Prokuroria shqiptare ka marrë nga pala italiane 1800 faqe përgjime bisedash mes anëtarëve të grupit të Habilajve. Në to bie në sy se pas vitit 2015, kur në Shqipëri u publikua shitja e makinës së Saimir Tahiri te Habilajt, emri i ish-ministrit nuk përmendet më në bisedat e përgjuara.
Pas mbërritjes nga Italia të dosjes me 1800 faqe përgjime për grupin kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, rezulton se nga viti 2015 nuk përmendet më emri i ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë bisedave mes anëtarëve të bandës.
Periudha e para dy viteve përkon me kohën e publikimit të lajmit se, automjeti në pronësi të Saimir Tahirit, Audi A8 ishte shitur tek familjarët e Moisi Habilaj, duke mos i ndërruar pronësinë. “ABC News” ka mësuar se autoritetet Italiane do të vazhdojnë hetimet per aktivitetin e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Por gjithashtu, në vëmëndje do të jetë edhe implikimi i personave të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, pa përjashtur këtu edhe ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe Saimir Tahiri.
Disa ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga Kuvendi i Shqipërisë autorizim për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, duke ngritur ndaj tij edhe dy akuza trafik narkotikësh e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe e dyta, korrupsioni pasiv i funksionarëve shtetërorë. Nga ana tjetër, “Dosja Habilaj” vijon të jetë në proces nga pala Italiane, ku priten edhe surpriza. Burime kofidneciale bëjnë me dije se autoritetet përtej Adriatikut pretendojnë se mes të arrestuarve si pjesëtarë të grupit mund të ketë edhe persona që do të fitojnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, apo siç njihet ndryshe, të penduar. Hetimi për anëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Habilaj ka nisur që prej 2013. /ABC News/