Gjykata e Apelit Tiranë është përfshirë në një skandal të paprecedentë me manipulimin e shortit të gjyqtarëve.
Lobe të fuqishme financiare dhe politike po tentojnë të manipulojnë procesin gjyqësor për pronësinë e televizionit “Top Channel”. Dhe në fakt ashtu ndodhi, pasi një nga emrat e përfolur për të zëvendësuar gjyqtaren e larguar nga trupa gjyqësore, “rastësisht u përzgjodh” nga shorti.
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj është zyrtarisht pjesë e trupës gjyqësore të çështjes “Top Channel”. Ai është prezantuar gjatë seancës së sotme, kur në fakt palët ishin në pritje të hedhjes së shortit. Por ata janë përballur me faktin e kryer, pasi shorti ishte hedhur dhe gjyqtari i përfolur prej kohësh ishte përzgjedhur nga ky shorti.
Emri i gjyqtarit Hysni Demiraj përflitej prej rreth dy javësh, qysh në seancën e parë për këtë çështje ku u kërkua përjashtimi i gjyqtares Zegjine Sollaku. Vetë Demiraj i cili drejton edhe Gjykatën e Apelit ishte përfolur si kanidaturë serioze për zëvëndësimin e gjyqtares së larguar. Nuk dihen ende arsyet përse Demiraj duhet të ishte pjesë e këtij gjykimi, por tashmë është fakt se ai ndodhet në trup gjykues dhe çdo vendimmarrje e tij do jetë e paragjykuar.
Ka një sërë pikpyetjesh dhe dyshimesh që tregojnë se ky short nuk është i rregullt. Së pari, emir i Demirajt qarkullonte prej më shumë se dy javësh dhe ditën e djeshme këto informacione u përforcuan edhe më shumë nga personat e interesuar që Hysni Demiraj të ishte pjesë e këtij gjykimi. City News e paralajmëroi atë që në fakt ndodhi sot. Së dyti, ka një mungesë totale transparence për procedurën e hedhjes së shortit. Gjatë seancës së djeshme, nuk është paraqitur asnjë procesverbal që të konfirmojë procedurën e hedhjes së shortit për zëvendësimin e gjyqtares Sollaku nga kryetari Demiraj.
Po ashtu dyshimet shtohen edhe më shumë, pasi dita e martë është një ditë e planifikuar me gjyqe nga ana e gjyqtarit Hysni Demiraj. Për të qenë i pranishëm në seancën për çështjen e pronësisë së “Top Channel”, gjyqtarit Demiraj i është dashur të shtyjë një gjyq tjetër. Të gjitha këto arsye tregojnë për një mungesë totale transparence në procedurën e hedhjes së shortit dhe zëvendësimit të gjyqtarëve, çka e bën tepër serioze situatën në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
1. Si u kye procedura e hedhjes së shortit për zëvendësimin e gjyqtares?
2. Përse u caktua gjyqtari Demiraj, kur ditën e djeshme e kishte të planifikuar me gjyqe?
3. Ku ndodhen procesverbalet e hedhjes së shortit?/CityNews
A po manipulohet shorti për gjyqin e “Top Channel”? Ja gjyqtarët që përfliten