Nga Boldnews.al
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy tendera për ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Trafikut në disa rrugë në Shqipëri. Tenderi i parë ka të bëjë me ngritjen e një godine, brenda ARRSH-së, ndërkohë që tenderi kryesor është vendosja e disa pajisjeve në këto rrugë për t’i monitoruar. Por, të dy tenderët kanë një vlerë plot 25 milionë euro. Por, nuk mbarojnë këtu shpenzimet e kësaj dysheje, pasi në këtë qendër, që do të marrë emërtesën QMT, do të punësohen plot 306 punonjës. Investimi do të kryhet gjatë muajve në vijim, ndërsa ka informacione se gjithçka bëhet në prag të zgjedhjeve vendore që do të mbahen në pranverën e vitit 2023. Por, nëse shteti ynë ka kaq para’ për të monitoruar trafikun apo për të punësuar “patronazhistë”, përse nuk bën një rrugë tjetër po t’u vijë në ndihmë familjeve nën nevojë?!
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender me një vlerë të madhe për monitorimin e trafikut. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “qendra e monitorimit të trafikut (200 km) faza e parë”, ndërkohë që do të ketë një stacion i monitorimit qëndror. Por, lexoni pak me vëmendje shifrën e akorduar për këtë tender; fondi limit është 2.285.280.226 lekë pa TVSH, ose po t’i shtosh TVSH-në shuma shkon në plot 22 milionë euro. ARRSH shkruan se kohëzgjatja e kontratës do të jetë 24 muaj, ndërkohë që ofertat do të happen në datën 14 nëntor 2022. Në dokumentet shoqëruese, Autoriteti shkruan se me këtë projekt synon që të [ërmirësosë sigurinë në trafik dhe zvogëlimi i gjasave për aksidente. Gjithashtu edhe përmirësimin e flukseve dhe lëvizshmërisë së trafikut, etj.
Në dokumente shkruhet se rrjeti rrugor shqiptar ka një gjatësi totale prej rreth 15.000 km në vitin 2017. “Rrjeti kryesor i rrugëve kombëtare është 3.400 km dhe administrohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Por, sa kilometra do të bëhen me 22 milionë euro?!
Sipas dokumenteve, një kopje e së cilave disponohet nga BoldNews.al, projekti në këtë faze fillestare kërkohet të fillojë ndërtimin e një Qendre Kombëtare, QKMT dhe 200 km të parë zbatimin e ITS, të cilat janë një nëngrup i rrjetit rrugor. Pra, për vetëm 200 kilometra nga 15 mijë km rrugë që ka gjithsej Shqipëria. Mësohet se projekti do të shtrihet në 13 segmente, ndërsa do të ketë 50 rampa. Në dokumente sqarohet se rrugët që do të impelentohen janë Tiranë – Durrës, Tiranë – Elbasan, Durrës – Plazh, Durrës – Kavajë, Kavajë – Rrogozhinë, Rrogozhinë – Lushnje, Lushnje – Fier, Fier – Vlorë, Vorë – Ahmetaq.
Ndërkohë, në dokumentet shoqëruese, ARRSH shkruan se do të ketë një qendër thirrjesh 24 orë në 7 ditë të javës dhe një pikë kombëtare aksesi të të dhënave. “Qendra e re e propozuar do të ndërtohet brenda territorit të Drejtorisë Rajonale të ARRSH-së Tiranë. QKMT do të presë qendrën e kontrollit për harduerin e nevojshëm për të zbatuar të gjitha funksionet e nevojshme të sistemit RTMCS, duke përdorur një re private të bazuar në 3 nyje, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe AKSHI” thuhet në këto dokumente, ndërkohë që detajohet sa punonjës do të ketë kjo qendër, pra nga të tria institucionet. Nga llogaritja e kësaj tabele rezulton se kjo qendër do të ketë plot 306 punonjës, duke ia kaluar edhe vetë ARRSH-së!
“Është propozuar një skenar i vazhdueshëm pune për operatorët dhe personelin e mirëmbajtjes. Është propozuar një skenar pune për një ditë pune për administratorët dhe menaxherët. ARRSH do të zhvillojë një Strukturë Organizative të NJZP-së për zbatim – të quajtur Sektori i Zbatimit të RTMCS. Sipas strategjisë së propozuar të transformimit të ARRSH-së, disa nga rolet e detyrave dhe personat nga kjo strukturë organizative do të transferohen më pas në rolet dhe detyrat përkatëse në QKMT” thuhet në këto dokumente.
Krahas gjithë këtyre shpenzimeve për monitorimin apo edhe për punësimin e qindra punonjësve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar të tjera para’. Sipas dokumenteve që disponohen nga BoldNews.al, Evis Berberi ka zgjidhur “qesen”, duke hapur tenderin me objekt “ndërtim i godinës së Qendrës së Monitorimit të Trafikut”. Fondi për këtë tender është 205.543.896 lekë pa TVSH, ndërkohë që godina pritet të ndërtohet për 12 muaj.