Mbi angazhimet epike të qeverisë “Rama 2”, që largpamësia e çon pas në kohë deri në ditët e Skënderbeut, ranë si bombë lajmet mbi të palarat e Haki Çakos dhe trafikun e drogës. Me justifikimet për gomonet e ngarkuara me hashash që mbërrijnë në Itali, Çako provokoi një përplasje të paprecedentë mes ushtrisë dhe policisë ditën e mërkurë.
Në raportin që zbuloi media ditën e mërkurë Çako ngarkonte me faj sistemin e vëzhgimit të hapësirës detare. Sipas Çakos, sistemi “nuk iu përgjigjet nevojave operacionale, për kontrollin dhe mbikqyrjen e kufirit detar, dhe nuk bën të mundur identifikimin e mjeteve lundruese”.
Kur panë këtë damkë që i lanë në derë policët, në ushtri janë alarmuar.
Pas 30 vitesh karrierë, Gjeneral Major, Zyber Dushku drejton Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare. Gjenerali ishte direkt i akuzuar nga shefat e policisë. Në mos për bashkëpunim, për paaftësi.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Pasi dha garanci për punën e tij, ai nuk i kurseu etiketimet. Pretendimet e policisë i quajti “të pavërteta”, të pavlera” dhe për më tepër “dashakeqe”.
Por para se të bënte deklaratën, gjenerali thirri në zyrën e tij edhe një grua, për t’i kërkuar firmën mbi njoftimin për mediat. Aida Vezaj (Hajna) është drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Emigracionin.
Si në raportin e Çakos, ashtu edhe në njoftimin e Gjeneralit është miratimi i saj.
Në raportin e përgatitur nga policia ka firmosur Drejtori i Kufirit, vartësi i Aida Veizajt (Hajna). Bëhet fjalë për Xhevahir Karajn, një drejtues i lartë i policisë me një karrierë të gjatë dhe që historikisht ka mbajtur poste gjatë qeverisjeve të PS. Madje në vitin 2001 ai ka qenë edhe kandidat për deputet i Partisë Socialiste.
Nuk dihet përse Aida Veizaj (Hajna) ka autorizuar Drejtorin e Kufirit për hartimin e raportit të parë, ndërsa vetë ka pranuar të firmosë përgënjeshtrimin e tij. Gjithsesi dy shkresat që pohojnë dhe më pas mohojnë versionin e mosfunksionimit të radarëve të ushtrisë kanë miratimin e Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit, një strukturë e Ministrisë së Brendshme.
Aida Veizaj u emërua në detyrën e saj pak kohë më parë, kur Ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. Më herët ka qenë në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Me ose pa dashje është në qendër të një debati që përplas për herë të parë ushtrinë me policinë. Në mes tyre janë malet me hashash që po kalojnë detin drejt Italisë dhe për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.