Zyrtarë të lartë amerikanë, që merren me sigurinë e zgjedhjeve, thonë se mbrojtja e sistemeve të votimit është bërë gjithnjë e më sfiduese.
Kjo kryesisht për shkak të përqafimit nga miliona amerikanë të teorive konspirative dhe pretendimeve të rreme për manipulime në shkallë të gjerë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Disa ditë para zgjedhjeve për Kongresin, drejtoresha e Agjencisë mbi Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Jen Easterly e zyrtarë të tjerë, thonë se nuk kanë ndonjë provë për ndërhyrje në infrastrukturën zgjedhore nga aktorë armiqësorë që mund të synojë bllokimin e votimit, apo të numërimin e votave, manipulimin e fletëvotimeve, ose ndikimin tek saktësia e regjistrit të votuesve.
Por zyrtarët nuk po e ulin nivelin e vigjilencën. Dezinformimi është i shfrenuar. Rivalët e huaj janë të aftë për dëme të fuqishme kibernetike. Dhe kërcënimi i brendshëm konsiderohet më i madh se kurrë. Krahas kërcënimeve fizike dhe frikësimit të zyrtarëve zgjedhorë, çka duket se përbën shqetësim kryesor për autoritetet, ekspertët e sigurisë janë veçanërisht të shqetësuar edhe për ndërhyrje nga ata që punojnë në zyrat lokale të administrimit të zgjedhjeve, ose në qendrat e votimit.
“Aktualisht kërcënimi ndaj zgjedhjeve është më kompleks se sa ka qenë ndonjëherë”, u tha zonja Easterly gazetarëve në mes të muajit tetor.
Shtete rivale gjithashtu pritet të thellojnë përpjekjet e tyre të nisura prej kohësh për dezinformim. Momenti i tensionuar gjeopolitik do të thotë se Rusia, Irani dhe Kina nuk do të nguronin për të bërë përpjekje për të penguar me sulme kibernetike zhvillimin e zgjedhjeve në shtetet fushëbetejë.
Spektri i kërcënimeve të mundshme është i gjerë: nga sulmet kibernetike me qëllim përfitimin financiar, të njohura si “ransomware’ e të ndërmarra nga aktorë të afërt me Kremlinin, tek zyrtarët lokalë, që administrojnë procesin zgjedhor dhe që janë të fiksuar pas teorive të konspiracionit. Po kështu kërcënim shihen votuesit agresivë të prirur për sabotazh, ose provokatorët politikë që përpiqen të ndrydhin pjesmarrjen në votime nëpërmjet trukeve ose dezinformatave.
Këto janë disa nga kërcënimet e mundshme në ditën e zgjedhjeve sipas zyrtarëve:
Kërcënimet e brendshme
Kërcënimet e brendshme janë një shqetësim në rritje dhe mund të dëmtojnë hapat seriozë të hedhur për të siguruar sistemet e votimit, pas shpalljes së tyre si infrastrukturë kritike në nivel kombëtar në janar 2017-ës.
Zyrtarë të prirur për manipulime zgjedhore mund të ofrojnë qasje në sistemet e votimit për individë të paautorizuar, siç ndodhi në Kolorado dhe Xhorxhia. Punonjësit e qendrave të votimit, apo edhe votuesit mund të përpiqen të sigurojnë qasje në regjistrat e votuesve, apo pajisjet e votimit, ose të instalojnë programe me virus për të dëmtuar sistemet e administrimit të zgjedhjeve.
Eddie Perez, një ekspert i teknologjisë së votimit që punon për Institutin jofitimprurës ‘OSET’, i quan përpjekjet e përsëritura për të hedhur dyshime mbi integritetin e pajisjeve të votimit një element “të fabrikuar kaosi” që synon minimin e zgjedhjeve në shkallë të gjerë, e mbjellë dyshim mbi procesin.
Zoti Perez është ndër ata specialist që mendojnë se përpjekjet për të diskredituar teknologjinë e votimit janë një manifestim i përpjekjeve të ish-presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij, për të minuar besimin në rezultatet e zgjedhjeve, në mënyrë, që organet legjislative në nivel shtetëror, të kontrolluara nga republikanët, dhe jo votat e hedhura, të përcaktojnë rezultatin e garave zgjedhore.
Për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga brenda, autoritetet federale kanë punuar për të përgatitur dhe inkurajuar zyrtarët zgjedhorë që të përqendrohen në kufizimin e qasjes tek pajisjet kritike, duke shtuar sistemet e mbikëqyrjes me kamera, apo vendosjen e sistemeve elektronike për hapjen e dyerve. Ata gjithashtu kanë inkurajuar vendosjen e rregullave strikte në zinxhirin e dokumentimit të çdo lëvizjeje që lidhet me procesin, nga fletët e votimit, tek pajisjet skanuese të fletëvotimit.
Kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë dhe përpjekjet për të shkatërruar procesin zgjedhor po shfaqen me një frekuencë dhe intensitet në rritje, thonë zyrtarët federalë dhe lokalë të zbatimit të ligjit. Ata janë veçanërisht të shqetësuar mbi mundësitë për dhunë fizike në zonat ku rezultati është i ngushtë dhe mundësitë për kundështim të tij janë të mëdha.
Zyrtarët amerikanë kanë lëshuar dy rekomandime të rëndësishme që lidhen me sigurinë e zgjedhjeve ndërsa afron 8 nëntori. Ata thonë se aktivitetet keqdashës kibernetike nuk kanë gjasa të shkaktojnë probleme serioze, ose të bllokojnë votimin, po shtojnë, se shtetet e huaja kundështare, janë të prirura të përpiqen të ndërhyjnë tek rezultatet me “operacione ndikimi”.
Aktorët e huaj mund të kryejnë sulme kibernetike, ose të ekzagjerojnë efektet e sulmeve relativisht joefektive. Ata mund të përhapin dezinformata rreth votimit, ose manipulimit të votës, e të përpiqen të nxisin dhunë, ose, nëse do të shfaqen raste të tilla (dhune), do të përpiqen t’i nxisin ato edhe më tej.
Përpjekjet keqdashëse të aktorëve të huaj për të minuar demokracinë amerikane janë rritur, që nga operacioni rus që hakeroi dhe më pas publikoi emailet e demokratëve, për të ndihmuar zotin Trump në garën presidenciale të vitit 2016. Megjithatë, asnjë nga këto përpjekje nuk ka pasur ndikim.
Vendet rivale mbajnë vazhdimisht nën vëzhgim rrjetet amerikane për të gjetur dobësi në to. Moska mund të kërkojë shpagim për armatosjen e Ukrainës nga Uashingtoni. Irani gjithashtu për mbështetjen që SHBA-të po u bëjnë demonstratave kundër regjimit, të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e një vajze 22 vjeçare, e cila sfidoi rregullat mbi vendosjen e shamisë fetare.
Sa i përket Kinës, marrëdhëniet janë të tensionuara ndërsa Uashingtoni po përpiqet të frenojë furnizimin me teknologji të lartë për Pekinin, për shkak dyshimeve mbi rritje të autoritarizmit e qasjes agresive të këtij vendi.
Ekziston gjithashtu mundësia që aktorët e huaj mund të kenë hyrë në sistemet zgjedhore shumë kohë më parë dhe janë në pritje të një sulmi.
Sulmi nga kundërshtarë të huaj
Në ditën e zgjedhjeve, fuqitë e huaja kundërshtare, e grupe hakerash të afërt me ta, mund të kryejnë sulme që bllokojnë faqet e internetin dhe qasjen në to, duke bërë që në vend të tyre të shfaqen një lum të dhënash e informacionesh të padëshiruara. Duke synuar faqet e internetit në nivel lokal e qendror, sulme të tilla mund t’i pengojnë votuesit të marrin informacione për regjistrimin, ose vendet e votimit, ose të përballen me faqe jashtë funksionit, të cilat njoftojnë rezultatet e zgjedhjeve.
Një grup që ndodhet ‘nën radarin’ e agjencisë amerikane të sigurisë kibernetike është ‘Killnet’, një grup hakerash pro-rusë, që bënë bujë në tetor duke organizuar sulme që bllokuan qasjen tek pajisjet elektronike të një aeroporti amerikan, si dhe faqe interneti të qeverisë.
Sulme të tilla kryesisht shkaktojne shqetësime, por nuk shkatërrojnë të dhënat në faqet ku kanë ndërhyrë. Por ato mund t’i besdisin votuesit dhe punonjësit e qendrave të votimit dhe të shërbejnë si një burim i fuqishëm për një ofensivë dezinformimi. Për shembull, media shtetërore ruse dhe faqet e lajmeve të rreme mund të përforcojnë pretendimet e ekzagjeruara për probleme, siç ndodhi me përpjekjen e ‘Killnet’ kundër një aeroporti amerikan e faqeve qeveritare në internet.
Një kërcënim tjetër i mundshëm janë bandat që kryejnë sulme për përfitime financiare “ransomware”, që flasin rusisht, e që veprojnë me pak ndërhyrje të Kremlinit. Ata e kanë kursyer në masë të madhe infrastrukturën zgjedhore të SHBA-ve, e cila deri më tani shihet të jetë shumë më e mbrojtur krahasuar me spitalet, shkollat dhe biznese ku ata ndërhyjnë zakonisht.
Operacionet “hakero dhe publiko” janë gjithashtu të mundshme. Nga faqet e internetit të autoriteteve zgjedhore, apo subjekteve në garë, mund të vidhen të dhëna të ndjeshme, që mund të falsifikohen pjesërisht e më pas të publikohen në internet.
Kompania e sigurisë kibernetike ‘Trellix’ njoftoi për një rritje gjatë verës të email-ve me virus, që kishin si objektiv të tyre punonjësit e zgjedhjeve në Pensilvani dhe Arizona, të dyja shtete fushëbetejë. Falë këtyre sulmeve synohej të merreshin fjalëkalime e potencialisht të ndërhyhej në administrimin e fletëvotimeve me postë.
“Në shumë raste, aktorët keqdashës që përpiqen të hyjnë në sistemet tona zgjedhore, janë të njëjtë me ata që kryejnë operacione ndikimi e që synojnë të mbjellin mosmarrëveshje”, tha zonja Easterly në tetor.
Kjo mund të përfshijë edhe grupin rus të njohur si ‘Agjencia e Kërkimeve në Internet’, një lojtar kyç në fushatën e destabilizimit që udhëhequr nga Rusia në vitin 2016, që favorizoi zotin Trump dhe u përpoq të zgjeronte përçarjet sociale në SHBA. Grupi u përpoq të manipulonte opinionin publik duke mashtruar platforma të medias sociale, përfshirë blerjen e reklamave në internet.
Në një raport parazgjedhor, firma e sigurisë kibernetike ‘Recorded Future’ tha se ishte “pothuajse e sigurt” që rrjetet e lidhura me grupin “ishin angazhuar në një fushatë të fshehtë ndikimi keqdashës ndaj një pjese të popullsisë amerikane”.
Të enjten, kompania që ofron analiza mbi median sociale, ‘Graphika’, njoftoi se operativë të dyshuar rusë kanë shpërndarë në platformat mediatike të ekstremit të djathtë, duke filluar nga 29 tetori, karikatura politike, që përçmonin kandidatët demokratë në ato shtete ku gara është e ngushtë, si në Xhorxhia, Ohajo, Nju Jork e Pensilvani.