Edi Rama ka dhënë një intervistë për CNN turk, ku ka folur për rezultatet e Samitit të NATO-s, marrëdhëniet Shqipëri–Turqi, situatën në Ballkan, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe zhvillimet në sektorin e turizmit.
Duke folur për raportin me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, Rama e cilësoi atë si një mik shumë të afërt dhe një partner strategjik për Shqipërinë.
“Marrëdhënia jonë është vëllazërore. Ai është një mik shumë i ngushtë dhe ka bërë përpjekje të mëdha për ta çuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Turqisë në një nivel strategjik,” deklaroi Rama.
Sipas tij, Erdogan është shumë i interesuar për zhvillimet në Ballkan dhe luan një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet në rajon.
Rama tha se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve është shumë i mirë dhe shprehu gatishmërinë që kompani të tjera turke të investojnë në industrinë shqiptare të mbrojtjes.
“Do të mirëprisnim më shumë kompani turke që të zhvillonin aktivitetet dhe produktet e tyre në Shqipëri,” tha ai.














