezerva nga profesorët. “E rëndësishme është që u bë rritja e nevojshme e pagave me fondin e universitetit dhe me fondet e qeverisë për të arritur atë objektiv që kishit dhe në ndërkohë ne po përgatitemi bashkë me këtë forumin që kemi krijuar me rektorët për të parë disa konkluzione të një raporti mbi situatën aktuale dhe mbi ku duam që të shkojë universiteti në 2030 dhe duam ta bëjmë këtë gjë bashkërisht, jo si vizion, por si një projekt konkret, me hapa konkretë, me kalendar.
Një nga elementët për të cilin ne nga ana jonë si qeveri po përgatitemi, është që të diferencojmë pagat, të diferencojmë pagat në kuptimin të diferencojmë kontributet nga ana e qeverisë, nga ana e buxhetit për të vlerësuar më shumë cilësinë, për t’i dhënë më shumë rëndësi atyre që japin më shumë dhe për t’i dhënë fund uniformitetit në mbështetjen financiare për vlerësimin e trupës pedagogjike. Për këtë po punojmë dhe besoj që qysh prej vitit të ardhshëm do të japim një shembull konkret se si kjo do të bëhet, që do të thotë që do të keni përsëri një kontribut nga ana jonë për rritjen e pagave të pedagogëve”, shtoi më tej Rama duke shtuar kësisoj një tjetër pakënaqësi në radhët e pedagogëve, të cilët kanë zbehur, por jo shuar protestën e nisur këtë fillim vit akademik.
Pasi pranuan të rikthehen në auditorë, ata kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë sezonin e provimeve në muajin shkurt, nëse qeveria nuk bën një tjetër rritje. Financimi prej 8% nga ana e universiteteve nuk është bërë uniform nga të gjitha, për shkak se nuk e përballojnë dot dhe për më tepër, pedagogët këmbëngulin se ato para nuk duhet të jepen nga të ardhurat e universiteteve që vijnë kryesisht nga tarifat e studentëve, por nga buxheti i shtetit.
Programet prioritare
Duke parë trendin gjithnjë në zbritje të regjistrimeve, qeveria ndërmori një nismë këtë vit, duke ofruar pagë të plotë në vlerën e një page minimale për të rinjtë me mesatare të lartë që regjistrohen në disa degë të shpallura prioritet kombëtar, kryesisht profile mësuesie dhe programe të universitetit Bujqësor. Por, shifrat e para dëshmuan që kjo joshje nuk ka funksionuar. E njëjta shifër regjistrimesh edhe këtë vit. Bazuar te të dhënat e portalit U-Albania, i cili ka detyrimin të publikojë dhe bëjë transparent regjistrimet në universitetet e vendit, 71.6% e programeve prioritare rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal prej 10 studentësh. Katër nga këto 35 programe, janë mbyllur që pa nisur ende implementimi i programit të bursave. Kjo panoramë tregon qartazi dështimin sistematik të politikave të ndërmarra nga MAS dhe është një sinjal që të rinjtë nuk i preferojnë këto programe pasi ata nuk e gjejnë veten në tregun shqiptar të punës dhe nuk u besojnë këtyre politikave.
/Panorama/