Nëse Ilir Meta si President do të konstatojë parregullsi në zgjedhje, atëherë nuk do të dekretojë kryeministrin apo ministrat e qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.
I pyetur se do t’i njihte zgjedhjet nëse OSBE i çertifikon, Meta tha se i vetmi arbitër për zgjedhjet është populli shqiptar që do të vendosë me votë
Ilir Meta: Mos ti shkojë mendja njeriut të prekë një votë sepse as në ëndrrën më të keqe nuk ka parë fundin më të keq. Kjo nuk është fjala e Lulzim Bashës tek sera e tij politike, kjo është fjala e Ilir Metës. Dhe askush mos të shpresojë që vë dorë mbi zgjedhjet dhe bëhet pjesë e manipulimit të zgjedhjeve që do të ketë dekret për Kryeministër apo për Ministër.
Lidhur me përdorimin e policisë në zgjedhje, Meta informoi se për këtë i ka dërguar një sms kryeministrit Rama për të kontrolluar rolin e drejtorit të policisë së shtetit.
Ilir Meta: I kam çuar një mesazh zotit Rama lidhur me Haki Drogën i cili nuk duhet të guxojë të përdorë policinë e shtetit në mënyrë policeske,përmes inskenimeve mafioze tipike të tij dhe të gjithë segmenteve që e drejtojnë ata.
Ish kryetari i LSI sulmoi sërish marrëveshjen Rama-Basha dhe tha se akuzat e liderit të opozitës ndaj tij, vijnë sepse Partia Demkoratike rrezikon të dalë në vend të katërt në zgjedhje
Meta ftoi gjithë qytetarët të mblidhen në sheshin Nënë tereza në datën 15 qershor për mitingun e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këto deklarata u bënë nga selia e LSI-së
Ja pjese nga konferenca
Pyetje: Meta, kemi parë këto ditë një intensifikim të akuzave në adresë të LSI-së madje kemi parë edhe një retorikë të ngjashme midis dy liderëve Rama dhe Basha. Përsa ju përket disa etiketimeve gastronomike që i janë bërë tepsisë ju kë do të preferonit bakllavanë apo sheqerparen dhe ku është pozicionuar LSI? A do të marrë më pjesë në këtë tepsi pas këtyre zgjedhjeve?
Ilir Meta: Është e qartë që LSI ka vetëm një garë me shtetin që po e keqpërdor për fat të keq ish-bashkëkryetari im për vendin e parë dhe LSI do ta fitojë këtë gjë, kjo është e padiskutueshme. Është forcë e parë, është forcë e paparë dhe këtë do ta shikoni më 25 qershor.
Ndërsa përsa i takon Lulit ju të gjithë e kuptoni se unë nuk e ndihmoj dot në këtë garë të dëshpëruara që ka nisur me PDIU për vendin e tretë. Sepse ai tashmë është i treti në Dibër, është i katërti apo i pesti në Elbasan, rrezikon të ngelet përfundimisht i katërti në shumë qarqe të Shqipërisë.
Natyrisht që ka një aleancë të hapur, kjo nuk është më e fshehtë. Është një aleancë errësire bazuar në një plan të zi të dy individëve për të manipuluar opinionin publik për interesa të tyre dhe të oligarkisë, jo të qytetarëve shqiptarë, jo të socialistëve, jo të demokratëve, të cilët janë tashmë totalisht të përjashtuar nga çdo lloj vendimmarrje në drejtimin e këtyre dy forcave politike.
Kjo është një aleancë e cila synon t’u imponohet shqiptarëve përmes fiksimeve qesharake, të turpshme, përmes manipulimeve, përmes keqpërdorimit të policisë, që ende drejtohet nga një ndër përgjegjësit kryesorë të ndërmarrjes së drogës, që turpëroi të gjithë Shqipërinë dhe kriminalizoi të gjithë vendin, i cili qëndron aty vetëm si rezultat i shkëmbimit që është bërë në kurriz të standardit të zgjedhjeve, të drejtorit të OSHEE-së me atë të Policisë së Shtetit.
Megjithatë, për këtë nuk dua të flas më shumë, pasi ja kam çuar një mesazh z. Rama lidhur me Haki Drogën, i cili nuk duhet të guxojë më të përdorë policinë e shtetit në mënyrë policeske, antiligjore, përmes inskenimeve mafioze, tipike të tij, dhe të gjithë segmenteve që drejtojnë atë.
Të jeni të sigurt që ky është një plan i lexuar tashmë nga të gjithë qytetarët shqiptarë, është i lexuar dhe i mirë-lexuar nga vetë socialistët dhe nga vetë demokratët dhe përgjigjja do të jetë e paparë çdo ditë dhe në mënyrë të veçantë më 25 qershor. Kështu që për atë tjetrin nuk ia vlen të merremi, sepse garën e ka me PDIU dhe ne nuk e ndihmojmë dot të fitojë as këtë garë. Jam i bindur që PDIU gjithashtu po rritet pavarësisht nga sondazhet e tyre konsensuale për ta nxjerrë atë si inekzistente.
Pyetje: Duket sikur takimi me PDIU ka qenë pozitiv nga shprehja juaj, por KQZ dje në mbledhje mori një vendim që do të hidhet short për të përcaktuar se cili do të jetë numëruesi i partive të mazhorancës parlamentare ndërmjet LSI dhe PDIU. Dhe pas kësaj LSI rrezikon të ngelet pa numërues në disa qendra numërimi….
Ilir Meta: LSI nuk rrezikon asgjë. Këto janë përpjekje për të frikësuar qytetarët. LSI dhe PDIU do të jenë në një bashkëpunim shumë të ngushtë për të garantuar votën e çdo qytetari shqiptar. Jo vetëm të atyre që do të votojnë për LSI. Jo vetëm të atyre që do të votojnë për PDIU, por të gjithë atyre që do të votojnë edhe për partitë e tjera, cilado qofshin ato, sepse kjo nuk është aleancë e dy individëve kundër LSI apo PDIU. Kjo është një aleancë e tyre kundër të gjithë qytetarëve shqiptar. Kundër zgjedhjeve normale, demokratike, të qeta dhe të barabarta.
Kështu që, LSI dhe PDIU kanë komisioner në të gjithë Shqipërinë dhe do të kenë një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe gjatë procesit të numërimit.
Mos i shkojë mendja njeriut të preki një votë! Se as në ëndrrën më të keqe nuk e ka parë fundin më të keq. Dhe kjo nuk është fjala e Lulëzim Bashës tek sera e tij politike, kjo është fjala e Ilir Metës! Dhe askush mos shpresojë që vë dorë mbi zgjedhjet dhe bëhet pjesë e manipulimit të zgjedhjeve, që do të ketë dekret për Kryeministër apo për ministër. Dhe këtë do tua bëjë të qartë të gjithë ndërkombëtarëve.
Ora që shqiptarët të votojnë dhe të ndëshkojnë kartelin e krimit dhe të drogës që kërkon të dhunojë dhe frikësojë qytetarët shqiptar ka ardhur dhe nuk kthehet më mbrapsht. Të gjithë duhet të pranojnë verdiktin e qytetarëve shqiptar dhe në radhë të parë të rinisë së Shqipërisë.
Më mirë të largohet dy ish-emigrantë në rast se nuk dëshirojnë të qëndrojnë si njerëz normal në këtë vend sesa të largohet 56% e shqiptarëve që sipas “Gallup”-it duan të ikin nga Shqipëria. Pas Sierra Leones jemi vendi i dytë në botë në mes të Evropës, vend anëtar i NATO-s dhe konkurrojmë me Sierra Leonen, që është nëpër luftëra civile.
Pse? Për shkak të kësaj arrogance kriminale ndaj vendit, ndaj qytetarëve, ndaj ekonomisë dhe në radhë të parë ndaj votës së lirë. Ata që shkatërruan votën e lirë në partitë e tyre, dhe ju e shikoni shumë qartë u bë një referendum që donte Ben Blushi me Partinë Socialiste, përveç listave i bënë si i bënë punë e tyre. Apo ai tjetri që do të bëjë Republikën e Re dhe i përjashtojë të gjithë ikonat e PD-së, pa e mbledhur kryesinë, kur edhe doktori që e kemi kritikuar shumë që është babai i asaj partie, i mblidhte forumet apo jo?
Ata duhet ta dinë, partitë e tyre të bëjnë çfarë të duan. Ata kanë dy vota. Shqiptarët kanë mbi dy milion vota dhe mbi një milion do të jenë shuplaka ndaj kësaj arrogance dhe ndaj kësaj përpjekje kriminale për të cenuar besimin e shqiptarëve te vota e lirë, te vota e drejtë, te vota e barabartë.
Pyetje: A keni rënë dakord me Kryetarin e PDIU, Shpëtim Idrizi për një bashkëpunim gjatë zgjedhjeve? Kur thoni ish-bashkëkryetari për z. Rama do të thotë që do të ngelet “ish” edhe pas zgjedhjeve? Dhe mbi çfarë të dhënash ju del PD parti e katërt apo e pestë në qarqe?
Ilir Meta: Tani çfarë të dhënë doni ju më shumë që, PD është parti e katërt në Dibër, kur në një orë fjalim, 55 minuta ishte kundër PDIU apo jo? Mirë, dakord kundër LSI-së se ka marrë të porosisë që të marrësh gjithë ato drejtori me tendera e me lekë, është normale që do të shash LSI-në. Por tani të merresh gjithë atë kohë me PDIU-n, çfarë do të thotë? Do të thotë që je parti e katërt në Dibër.
Dhe kandidatja e Dibrës i dha një përgjigje shumë të mirë, që unë nuk doja të zgjatesha me Lulin. Sepse Luli ka shumë probleme që nga puna e orës, por Luli ka një të mirë, që të paktën me kriminelë, me banditë, me trafikantë droge nuk shoqërohet dhe nuk komunikon. Këtë të mirë ne të paktën duhet t’ia njohim. Ndoshta këtë e ka këshillë dhe nga babai.
Pyetje: Meta si i shikoni lëvizjet e fundit të z. Nano dhe z. Rama? Ata kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, pak ditë më parë, i cili është ndjekur nga një urim zyrtar i z. Nano, ku mes të tjerash më lejoni t’ju citoj një paragraf të shkurtër ku z. Nano uron PS për fitore dhe sipas tij “uroj Rilindjen në një fitore të pakthyeshme të Shqipërisë Evropiane pa deformimet e pseudo-aleancave të deridjeshme”. Duket sikur i referohet LSI-së, ndaj doja një koment pikërisht për këtë lëvizje?
Ilir Meta: Mos prisni nga unë të merrem as me Rilindësa, as me pseudo-rilindësa. Jua kam thënë dhe dëgjojeni këtë fjalë dhe mbajeni mend mirë. Më 25 qershor do të votohet për një ndryshim historik për 20 vitet që vijnë, jo për t’u kthyer 20 vjet pas.
Pyetje: Ju flisni për dekretimet, kjo do të thotë që ju paralajmëroni se nuk do të dekretoni një qeveri të ardhshme?
Ilir Meta: Unë po paralajmëroj dhe po lajmëroj cilindo që mendon se mund të vërë dorë, siç po punohet, mbi votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që nuk do të ketë dekret as për kryeministër as për ministër.
Dekretet do të vijnë vetëm nga një proces i ndershëm zgjedhor, asgjë tjetër. Në qoftë se këtë gjë nuk e kupton njeri, do ta provojë. Përpara se të shkojmë te dekreti kemi ca punë të tjera në 25 qershor në darkë dhe në 26 qershor në mëngjes.
Pyetje: Kush e vendos procesin e drejtë?
Ilir Meta: Procesin e drejtë e vendos populli shqiptar dhe rinia e Shqipërisë, e cila nga sot e deri më 26 qershor do të jetë për të mbrojtur votën e saj, kundër oligarkisë që kërkon të përzërë rininë e Shqipërisë, që kërkon ta kthejë Shqipërinë në një depozitë të mbetjeve të rrezikshme të Italisë dhe të Evropës. Ta kthejë Shqipërinë në një magazinë dhe plantacion të drogës së gjithë botës. Kjo histori ka përfunduar.
Pyetje: Pra, i bie, nëse marrim një paralelizëm, do të bëheni si Presidenti Ivanov? Nuk do jepni dekret nëse nuk bëhet kjo, është ky kushti?
Ilir Meta: Nuk ka lidhje me këtë rast, sepse këtu nuk bëhet fjala për të frenuar vullnetin e lirë të popullit shqiptar. Këtu bëhet fjala për të ndëshkuar ata që do të prekin vullnetin e popullit shqiptar, është krejt e kundërta.
Pyetje: A nuk do të shkojë vendi në një krizë institucionesh kështu?
Ilir Meta: Kriza vjen nga prekja e zgjedhjeve dhe nuk do të tolerohet askush që vë dorë mbi zgjedhjet. I ka marrë Edi Rama mesazhet, po ua them dhe të tjerëve, që janë ministra, që kanë qenë ministra, që duan të bëhen ministra, duhet ta harrojnë pjesëmarrjen e tyre në përpjekje për të manipuluar dhe dhunuar procesin zgjedhor.
Njëkohësisht ka filluar monitorimi i të gjithë drejtuesve të policisë, i veprimeve të tyre të paligjshme, siç ishte veprimi i paligjshëm dhe kriminal ndaj Elez Gjozës, siç ishte veprimi i Beratit. Të gjithë drejtorët e policisë, të gjithë drejtuesit e policisë, të gjithë përgjegjësit e ndërmarrjes së drogës – ka edhe policë të ndershëm që s’kanë pranuar të bëhen pjesë e këtyre turpeve që u takonin policisë së kohës së Gazidedes – të gjithë këta janë në monitorim “non-stop” dhe nuk do u shpëtojë asgjë.
Pyetje: Nëse OSBE-ja i pranon standardet e zgjedhjeve, ju do t’i pranoni?
Ilir Meta: Nuk më intereson fare se ç’thotë njëri dhe tjetri. Po ju them edhe një herë: unë do të dëgjoj vullnetin e popullit shqiptar. Askush të mos provokojë popullin shqiptar. Askush të mos provokojë qytetarët shqiptarë. Askush të mos përplaset me vendosmërinë e rinisë së Shqipërisë, për t’i dhënë fund një herë e mirë kësaj politike kriminale, që luan me votën, që luan me zgjedhjet, që luanë me ekonominë, që luan me të ardhmen e vendit.
Pyetje: Ç’do të ndodhë në 25 në darkë dhe 26 në mëngjes?
Ilir Meta: Në 25 qershor këtu keni numrin e mandateve, siç ua thashë në 2013-n, përpara se të hapeshin kutitë. Apo nuk e mbani mend? E mbani mend dhe nuk u gabuam.
Po them që do keni numrin e mandateve dhe sot po jua them LSI është forcë e parë në Tiranë dhe është e pandalshme për të qenë forcë e parë në të gjithë Shqipërinë, megjithatë kjo nuk është më kryesorja për mua.
Më kryesorja është që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë dhe të qetë e askush të mos guxojë t’u kundërvihet qytetarëve shqiptarë. Ky nuk është paralajmërim që vjen nga njerëz, të cilët dinë të gënjejnë dhe dinë të mashtrojnë dhe nuk është në emrin tim personal. Këtë gjë duhet ta kenë të gjithë parasysh.
Vendi ka nevojë të shkojë në një proces të drejtë, të qetë dhe demokratik.
Pyetje: A do t’i njohë LSI zgjedhjet cilido qoftë rezultati i tyre?
Ilir Meta: Kjo është një pyetje që i takon z. Vasili. Është populli shqiptar ai që vendos njohjen apo mosnjohjen e zgjedhjeve. Është populli shqiptar ai që shprehet për këtë proces, përmes pjesëmarrjes tij, përmes mbrojtjes që do t’i bëjë këtij procesi dhe përmes reagimit pas zgjedhjeve.
Me këtë rast i bëj thirrje edhe Ministrit të Brendshëm, që të marrë në kontroll drejtimin e Policisë së Shtetit, sepse sipas të dhënave të mia kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh. Elementë drejtues të policisë po bashkëpunojnë me elementë kriminalë për të bërë presione dhe shantazhe ndaj votuesve në zona të ndryshme të vendit.
Për këtë çështje kemi informuar dhe do të informojmë zyrtarisht edhe trupin diplomatik, në mënyrë që të evitojmë një krizë të zgjedhjeve. Për fat të mirë evituam bërjen e zgjedhjeve pa opozitën, siç ishte dëshira e z. Rama, por s’mund të pranojmë këtë aleancë kundër zgjedhjeve, sepse zgjedhjet janë të shqiptarëve, nuk janë as të Ilir Metës e as të askujt tjetër
Pyetje: Meta, ju pyetën për z. Nano. Deri tani keni qenë ju ai që ka mbajtur kontaktet me ish-kryetarin e PS. Rikthimi dhe ripozicionimi i tij në krah të Edi Ramës, si shihet nga ju? Dhe sa i përket festës së djeshme, pse nuk morët pjesë?
Ilir Meta: Nuk kam asnjë koment për çështje, të cilat nuk sjellin diçka të re apo të rëndësishme në vëmendjen time, aq më tepër të qytetarëve të Shqipërisë.
Vëmendja ime dhe e gjithë shqiptarëve është e drejtuar drejt 25 qershorit. Atje janë sytë e gjithë shqiptarëve, sidomos të rinisë së Shqipërisë, në mënyrë që të shkëputemi një here e mirë nga politika e vjetër e imoralitetit, e klientelizmit, dhe e lojës me zgjedhjet dhe me demokracinë.
Faleminderit! Mirupafshim, takohemi pasnesër në sheshin “Nënë Tereza” në orën e 19.00. LSI forcë e paparë, LRI forcë e paparë!