Në “Porto Romano” është duke u zhvilluar prezantimi i projektit të qeverisë shqiptare për Portin e Ri Tregtar të Durësit.
Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij zbuloi se porti i ri do të jetë një vepër sipas skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), pasi shteti do të financojë vetëm 46% të projektit, ndërsa 54 % do të merren përsipër nga kompania që do të shpallet fituese e garës ndërkombëtare.
“Edhe në rastin e PPP-ve do të zhvillojmë një proces partneritet publik privat, pasi PPP-të nuk janë akte kriminale, nuk janë as formula korruptive, por janë formula ekonomike që kur bëhen me transparencë dhe duke parë interesin publik funksionojnë në favor të publikut. Kur bëhet si ajo formula e skanereve të hyrje-daljes së kamionëve nga të gjithë pikat e Shqipërisë bëjnë që publiku të paguajë kusure që nuk i ka”, tha Rama.
Pasi sqaroi sesi do të ndërtohet Porti me vlerë 390 milionë euro, Rama nënvizoi se ambicia e qeverisë është që Durrësi të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e qarkullimit tregtar me Perëndimin për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Këtë sipas shefit të qeverisë e tregon edhe fakti se projekti është hartuar në unsion me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe parashikon ndërtimin e porteve të thata në Prishtinë dhe Shkup, duke u bërë kështu port rajonal për dy vendet por edhe më gjerë.
“Falë grupit të inxhinierëve dhe analistëve të “Royal Haskoning DHV”, do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Jemi vonë, se nëse do të shihnim projeksionet dhe progresionin e volumit të mallrave që kjo vepër do të garantojë në 30 vite apo 20 vite, po të ishte bërë më parë sot do të ishim duke i marrë frytet. Të gjitha vendet tona, ato vendet që u mblodh në samitin historik të 6 dhjetorit nuk kanë asnjë shans tjetër të kalojnë në një nivel tjetër volumet e tyre të shkëmbimeve tregtare pa Durrësin. Është Durrësi, i cili duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe RMV përmes Prishtinës dhe Strugës dhe duke u shtrirë me vendet e tjera, do t’i japë këtij rajoni një fytyrë krejt tjetër dhe një kapacitet krejt tjetër për të përpunuar volume krejt të reja tregtare”, deklaroi kryeministri.
Teksa prezantonte projektin e studios holandeze “Royal Haskoning DHV”, Rama shprehu edhe bindjen që kompania fituese për të ndërtuar portin e ri tregtar do të jetë nga një vend anëtar i NATO-s.
“Na duhet që cilado kompani që do marrë përsipër operimin portit jo vetëm t’i ketë të gjitha standardet, por edhe të jetë kompani që vjen nga një vend jo kundërshtar ndaj aleancës Euro-Atlanatike. Ne do të mirëpresim, do të garantojmë të gjithë informacionin dhe transparencë të plotë për të gjitha kompanitë që do të vijnë nga BE, Britania, Turqia, Lindja e Mesme e SHBA. Kjo është sfera e operimit të kompanive. E tha ministrja që në janar do të zhvillohet një forum transparentë për tu shpjeguar kompanive të gjithë projektin dhe të marrim sugjerimet e tyre në mënyrë që dokumenti të jetë një dokument tërësisht i hapur pasi është projekti më i rëndësishëm portual i Europës”, u shpreh shefi i qeverisë.
E teksa zbuloi detajin se ndërtimi i portit me shumë gjasë do të ngelet në duart e kompanive europiane, Rama duket se zbuloi edhe preferencat e tij, duke i mëshuar fort dëshirës që garën ta fitojë një kompani holandeze, e duke i buzëqeshur në distancë siç edhe vetë ai tha, mikut të tij Mark Rutte.
“Gara do të jetë e hapur, por dihet se kush nuk mund të marrë pjesë. Ne presim kompani nga vendet mike dhe partnere për këtë arsye e shikoj me shumë kënaqësi të përfaqësuesit më të lartë holandez, ambasadori holandez, italian, japonez, zv. ambasadori i SHBA, britanik. Holandezët janë më të mirë për t’i bërë këto punë pasi janë edhe më kurnacët që njeh Evropa dhe kanë edhe statusin më të suksesshëm të tregtarëve. Do jetë i lumtur që ne të mirëpresim kompanitë nga Holanda për të hyrë në garën e Portit të Durrësit”, theksoi Rama.
Por ndër të të tjera një “shkelje syri” e pati edhe për Rishi Sunak të Britanisë së Madhe, teksa zbuloi se në telefonatën midis të dyve shefi i qeverisë nga Londra ka shprehur interes për investime në Shqipëri dhe me dëshirën më të madhe Rama tha se do të ishte i gëzuar që Shqipëria do bëhej “mollë sherri” mes BE dhe Britanisë.
“Eshtë projekti më i rëndësishëm i Europës, projekti ka interesin e vet, të vendosjes së investimeve. Nëse Mbretëria e Bashkuar na bën një propozim, që nuk i pëlqen BE po që është e rëndësishme për të dyja palët ne mund ta brexitojmë një zonë të Porto Romanos, vendosim flamurin anglez, vendos gjykata angleze për konfliktet, siç është bërë në Dubai. Jemi të hapur për të gjitha, madje ku ta gjejmë ti fusim në sherr Anglinë me BE, që ta kuptojnë anglezët se shqiptarët janë gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë. Bashkë me kryeministrin e Britanisë së Madhe kemi pasur një bisedë shumë produktive, kemi rënë dakord që të krijojmë një skuadër të përbashkët, më në fund, propozimi im i vjetër, u desh që të rrija 3 mandate që të më dëgjonin. E rëndësishme, ishte që dhe Runak shprehu interes të madh të Britanisë në zhvillimet e vendit dhe në këtë investim, gara është e hapur. Jo sot, nga janari, ju lutem shumë të mos ndërhyjë askush, nuk ka shans që të ndryshojmë fituesin se nuk na lënë hollandezët”, deklaroi mes batutave Rama.














