Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, e cila për një kohë ishte pjesë e mazhorancës dhe mbështetëse e politikave të Edi Ramës, ka dalë hapur kundër një prej nismave më të promovuara nga qeveria, Paketës së Maleve.
Koçeku, e cila u shkëput nga PS pas protestave masive, ka reaguar ndaj kësaj platforme, duke iu drejtuar banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit me thirrjen që të mos pranojnë, sipas saj, premtimet për zhvillim që rrezikojnë pronat e tyre.
Sipas deputetes, përfshirja e këtyre zonave në Paketën e Maleve nuk përfaqëson zhvillim, por fillimin e një procesi tjetërsimi të tokave. Ajo argumenton se malësorët rrezikojnë të humbasin kontrollin mbi pronat e trashëguara, ndërsa akuzon qeverinë se po përdor ligjin dhe premtimin për investime si mënyrë për t’ua marrë tokat.
“Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.
Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni”,- shkruan ajo ndër të tjera.














