Nga Ervin Salianji
Me një nxitim të pashpjegueshëm proçedurial, pa asnjë diskutim publik, pa asnjë konkurrencë apo pa krijuar kushtet e garës së ndershme, ku i shkelet e drejta bizneseve vendase apo të huaja për të konkuruar, qeveria e kaloi dje në komisione parlamentare dhe po vrapon që me shumë gjasë nesër ta paraqesë në Kuvend projekt-ligjin mbi marrëveshjen 250 milion euro me kompaninë arabe.
Duhet theksuar se çdo investim i huaj duhet mbështetur, çdo investim duhet parë si prioritet i përfitimit të vendeve të punës, të rritjes së të ardhurave, reputacionit të mirë të ekonomisë shqiptare e një sërë përfitimesh të tjera ekonomike dhe sociale. Çdo investim duhet parë si marrëveshje përfitimi publik e kombëtar dhe nëse nuk është e tillë nuk mund të konsiderohet aspak investim.
Por pse pikërisht kjo marrëveshje që duket në pamje të parë si thithja e një investimi të huaj është më shumë një aferë gjigande korrupsioni!
Projektligj i veçantë i propozuar nga Këshilli i Ministrave në kuvend kërkon që t’i japë 25 mijë metra katrorë falas dhe përjashtim nga të gjitha taksat për 15 vjet një kompanie arabe në shkëmbim të ndërtimit të një kulle që premtohet se do të kushtojë 250 milionë dollarë.
Ndërsa reklamohet vlera e investimit, jo pa qëllim nuk bëhen transparente kushtet që ka shkëmbyer apo falur qeveria.
Kështu vetëm vlera e tokës që i falet kompanisë në zgjatimin e bulevardit ekzistues e cila ka një sipërfaqe prej 25.000m katrore, vlerësohet së paku 62 milion euro.
(1) Përjashtimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar vetëm për vlerën e ndërtimit i fal kompanisë 20 përqind TVSh që rezulton 50 milion euro të tjera të falura.
(2) Duke vijuar me përjashtimin nga taksat dhe tarifat vendore për 15 vjet, vlera e së cilave i kalon së paku 30 milion euro të tjera të falura, te cilat përveçse nuk hyjnë në buxhetin e shtetit dëmtojnë konkurencën dhe interesat e bizneseve të tjera vendase të së njëjtës fushë.
Me një kalkulim fare të thjeshtë në shkëmbim të këtij “investimi” qeveria fal nga pasuria publike dhe nga taksat e qytetareve 142 milion euro (62 milion euro vlera e tokës, 50 milion euro TVSH, 30 milion euro taksa dhe tarifa)
Nëse ky investim sërish edhe me kushtet lehtësuese të investimeve të këtij lloji do të rezultonte pas një proçesi transparent ku hapej konkurenca për të gjitha kompanitë me rregulla te përcaktuara garë, dhe informacion transparent ndoshta do të diskutohej në një prizëm tjetër. Por ajo që po ndodh është dhënia në mënyrë preferenciale si një ofertim i falur nga vetë qeveria shqiptare, çka e bën këtë një megaskandal.
Kompania kërkuese mund të jetë kompani serioze dhe me eksperiencë, asnjë paragjykim për reputacionin dhe qëllimshmërinë e kompanisë, por proçedura e ndjekur dhe shpejtësia e marrjes së vendimeve pa asnjë rregull loje të respektuar e cila shoqërohet dhe me takimin e kryeministrit Rama me investitorin shumë kohë më parë në një hotel në Budapest, janë të dhëna që të mblëdhura bashkë përbëjnë provën e plotë që investimi të lexohet si aferë e pastër korruptive. Theksoj se kompania është plotësisht e paparagjykuar në këtë rast.
Falja e kësaj shumë nga pasuritë publike mund të jetë njëqind përqind në përfitimin e drejtpërdrejtë korruptiv për qeveritarët shqiptarë.
Takimi i Ramës në datën 6 Maj 2016 në Budapest në hotel The Ritz, i rri mbi kokë leximit të qartë të këtij skandali, ndërsa tregon qartë konfliktin e interesit. Sigurisht ministrat dhe ata që do ngrenë kartonin për ta aprovuar do të mund të thonin takim i rastësishëm, qëlloi rastësisht e njëjta kompani, dhe po aq rastësisht i falëm së paku 142 milion taksa e troje, por shumë rastësi bëjnë një ligjësi dhe një qëllim të qartë. Në këtë rast është përfitimi korruptiv.