Në një treg konkurrues, ku veprojnë disa operatorë të të njëjtit profil presupozohet që cilësia dhe shërbimi të përmirësohen. Sa më e fortë dhe më e ndershme konkurrenca, aq më i mirë shërbimi dhe aq më e lartë cilësia? Apo jo?!
Sigurisht që po, por në një vend demokratik ku rregullat dhe ligjet janë në mos 100 për qind të zbatueshëm, i afrohen diku aty afër shifrës ideale dhe përmbi të gjitha kur shteti të ruan si një gardian që të mos e kalosh vijën e kuqe, as edhe një herë.
Sigurisht që po, në një vend ku marrëveshjet oligopol, janë si murtaja e zezë..
Por dhe sikur të ndodhë të ketë dyshime për kooperime të tilla, të leverdis më mirë të mbyllësh gjithë sipërmarrjen e të ikësh në shtëpi, se sa të kalosh një kalvar të gjatë verifikimesh, inspektimesh dhe një gjobë shumë, po shumëshifrore.
Ndërkohë në Shqipëri, edhe konsumatori më pak i informuar rreth konkurrencës së ndershme, konkurrencës monopolistike etj. etj. e kupton ashiqare që të gjitha telefonitë celulare së paku janë dakordësuar për të ofruar të njëjtat paketa, me të njëjtat çmime dhe të njëjtat oferta.
Dhe nuk pata asnjë keqardhje kur pak ditë më parë më erdhi mesazhi nga Vodafone: Numri juaj ka kaluar në gjendje pasiv. Se meqë ra fjala, në Shqipëri nuk po ndodh se sa më shumë operatorë aq më shumë cilësi dhe oferta…
Hiç fare, madje Vodafone, pasi u shtuan dhe nja 2 operatorë të tjerë në treg, e shkurtoi kohëzgjatjen e ofertës mujore nga 1 muaj kalendarik në 4 javë, dmth minimalisht 3-4 ditë në muaj më pak, plus që rriti çmimet e disa paketave duke bërë ato lojërat e famshme të marketingut me minutat bisedë, mesazhet dhe MB internet.
Dhe sërish meqë ra fjala te interneti, gjatë pjesës më të madhe të muajit isha pa internet 3G sepse mbaronte që gjatë dhjetëditëshit të parë të ofertës mujore (e keni parasysh atë ndjesinë e turpit kur je goxha vajzë dhe duhet të pyesësh për pasuordin e wifi-së në një lokal në bllok përshembull, sepse të duhet urgjent të nisësh një email pune?!). Ja ashtu…
Ndërkohë më herët gjatë këtij viti u përfolën shumë thashetheme “urbane” për një nga kompanitë më të vjetra të telefonisë celulare në Shqipëri, Vodafone se, gjithmonë sipas gojëve të liga, pati një tërmet të brendshëm nga drejtuesit e kompanisë mëmë për shkak të abuzimeve kolosale në miliona të drejtuesve këtu në Shqipëri dhe se më pas gjithçka u kthye sërish në normalitet, pikërisht dhe si efekt i këtyre abuzimeve milionëshe. Edhe kompania mëmë, ose më saktë drejtuesit e saj shpirt kanë…
Por tek e fundit, punë e tyrja!
Në fakt jo dhe aq, po të mendosh sa shpenzon mesatarisht një familje shqiptare për ofertat mujore. Nuk besoj se dikush i ka matur minutat kohë që shpenzon realisht, ndaj shumë prej konsumatorëve me çmimin e paketave mujore që variojnë 1200 lekë e sipër blen më së shumti vetëm internetin që ofron Vodafone (duke llogaritur që mosha e re komunikon më së shumti nëpërmjet aplikacioneve online). Pra një familje me 4 persona, paguan çdo muaj mesatarisht 6 mijë lekë në muaj për paketat celulare dhe rreth 80 përqind shkon praktikisht vetëm për internet. Internetin që mbaron pa i shkuar as në gjysmë, jo muajit, por 4 javëve që parashikon oferta që na prezantohet si “paketa mujore”. Tani nëse ka vend për një padi kolektive, këtë mund ta thotë vetëm një jurist, sepse muajt, përveç njërit 1 herë në 4 vjet, nuk ndodh të kenë 28 ditë…
Por u ndjeva goxha me fat para pak ditësh, kur lexova një status të gazetares Kozeta Kurti e cila kishte publikuar disa mesazhe nga Vodafone ku tek i pari njoftohej për rimbushjen dhe aktivizimin e paketës së plotë “mujore” dhe të nesërmen në mëngjes për mbarimin e internetit, 5 GB të paketës mujore.
Ironike apo jo? Të themi e turpshme ngjan si diçka naive, sepse nuk bëhet më fjalë për norma që vendosen vetë nga palët në bashkëpunim, si turpi, mirësjellja etj etj. Këtu bëhet fjalë për agresivitet, abuzivizëm dhe injorim total të forcës blerëse. E guximshme apo jo?! Këtë asnjë kompani në botë nuk arrin dot ta bëjë nëse nuk është 100 për qind e sigurt se asnjë gjemb i vockël fare nuk do t’i hyjë në këmbë. Ngjan gati-gati një marrëdhënie pedofilie ku i madhi dhe absoluti mund të bëjë ç’të dojë me mizën e vogël, në një botë perverse…
Dhe siç thashë u ndjeva me fat, e para pasi asnjëherë nuk isha “masakruar” brenda 24 orëve, më kishin ruajtur të paktën 1 javë, dhe së dyti që i rezistova tundimit për të mos qenë më një kliente “aktive” për xhepa pa fund hajdutësh.
Më kujtohet para ca kohësh ankthi që pata kur udhëtova pas shumë kohësh në Prishtinë duke llogaritur ditët për roaming-un, pasi duhet të mbaja kontakte online. Në fakt gjatë gjithë qëndrimit tim nuk mu desh të hapja 3G në rrugët e Prishtinës. Në çdo cep të shoqëronte “free wifi” nga kompania vendase dhe çuditërisht në kryeqytetin e një prej shteteve më të rinj të Evropës u ndjeva e lirë…
“Hape bre wifi-në, s’ka nevojë për pasuord”-, më tha kamerieri i parë i lokalit të parë ku u ula. Dhe në fund abstragoj me vete: Nëse jemi në demokraci, a duhet ta ndjejmë pushtetin e masës?!
21/08/2017
© alertnews.al