Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me raportimet që tregojnë se si u zhdukën përgjimet e Taulant Ballës pas masakrës së trefishtë në Elbasan.
Me anë të një shkrimi në FB, Berisha tregon se cilët janë gjyqtarja dhe prokurori që zhdukën përgjimet.
“Një rrëfim të denjë vetëm për shpellat e mafies. Kjo është vetëm njëra nga historitë e krimeve të shëmtuara të njeriut me disa mbiemra si: Hoxha, Qosja, Toyota Yoris, Bego etj, etj. Merreni me mend se sa paguhet Taulanti me shumë mbiemra nga mafia për ligjet që kalon në emër të saj në parlament. Përgjimet që implikonin Taulant Ballën në biseda si ndërmjetës mes njerëzve të botës së errët, me ministra socialistë janë asgjësuar me një vendim të përbashkët të gjykatës dhe Prokurorisë së Elbasanit. Me kërkesë të prokurorit Pertef Asllani, gjykatësja Zamira Vyshka ka vendosur në 17 shkurt 2016, që të gjitha ato përgjime, në rrjetën e të cilave kishte rënë politikani me emrin Taulant, të prisheshin”, shkruan Berisha.
Ish kryeministri ngre pyetjen se si u përfshi Balla në këtë ngjarje dhe përse prokuroria vendosi ta përgjojë? Sipas tij gjithcka lidhet me ngjarjen e ndodhur në Elbasan më 3 shkurt 2016 ku u vranë Agron Çapja, Enver Sinakoli, Eno Bedalli dhe u plagosen 7 të tjerë.
“Lapsi.al ka arritur të ‘zhvarrosë” vendimin e gjykatës, ku nga numri i celularit që përfundon me “399” kuptohet se bëhet falë pikërisht për politikanin e lartë të PS. Po si u përfshi Balla në këtë ngjarje dhe përse prokuroria vendosi ta përgjojë? Gjithçka lidhet me një ngjarje e rëndë që ndodhi në Elbasan më 3 shkurt 2016. Aty u vranë tre persona, Agron Çapja, Enver Sinakoli, Eno Bedalli dhe u plagosen 7 të tjerë. Veprimi i parë i hetuesve ka qenë të vënë në përgjim telefonat e të dyshuarve dhe të gjithkujt që komunikonte me ta. Njëri me sa duket ka qenë “politikani Taulant”, numri i të cilit si rrjedhojë është vënë edhe ai në përgjim. Sipas burimeve të pakonfirmuara, që përsërisin atë që thonë vetë pjesëtarët e njërës prej bandave, Balla ka dashur të ndihmojë në mjekimin, ndoshta duke i çuar edhe helikopterin njërit prej pjesëtarëve të grupit Çapja. Pikërisht për këtë çështje ai ka folur edhe me ministra të tjerë të kabinetit Rama”, vijon Berisha.
Berisha shton se gjykatësja Zamira Vyshka mori vendimin që çdo provë duhet të zhduket. “Ironia më e madhe e vendimit është se ai shprehet se personi që është përgjuar, pra Taulanti, nuk duhet të njoftohet që është përgjuar. Pra me demek ai nuk dinte gjë”, shprehet Berisha.
“Se çfarë ka folur Balla me ata, për të cilët u vu në përgjim, dhe se ç’biseda të tjera ka bërë ai me shokët e lartë të partisë, kjo nuk dihet. Por dyshimi është se në disqet e regjistrimeve të prokurorisë janë thënë gjëra të rënda, pasi vetëm pak ditë më pas e gjithë kupola e pushtetit u vu në alarm. Urdhri me sa duket ka qenë i prerë: nuk duhet të ekzistojë asnjë provë për këto biseda. Dhe shumë shpejt, në datë 6 shkurt 2016 nga drejtoria e policisë Elbasan, oficeri Edvin Ndreu i çon një shkresë të çuditshme prokurorisë. Ai pretendon se me numrin e telefonit të shtetasit me emrin Taulant është bërë një lapsus. Pra ndonëse e përmendin vetëm me emër (ndoshta nga frika), ata bëjnë sikur e kanë ngatërruar gabimisht numrin e Ballës. Nga ky moment, menjëherë prokuroria ndërpret përgjimet, që imagjinohet se ç’duhet të kenë qenë deri sa ngjallën gjithë këtë pështjellim dhe i drejtohet menjëherë gjykatës. Por, historia nuk përfundon këtu, sepse nuk mjafton që përgjimi vetëm të ndërpritet, por bisedat duhet të jenë aq komprometuese sa edhe ato që tashmë janë të regjistruara duhet të shkatërrohen si prova. Dhe mjafton një ‘lapsus” që gjithë ingranazhi të vihet në punë. Në datën 17 shkurt, pra me një shpejtësi marramendëse, gjykatësja Zamira Vyshka merr vendimin që çdo provë duhet të zhduket. Në vendimin e saj prej 5 faqesh, që Lapsi.al arriti ta sigurojë, thuhet shprehimisht se asgjësimi duhet bërë menjëherë pasi vendimi të marrë formë të prerë. Ironia më e madhe e vendimit është se ai shprehet se personi që është përgjuar, pra Taulanti, nuk duhet të njoftohet që është përgjuar. Pra me demek ai nuk dinte gjë”, shkruan ish-kryeministri.
Pas zhdukjeve të provave, Berisha shkruan se me kë ka folur dhe çfarë ka thënë Taulant Balla tre ditë pas vrasjes në intervalin nga data 5 shkurt 2016 deri në mesditën e së nesërmes nuk do të merret vesh kurrë.
“Po me kë ka folur dhe çfarë ka thënë Taulant Balla tre ditë pas vrasjes në intervalin nga data 5 shkurt 2016 deri në mesditën e së nesërmes? Ndoshta kjo nuk do të merret vesh kurrë, pasi policia e Elbasanit, prokuroria dhe gjykata e këtij rrethi bashkëpunuan me shpejtësi për të zhdukur çdo provë. Ato morën vendim për asgjësimin e CD-ve të atyre afrove 23 orëve në të cilat celulari i Taulantit u përgjua. Dhe nuk u mjaftuan me kaq. Aq rëndë do ketë qenë situata, sa gjykatësja Zamira Vyshka, urdhëroi edhe fshirjen e përgjimeve nga serverat që gjenden në prokurorinë e Përgjithshme Tiranë. Pra, gjithçka duhej zhdukur pas bisedave që Taulant Balla kishte bërë menjëherë pas ngjarjes së rëndë me 3 të vdekur dhe shtatë të plagosur. Dhe ndoshta kështu do të kish ndodhur sikur tre ditë më parë, i ndodhur para gjykatës ku po gjykohet për vrasje, Ardian Çapja mos fliste për faktin se politikani i lartë ishte përgjuar nga prokuroria. “Pas masakrës së 3 shkurtit 2016 unë nuk kam dalë më nga shtëpia. Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmend sepse më rrezikohet familja”, deklaroi ai. Përpos zhdukjes së përgjimeve, edhe avokati Ravik Gurraj nuk jeton më”, përfundon shkrimi i Berishës.