Vendimi i Qeverisë për të financuar me mbi 4 milionë euro organizimin e koncertit të Kanye West ka nxitur debate dhe kritika në opinion publik shqiptar.
Mbi këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë, Julian Kazazi, i cili ka kritikuar politikat e financimit, duke theksuar se artistët shqiptarë nuk janë kundër aktiviteteve ndërkombëtare, por kërkojnë që krahas tyre të ketë investime në kulturën vendase.
Kazazi ka denoncuar gjendjen e institucioneve kulturore në vend, duke përmendur mungesën e infrastrukturës bazike për disa institucione kryesore.
Ai deklaron se Cirku Kombëtar vijon të jetë pa një godinë funksionale, ndërsa artistët detyrohen të punojnë në ambiente pa kushtet e nevojshme.
Sipas tij, problematika të ngjashme lidhen edhe me institucione të tjera kulturore, si Teatri Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve, ndërsa në shumë qytete mungojnë qendrat kulturore dhe hapësirat ku të rinjtë mund të zhvillojnë talentet e tyre.
Reagimi:
Ditët e fundit, vendimi i Qeverisë për të financuar me mbi 4 milionë euro organizimin e një aktiviteti kulturor me përmasa ndërkombëtare ka hapur një debat të gjerë publik.
Si President i Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias të Shqipërisë (SPAKMSH), ndjej detyrimin të shpreh një qëndrim në emër të qindrave artistëve dhe punëmarrësve të sektorit të kulturës.
Së pari, dua të jem shumë i qartë.
Ne nuk jemi kundër organizimit të aktiviteteve artistike ndërkombëtare. Çdo aktivitet që promovon Shqipërinë, sjell turistë dhe e vendos vendin tonë në hartën kulturore ndërkombëtare është i mirëpritur.
Por kjo nuk na pengon të shtrojmë një pyetje që artistët shqiptarë e bëjnë prej shumë vitesh:
Pse, sa herë flitet për artin dhe kulturën shqiptare, përgjigjja është “nuk ka fonde”, ndërsa për një aktivitet të vetëm gjenden menjëherë mbi 4 milionë euro?
Ky nuk është një debat për një koncert. Ky është një debat për prioritetet e politikave publike në kulturë.
Prej më shumë se pesë vitesh, Cirku Kombëtar është pa godinë, pa truall, pa çadër, artistët ushtohen në një ambjent pa kushte minimale dhe enden sa mr një ambjent në tjetrin për të performuar.
Teatri Kombëtar ende nuk ka një godinë të re funksionale dhe dinjitoze.
Muzeu Historik Kombëtar ka kaluar një periudhë të gjatë i mbyllur për rikonstruksion.
Galeria Kombëtare e Arteve prej vitesh ndodhet në rikonstruksion dhe akoma nuk dihet se kur do rihapet.
Në shumë qytete mungojnë qendrat kulturore dhe rinore, ndërsa Tirana ende nuk ka një rrjet të mirëfilltë qendrash social-kulturore ku fëmijët, veçanërisht ata nga familjet me të ardhura të ulëta, të kenë mundësi të zhvillojnë talentin e tyre pa barriera ekonomike.
Ndërkohë, artistët dhe punëmarrësit e institucioneve publike vazhdojnë të përballen me probleme që nuk kanë marrë zgjidhje prej vitesh.
Punonjësit mbështetës (profesionistët) në institucione qëndrore dhe lokale paguhen afërsisht sa paga minimale.
Shumë prej tyre kryejnë njëkohësisht dy apo tre funksione për shkak të mungesës së organikave në këto institucione.
Artistët vazjdojnë dhe blejnë vetë kostumet, materialet, instrumentat muzikor dhe pajisjet e punës, për të cilën punëdhënësi ka detyrimin ligjor ti përmush por përsëri e njejta përgjigje “skemi fonde” .
Trajnimet dhe specializimet e artistëve jashtë vendit prej më shumë se 15 vitesh mbeten shpesh të paarritshme për shkak të mungesës së fondeve.
Dhe një shembull që flet vetë.
Sot, në vitin 2026, artistët dhe punonjësit e kulturës vazhdojnë të trajtohen financiarisht sipas VKM-së nr. 997, datë 10.12.2010.
Dieta ditore për një artist në shërbim vazhdon të jetë 500 lekë, një shumë e pandryshuar prej më shumë se 15 vitesh, ndërkohë që kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm.
Rimbursimi maksimal për akomodimin mbetet 2.500 lekë për natë, një shumë që në shumë qytete të Shqipërisë, sidomos gjatë sezonit turistik, nuk mjafton as për një hotel modest. Diferencën e paguan vetë artisti.
Po aq shqetësues është fakti që Statusi i Artistit, një kërkesë e komunitetit artistik prej më shumë se 15 vitesh, ende nuk është miratuar.
Kanë kaluar qeveri, ministra dhe premtime, por artisti shqiptar vazhdon të mos ketë një status që garanton mbrojtje sociale, trajtim dinjitoz dhe njohjen e specifikave të profesionit të tij.
Prandaj, pyetja jonë nuk është:
“Pse financohet një koncert?”
Pyetja jonë është:
Pse nuk financohet me të njëjtin vizion arti dhe kultura shqiptare gjatë gjithë vitit ?
Ne nuk kërkon privilegje.
Ne kërkojmë:
- Miratimin e Statusit të Artistit;
- Rishikimin e menjëhershëm të dietave dhe trajtimit financiar të artistëve;
- Rritje dinjitoze të pagave për artistët dhe punonjësit mbështetës;
- Investime në infrastrukturën kulturore;
- Fonde për trajnimet dhe zhvillimin profesional;
- Dialog të rregullt me organizatat përfaqësuese të artistëve.
Sepse një koncert mund të sjellë mijëra turistë për një fundjavë por artistët shqiptarë janë ata që ndërtojnë identitetin kulturor të këtij vendi çdo ditë, gjatë gjithë vitit.
Nëse Shqipëria synon të bëhet një qendër kulturore rajonale, investimi duhet të fillojë nga ata që e mbajnë kulturën gjallë: artistët, aktorët, muzikantët, punonjësit teknikë, bibliotekarët, edukatorët, restauratorët, krijuesit dhe të gjithë ata që çdo ditë i japin jetë kulturës shqiptare.
Kultura nuk ndërtohet vetëm me spektakle.
Kultura ndërtohet me vizion, me investim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha, me respekt për artistin shqiptar.













