Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 38-vjeçar me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit, pasi u kap duke qarkulluar i armatosur me pistoletë dhe granatë.
Sipas policisëm në pranga përfundoi shtetasi me inicialet E. H., banues në Vlorë, i cili u ndalua në flagrancë në zonën e njohur si “Kthesa e Pilurit”, ndërsa udhëtonte me automjet.
Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, efektivët gjetën në çantën e tij një pistoletë me krehër të mbushur me fishekë, si edhe një granatë. Pas arrestimit, kontrollet vijuan në banesën e 38-vjeçarit në Vlorë, ku u zbuluan një tjetër armë zjarri pistoletë, krehra me municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy armët e zjarrit, granatën, municionin, krehërat, jelekët, automjetin që përdorte i arrestuari, si edhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për vijimin e hetimeve.
Ndaj 38-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Mbajtje pa të drejtë të uniformës”.














