Më në fund ka reaguar edhe kryeministri Rama për rastin e ish-ministrit Tahiri, të cilit i doli emrin në një përgjim trafikantësh droge. Rama në reagimin e tij shkruan se Tahiri ka patur mbështetjen e tij, por Shqipëria meriton të dijë të vërtetën. Për këtë arsye, – shkruan Rama, – i duhet shkuar deri në fund kësaj historie duke mos toleruar askënd që zgjedh rrugën e krimit dhe jo Shqipërisë që duam.
Rama e di që nuk mund ta mbrojë më Tahirin, prandaj vendos të distancohet prej tij, sepse e di që ky i fundit po fundoset. Rama e ka quajtur të neveritshme dhe shokuese bisedën mes dy kriminelëve dhe është shfaqur tejet i bindur në qëndrimin e tij duke thënë se nuk ka asnjë luhatje apo dyshim.
Reagimi i Ramës:
DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!
Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve! Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet. Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!