Është 69 vjeçe dhe ka vetëm një vajzë. Të dy burrë e grua përsërisin se jeta e tyre nuk ka më kuptim. Po përballen me tragjedinë moderne që sjell përdorimi i drogës në shumë familje shqiptare. 34-vjeçarja aktualisht është përdoruese e heroinës dhe prindërit e saj kanë dyshime që e bija i hyri drogës gjatë kohës që frekuentonte studimet e larta.
“Kuptuam që R. nuk kishte më asnjë lidhje me fëmijën që kishim rritur ne. Marrëdhëniet e saj nuk ishin më të qëndrueshme. Por dyshimi kryesor lidhej me depresionin. Jemi të dy intelektualë si prindër dhe asnjëherë nuk e dyshuam në vitet e para që realisht ajo kishte rënë në kurthin e drogës,”- thotë 69-vjecarja për Gazetasi.al. Pamja u bë e qartë për 2 prindërit që s’po kuptonin asgjë nga e reja gjatë ditëve që ajo zhdukej. Aty ata dyshuan që po përdorej për prostitucion, por sërish mbetej e pabesueshme.
“Në krye të shtatë viteve, R. nuk ngjante aspak me vajzën që edukuam ne. Ishte e dhunshme, depresive, kur mbetej pa para përplaste çfarë t’i dilte përpara. Më pas kthehej sikur nuk kishte ndodhur asgjë”, kujton nëna e saj.
Me kalimin e viteve, burrë e grua vunë re se ndonjëherë mungonte diçka në shtëpi, pastaj edhe televizorin e vodhën.
“Nuk guxuam ta gjenim kush ishte hajduti, sepse e dinim që ishte vajza që po na vidhte. Në një nga këto ditë më rrahu dhe kërkoi para. Aty kuptova se ajo pi drogë. Ishte njeri tjetër”, rrëfen gruaja. Ajo i thotë Gazetasi.al se e ndau shqetësimin me kunatën e saj, që i tregoi histori të dëgjuara nga të tjerë.
“Person pas personi mësova se kishte të tjerë që vuanin me këtë dramë. Se djali i ca të njohurve në Kombinat ishte denoncuar nga familja për dhunë, mbasi ishte përdorues. Tani s’dimë më ku të përplasemi. Jemi dy prindër të dhunuar që nuk e duam vajzën në burg, por nuk duam as që një ditë dikush të na telefonojë e të na tregojë se ajo nuk jeton më”, ankohet 69-vjecarja. Çifti është interesuar ngado për një qendër rehabilitimi, këmbëngul se disa herë e shoqëruan të renë për të marrë metadon në një qendër, por që më pas kuptuan se ajo e kishte vështirë të dilte nga rruga e drogës.
E kundërta ka ndodhur me një grua që pa një pa dy e tregoi dramën nga droga në polici.
“Pi hashash, pi heroinë, nuk mund të duroj më…”
Gruaja u mundua që oficerët mos t’ia shikonin qafën e nxirë. Por fjalët e saj ishin aq me dhimbje sa edhe shenjat që i kishin mbetur në trup.
“Ka dhunë të vazhdueshme. Për më tepër se dhjetë vjet, djali që është konsumues i rregullt i hashashit dhe heroinës më ka dhunuar herë pas here”, ka thënë nëna.
Sipas burimeve policore, ajo ka deklaruar se e kishte denoncuar edhe herë tjetër.
“Para dita ditëve ai mori orenditë dhe i shiti për 40 mijë lekë. Me këto lekë që ka marrë ai ka paguar lekët e drogës dhe ka blerë lëndë narkotike”, shprehet gruaja. Siç bën me dije policia, e ëma kërkoi informacion për orenditë por mori si përgjigje grushtat e tij.
“Më ka thënë se do shesë dhe shtëpinë po u gjend ngushtë për para. Sot më kërkoi prapë para. I thashë që nuk kisha asnjë lekë. Donte 100 mijë lekë. Më pas, kur po bëja sikur s’po dëgjoja, nisi të ulërasë, të më qëllojë, kërkonte paratë duke thënë: ‘Do të bëj varrin’”./GazetaSi