Përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, Migen Qiraxhi, ka deklaruar se gjatë më shumë se 50 ditëve të protestave kundër qeverisë, Policia e Shtetit ka proceduar rreth 150 protestues, ndonëse, sipas tij, Prokuroria nuk ka pranuar procedimet.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Qiraxhi tha se, sipas tij, qëndrimi i qeverisë ndaj protestës ka ndryshuar në deklarata, por jo në praktikë.
Ai u shpreh se, ndërsa zyrtarët pretendojnë se qytetarëve u garantohet e drejta për të protestuar, në terren situata ka qenë ndryshe.
“Në mbi 50 ditë protesta paqësore, Policia e Shtetit ka proceduar rreth 150 protestues. Megjithatë, këto procedime nuk janë pranuar nga Prokuroria”, deklaroi ai.
Qiraxhi akuzoi gjithashtu autoritetet se kanë përdorur policinë si mjet presioni ndaj pjesëmarrësve në protesta, duke pretenduar se në disa raste janë përdorur barriera, mjete ujore dhe forma të tjera intimidimi.
Sipas tij, këto veprime bien ndesh me pretendimet se në Shqipëri ekziston liri e plotë për të protestuar.














