Aktivisti Edison Lika është lënë i lirë, pasi qëndroi për rreth katër orë i shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës.
Lika u ndalua pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, ku u filmua teksa shoqërohej me forcë nga efektivët. Momente më parë ai kishte folur në një lidhje televizive, ku denonconte, sipas tij, dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve.
Pas daljes nga komisariati, aktivisti u prit nga të pranishmit, të cilët i përshëndeti me buzëqeshje, duke deklaruar se shoqërimi nuk e kishte dekurajuar.
Në një reagim në rrjetet sociale, Lika publikoi pamje pas lirimit dhe shkroi:
“Më i fortë, më i motivuar dhe sigurisht më i buzëqeshur se kur hyra. Bashkohemi në ‘Bulevardin Dëshmorët e Kombit’ dhe këndojmë ‘Rama, jep dorëheqjen!’”
Sipas organizatorëve të protestës, gjatë tubimit të sotëm policia shoqëroi në komisariate të paktën 23 qytetarë.














