Nga Ilir Kalemaj
Njëra nga format, mënyrat apo këndvështrimet që mund ta shohësh politikën shqiptare, është dikotomia e këndvështrimit si ‘stasis’ apo si ‘proces’. Forma e parë i referohet nga vetë emri një gjendjeje statike, të ngrirë dhe të palëvizshme ku mund të bësh snapshots në periudha të ndryshme dhe të vëzhgosh të njëjtën gjë. Gjendja e dytë është dinamike, aktive, me ndryshueshmëri vibrore që masin tensione të ndryshme në stinë të ndryshme politike, dhe ku shpesh mund të jenë edhe të përditshme. Paradoksi me politikën shqiptare është se mund të bësh edhe njërën, edhe tjetrën analizë, pa t`u dridhur qerpiku, dhe madje t`u shpjegosh skeptikëve të ‘jashtëm’ apo ‘brendshëm’ me logjikë argumentative të fortë, pse ky është rasti.
Pra nga njëra anë, në më tepër se dy dekada nuk kemi bërë as para, as mbrapa, kapur në një ‘tranzicion pa pikëmbërritje’, duke e bërë këtë togfjalësh një oksimoron (fjalë të kithëta, që kundërshtohen mes vedi), pasi pikëmbërritja duket se ekziston vetëm në fantazinë e profesionistëve të politikës (alla)shqiptarce. Nga ana tjetër, duket se ka kaq shumë ndryshueshmëri, herë edhe brenda muajit, javës apo ditës, sa politika shqiptare arrin suksesshëm të zhvendosë çdolloj lajmi me tematikë sociale, kulturore, ekonomike apo ndërkombëtare, duke i lënë në plan të dytë zhvillimet dinamike që lidhen direkt me mirëqënien materiale dhe shpirtërore të shtetasve të republikës së vet.
Ky qerthull vicioz, i riprodhuar për të garantuar statusin pop të të zgjedhurve të përjetshëm, garanton kultin e individit politikë-bërës në vend, ndërkohë që shkallët matëse të progresit apo regresit (ang. benchmark), ngelen të paqarta për tifozët analizë-bërës të secilit krah që e shohin gotën gjithnjë ose gjysëm plot, ose gjysëm bosh. Në këtë vend ballkanik ku pasionet priren të mbulojnë gjithfarë arsyetimi logjik pasi politika përcakton fatet ekzistenciale të secilit prej nesh, brenda apo jashtë tarafeve qofshim, është vështirë të japësh një panoramë makro të drejtimit që ka marrë fati i përgjithshëm i zhvillimit të vendit.
Natyrisht ky farë zhvillimi ka indikatorë me të cilat matet, duke nisur nga rritja ekonomike vjetore, shkalla e inflacionit, aftësia e tërheqjes së investimeve të huaja, bilanci tregtar, aftësia blerëse e konsumatorit, të ardhurat mesatare për frymë e kështu me radhë. Por vështirësia qëndron në faktin se para së gjithash shifrat dhe institucionet që i lëshojnë ato janë të kontestuara apo mosbesuese apriori, ndërsa çdo analizë të këtyre indikatorëve e gjen të mbështjellë me doza të mira politizimi gjë që të bën të pamundur të shquash të dhënat reale nga ato imagjinare që të dalësh me ndonjë përfundim të hajrit.
Së dyti, edhe kur debati shkon në këto fusha, pra që masin shëndetin makro dhe mikroekonomik dhe financiar të shqiptarëve, kjo bëhet në funksion të politizimit të aksh çështjeje apo argumenti, jo për hir të debatit në vetvete duke shtuar konfuzionin jo të pakët të buxhetorit, investitorit apo punëmarrësit vendas.
Së treti, debatet në studio televizive apo në shtypin divulgativ shpesh ngjajnë me debate të mirëfillta ekspertësh nga ato që duhen bërë në revista të specializuara shkencore, por të papërshtatshme për nivelin e informacionit të përtypshëm nga ana e qytetarit mesatar. Në këtë prizëm, duken më shpesh debat për hir të debatit sesa debat për hir të informimit apo me synimin e rritjes së pjesëmarrjes publike në çështje që prekin fusha të ndjeshme, pasi lidhen me mirëqenien dhe investimet personale.
Për ta përmbledhur, ngjan se politizimi i debatit bëhet shpesh për t`i ikur thelbit të tij. Pra çështje thelbësore anashkalohen apo kalojnë në ‘kalendat greke’, ndërsa debati politik vulgarizohet, banalizohet në nivele shoqërore nga më të ndryshmet si një formë pasatempo apo lojërash fati që shërben për të mbajtur gjallë një adrenalinë dhe energji që mund të shfrytëzoheshin fare mirë tjetërkund. Debati politik transferohet nga aura kuvendore, në çdolloj qelize të shoqërisë, duke u kthyer nga një diskutim për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet parashtrimit të alternativave konkurruese, në një debat shterpë që zëvendëson ballafaqimin me problemet që gjithsecili has në rrafsh individual apo kolektiv.
Ide ose s`ka, pra janë thjesht riciklime tezash të vjetra ose kopjime copy paste të tezave elektorale perëndimore, pa arritur as të kuptohet dhe as të transmetohet përmbajtja, ndërsa të gjithë rreken të hiqen si mendimtarë të hollë, pa kuptuar se diferenca e këtyre të fundit me ‘filozofinë e mejhanes’ i ndan veç një vijë e hollë në realitetin jo pak të përçudnuar shqiptar.