Ish-Presidenti Ilir Meta, i cili drejton sot Partinë e Lirisë, tha se mbetet i vendosur në rrëzimin e këtij regjimi kriminal, mashtrues, shantazhues, vrasës, falsifikues, grabitës dhe vjedhjes i paparë i qytetarëve shqiptarë, sikundër quan ai mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për MCN TV, Meta tha se Rama është kryeministri më i korruptuar dhe më i dështuar në historinë e Shqipërisë. Ai shtoi se Rama e ka mbyllur prej kohësh kapitullin e tij.
“Beteja me regjimin e Ramës është ballore. Prioriteti im është vetëm një, çrrënjosja e sistemit të korrupsionit, në Qeveri dhe opozitë”, tha Meta.
Pyetje: Në disa media janë ngritur akuza se ka njerëz të afërt me ju, që janë nën hetim nga SPAK. Mund të kem një koment?
Meta: Nuk kam asnjë koment për lajmet që prodhon regjimi i Edi Ramës. Kam vetëm një siguri për të gjithë, që lidershipi i Ilir Metës është i vendosur në rrëzimin e këtij regjimi kriminal, mashtrues, shantazhues, vrasës, falsifikues, grabitës dhe vjedhjes i paparë i qytetarëve shqiptarë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe i implikuar dhe në afera të rënda që trafikojnë interesat kombëtare dhe sovrane të qytetarëve shqiptarë. Sa i takon Ramaformës, e kam shprehur me kohë, ajo është fakti që flet vet pse jemi në këtë situatë, ku afera e inceneratorëve në vend të ndërpritej dhe të shkonin para drejtësisë, Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe të gjithë ministrat e tjerë që kanë shkelur ligjin në mënyrë të qëllimshme, në mënyrë të vetëdijshme, vazhdojnë lekët e inceneratorëve paguajnë edhe media që shpërndajnë edhe lajme të tilla, për të cilat Ilir Metës nuk i kërcet fare, në kuptimin më të mirë dhe më të drejtë të kësaj fjale. Beteja është ballore, nuk është me lajme as me stekadente, është beteja e të vërtetave dhe të vërtetat kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë me Ilir Metën përpara një regjimi mashtrues, të paskrupullt, që ka 10 vjet që ka treguar që është i aftë vetëm të degradojë vetë dhe të dëmtojë rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: Pati disa ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar pak ditë më parë. Duke qenë se ju keni qenë aleat i ngushtë i z.Rama, besoj se ia njihni teknikën dhe mënyrën e veprimit të tij. Pse u bë kjo lëvizje dhe pse u bë me një ministër të vetëm, z.Ahmetaj?
Meta: Mua nuk më interesojnë fare ministrat që heq dhe që vë z.Rama. Mendoj që z.Rama e ka mbyllur prej kohësh kapitullin e tij si kryeministër. I janë dhënë mundësi të jashtëzakonshme. Është më i dështuari në historinë e Shqipërisë. Është kryeministri më i korruptuar në të gjitha raportet ndërkombëtare, në të gjitha krahasimet që bëhen. Është penguesi dhe vonuesi kryesor i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë për shkak të përpjekjes së tij për të kapur drejtësinë, për shkak të përkrahjes që i dha kanabizimit të Shqipërisë, forcimit të grupeve kriminale, paprekshmërisë së tyre, dëmeve të jashtëzakonshme që i bëri pluralizmit politik dhe sistemit të llogaridhënies në vend. Ku ka qenë ndonjëherë Shqipëria në këtë situatë që të mos ketë një këshilltar opozita në asnjë bashki të vendit?! Ku e dinë qytetarët sot në çdo bashki se si menaxhohen fondet, taksat dhe si menaxhohen shërbimet e tyre. Këtu e katandisi Rama Shqipërinë dhe Shqipëria po zgjohet për t’u ndarë njëherë e mirë nga regjimi i tij.
Pyetje: Pse erdhi kjo që mungojnë këshilltarët bashkiak të opozitës?
Meta: Sepse ishte një pazar Rama-Basha. Edhe djegia e mandateve edhe mos hyrja në zgjedhjet vendore. Pazari ishte sepse po të shkonin në zgjedhjet vendore njëri nga këta të dy do humbiste, do ikte. Mënyra që të rrinin të dy ishte pazari, digjeshin mandatet. Me sebepin e mandateve justifikohej mos hyrja në zgjedhjet vendore, bëhej sikur polarizohej situata në vend, dilte LSI-ja si forcë e qendrës, forcë e ekuilibrit dhe e pablerë nga mafiat dhe oligarkët në cep, digjej një kërpudhë atje para Kryeministrisë dhe krijohej ideja që u bë qameti i madh. Gjithçka ishte një regji e të dyve bashkë dhe ndërkohë fryheshin kontot e udhëheqësve të opozitës dhe të afërmve të tyre.
Pyetje: Është e kapur drejtësia shqiptare?
Meta: Faktet flasin vetë, në 6 vjet 26 vende në përkeqesimin e renditjes së Shqipërisë në TI. E ke edhe rezoluta e PE. Më e kapur nuk ka ku të shkojë. Por problemi më i madh nuk ishte ky, ishte kapja e opozitës, e lidershipit të saj, sepse edhe bojkoti i reformës në drejtësi ishte i qëllimshëm, për t’ia lehtësuar Edi Ramës kapjen e drejtësisë, për të mbyllur dosjen e Muzinit, për të mbyllur afera të tjera me të cilat shantazhoheshin ish-drejtuesit e opozitës.
Pyetje: Spekulohet se ka një mundësi që edhe ju të shpalleni non grata nga SHBA. Keni ndonjë sinjal?
Meta: Nuk merrem me këto çështje fare dhe ju e dini qëndrimin tim edhe kur është shpallur z.Berisha. Unë respektoj vendimin e çdo vendi kudo në botë dhe absolutisht që kjo s’ka asnjë lidhje me raportet e Ilir Metës, në radhë të parë me popullin e Shqipërisë, sepse mendoj që ky është raporti kryesor që më mban mua në politikë, por jo vetëm në politikë, por në të gjithë jetën time si atdhetar, qytetar, si patriot, dhe si njeri i lindur dhe i vendosur për t’i shërbyer gjithnjë vendit tim pavarësisht nga pozita ime. Siç kam bërë gjithmonë, kështu do të bëj edhe në të ardhmen. Sa i përket raporteve ndërkombëtare, unë kam qenë në krye të çdo përpjekjeje për integrimin evropian të Shqipërisë dhe askush s’ka bërë më shumë si politikan në 30 vjet, në mënyrë koherente, për të ndihmuar këtë proces, se sa Ilir Meta. Në të ardhmen do të plotësojmë çdo detyrim që kemi në raport me BE-në. Kam qenë që në fillimet e mia, edhe kur PS ishte kundër pranimit në NATO, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Dhe ne do të plotësojmë të gjitha detyrimet që kemi ndaj NATO-s në të ardhmen. Të gjitha këto të tjerat janë histori të kuzhinës propagandistike të Edi Ramës.
Pyetje: Sa përbën problem përdorimi i këtij instrumenti në politikën e brendshme?
Meta: Në politikën e brendshme për mua prioritet është vetëm një gjë, çrrënjosja e sistemit korruptiv të Edi Ramës. E në radhë të parë çrrënjosja e korruptimit të drejtuesve të caktuar të ish-opozitës apo që bëjnë gjoja sikur bëjnë opozitë sot dhe vetëm duan të devijojnë fokusin e një revolucioni anti-korrupsion dhe që synon çkapjen e shtetit, në nisma që i interesojnë vetëm Edi Ramës.