Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha hodhi sërish akuza këtë të Hënë ndaj kryeministrit Edi Rama për sulmin ndaj tij në protestën e opozitës.
Berisha tha se Rama organizoi ndaj tij një atentat kamikaz pa eksploziv.
“Për fat të keq ai kishte edhe kreun e opozitës, siç faktojnë dhe kjo atij i ka dalë jashtë kontrollit. Pas përpjekjesh të jashtëzakonshme për ta mbajtur nën kontroll ai këtu e ka humbur betejën dhe tani nëpërmjet procesit gjyqësor kërkon të marrë me çdo kusht flamurin e PD në njërën anë dhe në një akt të pashembullt në 30 vite, në një akt kriminal, ai organizoi një atentat me një kamikaz pa eksploziv ndaj Sali Berishës. Tani jemi këtu dhe keni ndjekur të gjithë debatin që zhvillohet. Sot nuk ka asnjë njeri që vë në dyshim se krimineli i përzgjedhur ishte atë ditë në një mision të strukturuar, organizuar dhe nuk kishte asgjë rastësore. E para”, tha Berisha.
“Por vijmë te një çështje e dytë. Edi Rama sipas disave ishte njeriu më i painteresuar. Unë ju them atyre se në Shqipëri, nuk ka një të dytë që të ishte i interesuar për atë gjë. Në Ballkan ishte i interesuar Vuçiçi se i ka shprehur ato. Por unë tani nuk kam pse të rri me teori të vjetra, sepse absolutisht njeriu më i interesuar ishte Edi Rama, për arsye se ai mendoi se në zhurmnajën e madhe të samitit do të mund të japë një goditje të përmasave të papërcaktuara, një goditje kundërshtarit politik dhe forcës që ai përfaqësor. E them këtë edhe njëherë sepse nuk ka njeri të dytë në Shqipëri që është më interesuar se ai. Tani atij opozita i ka dalë dore dhe nuk e kontrollon dot me asgjë”, shtoi ai.
Kreu i PD u shpreh se ata që mendojnë se Rama nuk ishte i interesuar për sulmon ndaj tij, bëjnë naivin.
“Ata që mendojnë se Rama nuk ishte i interesuar në një farë mënyre bëjnë naivin, për të mos thënë dudumin, se nuk e njohin atë. Edi Rama është politikani i vetëm në Shqipëri dhe botë që di unë, i cili çdo sukses të tij, do ta festojë duke u vërsulur kundër kundërshtarit në moton plastë armiku. Në vitin 2013 çfarë tha ai për votën. 1 milionë shuplaka për kundërshtarin. Nuk ishin dafina për të, por ishin shuplaka dhe për të atij e tij ishin plumba. Që nga ajo kohë unë e kam ndjekur dhe e kam denoncuar në çdo rast që ai bën këtë. Ata që bëjnë avokatinë ndaj tij, janë të dështuar në këtë avokati. Dy ditë para samitit ai e faktoi, përdori 70 kg kundër një resorti turistik dhe vetëm e vetëm për ta mbuluar këtë akt të paimagjinueshëm me zhurmën e samitit. Një njeri normal nuk e bën kurrë këtë. Ai që e bën në prag të samitit e bënë që të përfitojë nga jehona e samitit që kjo të jehojë sa më pak.
Por a e akuzoj unë Edi Ramën se është porositësi i krimit vetëm nga analiza logjike, jo, nuk do ta bëja këtë, sepse unë e di se një akuzë e tillë në shumë aspekte nuk më interesonte, mua më interesin e vërteta. Së dyti, një akuzë pa baza nuk i shërben as shoqërisë shqiptare. Por unë e akuzoj atë sepse personi i cili kreu krimin, kamikazi i Edi Ramës, ishte dhe është informator i policisë kriminale. Prej kohësh, vitesh, i staxhionuar, i përdorur për çmontimin e grupeve të drogës, por i përdorur edhe si vesh për xhematin e xhamisë. E përgënjeshtroi njëherë Met Rrumbullaku, por për së dyti se përgënjeshtron dot se do ti dalë edhe emri kod i tij”, tha ai.
Për autorin e sulmit ndaj tij Gerti Shehu, solli në vëmendje se është dënuar nga gjykata si person i përgjegjshëm për krimet që ka kryer.
“Gerti Shehu mund të jetë mjekuar dhe nuk dyshoj fare ato që shkruan mjeku, por ai ka kaluar në gjykatë. Është dënuar nga gjykata si person i përgjegjshëm për krimin që ka kryer. Gjykata për të përfillur një dokument ka rregullat e veta. Dokumentet e asaj natyre, ndaj kujt ti interesoj, janë me zero vlerë. Ato janë të rrezikshme sepse fare mirë me manipulim mund të ju lëshohet kriminelëve para vrasjeve, apo akteve të tyre. Janë absolutisht jo ligjore dhe shumë të gabuara. Mjeku që ka lëshuar dokumentin nuk pretendon se ajo është një ekspertizë, ai pretendon se është një epikrizë që ja kanë kërkuar familjarët dhe thotë se ja ka dorëzuar edhe policisë. Policia nuk ka të drejtë të kërkojë dokumente të tilla. Policia për një të sëmurë, për një qytetar, mund ti marrë vetëm në rrugën ligjore dhe kurrë në atë rrugë që ka marrë. Policia e ka marrë atë dokument për të liruar Gerti Shehun për ta liruar atë nga burgu, kur është arrestuar me një grup shpërndarësish droge tek liqeni. Policia e ka përdorur në njërën mënyrë apo një tjetër, dokumentin, ose ka dashur ta përdor pa sukses dokumentin kur ai është dënuar nga gjykata si i përgjegjshëm. Problemet e shëndetit mendor, qëndrimi ka një kod shumë të qartë në Shqipëri dhe kudo në botë. Nuk janë kurrë institucionet private ato të cilat i autorizon ligji për dokumente të tilla. Ligji autorizon vetëm institucionet publike”, tha ai.
Berisha u shpreh se përpjekjet për të manipuluar hetimin faktojnë se pas sulmit qëndron Edi Rama.
“I sëmuri i Edi Ramës del se ka marrë patentën, rinovuar patentën në prill të vitit 2022, dokument që nuk lëshohet kurrë për të sëmurë problematikë psikik. Po ky i sëmurë i Edi Ramës ka marrë kredi nga bankat, çka nuk u jepet kurrë. Pra të gjitha përpjekjet për ta sëmurë më shumë Gerti Shehun janë përpjekje për të shfajësuar barrën e krimit të tij dhe për ta paraqitur të papërgjegjshëm. Janë përpjeke të Ramës për mbuluar aktin kriminal që ka porositur me qëllimin më madhor ti jap një goditje fatale opozitës dhe asnjë qëllim tjetër. Hetimet e tjera çojnë plotësisht në Ministrinë e Brendshme ku dihet tashmë, ministri i familjes mbahet aty vetëm për punët e zeza të familjes dhe për asgjë tjetër. Por gjithçka në kohë do ti bëhet gradualisht e ditur publikut shqiptar. Përpjekja e turpshme për të manipuluar hetimin, për të paragjykuar kriminelin dhe për ta nxjerrë atë me një dokument që as gjykata nuk ua pranoi dëshmon se Edi Rama qëndron ai totalisht prapa këtij akti kriminal të padëgjuar në historinë 30 vjeçare të pluralizmit”, tha ai.