Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka bërë thirrje Presidentit aktual, Ilir Meta dhe medias, që të zbardhin dhe bëjnë publike, mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që thirri për çështjen e kanabizimit të vendit.
Në një intervistë të dhënë për “Channel One”, Bujar Nishani nuk ka preferuar që të japë detaje për atë çfarë është thënë në atë mbledhje, por apeli i tij duket se ka lidhje me fakte të cilat janë diskutuar në atë tryezë, pas shqetësimeve të ndërkombëtare për dosjen “Habilaj” dhe përfshirjen e mundshme të ish-ministrit, Saimir Tahiri.
Bujar Nishani: Unë do të ftoja gjithë gazetarët që të kërkonin trankriptin e asaj mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të perifrazonin qëndrimet nga Presidenti i Republikës dhe secili prej anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare përfshirë edhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Kjo pasi besoj që për interesin publik mund të deklasifikohet, për momentin, pasi tani nuk ka më sekret shtetëror dhe shpresoj që administrata e Presidentit të Repubblikës ta deklasifikojë dhe të bëhet e ditur për opinionin publik.
I pyetur se, a është koha për rimbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për kanabizimin e vendit por edhe dyshimeve për lidhje të segmenteve politike dhe të policisë me krimin, për Nishanin, është presidenti i vendit ai që duhet të vendosë një gjë të tillë.