Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me konfliktin e ndodhur paraditen e kësaj të hëne në zonën e ish-Bllokut, ku u përfshi biznesmeni Nadir Çausholli.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë proceduar penalisht Nadir Çaushollin., 48 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia“.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku gjatë një konflikti për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar,Çausholli dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç, si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, policia bën me dije se edhe Çausholli ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nga shtetasi M. L.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasin N. Ç., 48 vjeç, për veprat penale ‘Kanosja’ dhe ‘Vetëgjyqësia’.
Ky shtetas, më datë 06.07.2026, në rrugën ‘Ibrahim Rugova’, gjatë një konflikti të ndodhur për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar, dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç, si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, shtetasi N. Ç. ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nga shtetasi M. L.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.“, thuhet ne njoftimin e policise.
Pamje e publikuara nga Boldnews shfaqën momentet e konfliktit, ku biznesmeni Nadir Çausholli, pronar i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”, shihet duke u përplasur me pronarin e një lokali në zonën e ish-Bllokut.
Në video, Çausholli fillimisht duket se ngre duart në shenjë qetësie, por më pas tenton të godasë personin tjetër me shkelm, ndërsa persona të pranishëm ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit
Nadir Çausholli është pronar i një prej depove kryesore farmaceutike në Shqipëri. Megjithatë, ai nuk po kalon një periudhë të qetë në aktivitetin tregtar. Pak muaj më parë, Prokuroria e Tiranës lëshoi masa sigurimi për disa vartës të tij në ‘CFO Pharma”, të dyshuar se kanë krijuar një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve, me dëm ekonomik në Buxhetin e Shtetit në rreth 700 mijë euro.
Më tej, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (FSKDSH) zbuloi se dëmi financiar në këtë skemë të dyshuar mashtruese është akoma më i lart, duke kaluar vlerën 2.3 milionë euro.














