Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU), e drejtuar nga Blerina Gjylameti, ka vendosur të heqin masën e pezullimit ndaj kompanisë së kateringut “Sori-Al”, pavarësisht se subjekti ishte në qendër të skandalit të helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë në fund të muajit qershor.
Sipas njoftimit të AKU-së, analizat laboratorike të kryera mbi mostrat e ushqimit, tamponët ambientalë dhe kontrollet e mëvonshme nuk kishin evidentuar shkelje të standardeve të higjienës dhe sigurisë ushqimore.
Pas analizave të vetëkontrollit të kompanisë dhe një inspektimi të ri më 10 korrik në kuzhinën e Garnizonit “Skënderbej”, autoriteti vendosi të zhbllokojë aktivitetin e subjektit, duke e lejuar të rifillojë përgatitjen e ushqimit në ambientet e Akademisë së Forcave të Armatosura.
Kujtojmë që dhjetëra kursantë të Akademisë së Sigurisë përfunduan sërish në spital me shenja helmimi, duke e detyruar AKU-në të ndërhyjë për herë të dytë ndaj të njëjtit subjekt.
Ironikisht, pas episodit të ri, AKU njoftoi se gjatë kontrolleve të kryera kushtet higjieno-sanitare dhe dokumentacioni i kompanisë rezultojnë sërish të rregullta.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi vendimin e AKU-së për të zhbllokuar aktivitetin e kompanisë. Nëse i njëjti subjekt është përfshirë në dy episode të dyshuara helmimi brenda pak javësh, a mjaftojnë analizat laboratorike për ta rikthyer në aktivitet, apo duhej të ishin marrë masa më të forta që pas incidentit të parë?
Njoftimi i AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve, pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk ka kampionuar më datë 25 .06.2026, 14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, në adresën Garnizoni “Skënderbej” Tiranë 14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, si dhe 5 mostra tamponë higjienë ambientale dhe të pajisjeve.
Nga laboratori i Referencës ISUV jemi informuar, se nga analizimi në total i 33 mostrave për treguesit mikrobiologjik kanë rezultuar brenda normave.
Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti, subjekti Sori-al ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambjenteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore.
AKU më 10.7.2026 pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV.
Me daljen e rezultatit të analizave konforme për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë 25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al” dhe OBU-së i lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”.














