Rriten rastet e personave të infektuar me Covid-19.
Mjekët paralajmërojnë shtim të infektimeve deri në mesin e korrikut, pasi është neglizhuar zbatimi i masave mbrojtëse, siç është distancimi social dhe vendosja e maskës në ambientet e mbyllura.
Mjekja e familjes pranë qendrës mjekësore në Kamzë, Elisabeta Musta tha për “Monitor” se prej 2 javësh ka shtim të rasteve të infektimeve me Covid-19. “Në qendrën shëndetësore ka rritje të numrit të infektimeve. Nga 3 persona që kryejnë testin 1 prej tyre rezulton i infektuar me Covid-19. Pacientët e infektuar shfaqin simptoma si dhimbje fyti, temperaturë të lartë dhe kollë të thatë. Në këtë periudhë gjithashtu janë rritur edhe hospitalizimet. Nga 7 pacientë të shtruar që pati në spital në fillim të qershorit, aktualisht numri i tyre ka arritur në 20 pacientë”, pohon mjekja e familjes në Kamzë.
Numri i testimeve është rritur edhe në klinikat private. Administrator i rrjetit laboratorik “Intermedica”, Vasil Llajo, tha për “Monitor” se krahasuar me fillimin e muajit maj numri i testimeve ditore është dyfishuar. Sipas tij aktualisht janë shfaqur dy nënvariante të Omicron BA 4 dhe BA 5 dhe ngarkesa e tyre virale mbetet vetëm në pjesën e fytit. Rrezikshmëria e tyre është më e ulët krahasuar me variantin Delta.
“Pas një “pseudo pauze” të infektimeve në muajin maj, në këtë periudhë ka një shtim të testimeve dhe rasteve të reja. Testimet ditore janë dyfishuar krahasuar me fillimin e muajit maj, ku 5% e tyre rezultojnë pozitive. Parashikohet që deri në mesin e muajit korrik të vijojë trendi rritës i të prekurve me Covid-19. Qytetarët neglizhuan masat mbrojtëse, pasi mendojnë se pandemia u largua. Shtimi i rasteve ka ardhur si rezultat i moszbatimit të masave që nga grumbullimi i individëve në plazhe, restorante dhe bare, si dhe mospërdorimi i maskës në ambientet e mbyllura”, nënvizon z. Llajo. Sipas tij rezultojnë që të prekurit më tepër janë persona të pavaksinuar, ndërsa ka pasur edhe mjaft raste të riinfektimeve.
Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për muajt janar-prill rezultoi se numri i të vaksinuarve ishte rreth 85% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës Janar-Prill 2022 me vaksinën anticovid-19 janë vaksinuar: me doza të para 75,290 persona; me doza të dyta 129,614 persona; me doza të treta 129,276 persona.
Për vaksinimin e popullatës kundër Covid-19 Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar të shpenzojë për 2022 rreth 20 milionë euro. Në total realizimi i shpenzimeve për këtë program për periudhën janar-prill sipas raportit të monitorimit është 23%.
Në programin e vitit 2021 objektivi kryesor i qeverisë shqiptare ishte imunizimi i 2.2 milion banorëve dhe për të arritur këtë objektiv nevojiten 4,4 milionë doza vaksine. Në total deri tani janë kryer 2,883,851 vaksinime. Në Shqipëri sipas të dhënave nga World Data janë vaksinuar 47% e popullatës, ku 43% e tyre kanë kryer vaksinim të plotë. Në rang global rezulton e vaksinuar 61% e popullatës./Monitor/