Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin KPK-së, i cili dy vjet më parë vendosi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Fatmira Hajdarin.
Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit vendosi ta shkarkonte Hajdarin nga detyra, për shkak se kjo e fundit kishte mbajtur të fshehur faktin e refuzimit të vizës amerikane dhe nuk justifikonte një vlerë monetare, prej 950 mijë dollarësh.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.39/2020, datë 21.09.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari) kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 265, datë 18.06.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 265, datë 18.06.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari). 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall, në Tiranë, më datë 24.10.2022.
Komisioni i Pavarur i Kualifikuar ka shkarkuar nga detyra në vitin 2020 Fatmira Hajdarin, me arsyetimin se nuk kishte të justifikuar të gjithë pasurinë. Sipas vendimit të KPK, Hajdari kishte probleme me disa prona të saj, por nuk kishte deklaruar aq që i ishte revokuar viza amerikane.
Përballë trupës së vettingut, Hajdari ishte e shoqëruar edhe nga avokatët Maksim Haxhia dhe Ilira Dane. Pas konstatimeve të KPK dhe DSIK të cilët kanë raportuar se Hajdari është në papërshtatshmëri pasi ka mospërputhje me deklarimin e pasurisë, ajo ka dhënë përpara KPK deklarimet e saj.
“Ju me keni vrarë moralisht me 26 Janar, kur kam plotësuar formularin unë s’kam pas dijeni për revokimin e vizës. Mua kurrë nuk më është refuzuar viza, më ka marrë ambasada në telefon, nuk mbaj mend datën dhe kohën, jam paraqitur, vajza ime është rritur në Amerikë, jam paraqitur kam dorëzuar pashaportën dhe më kanë thënë do të themi ne. Ka dalë, konsullja dhe më ka thënë se ju kemi revokuar vizën se jeni në proces vettingu. Kam qenë vetja s’kam qenë e njëanshme kam qenë e drejtë, sot gjerat janë ndryshe dhe gjerat kanë avancuar, ju jap fjalën e nderit që kam qenë një nga gjyqtaret me të pastra në Republikën e Shqipërisë. Kaq kisha komisioni ta gjykojë si të dojë në bazë të provave”, tha Hajdari në sallën e gjyqit.
Por megjithatë u vendos shkarkimi. Sipas raportit problematikat qëndronin tek: një pallat 10-katësh që ka probleme që në ngritjen e tij, disa kredi në emër të të birit, 13 apartamente dhe 1 vilë që nuk ka burime financiare të ligjshme. Sakaq Hajdari u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.