Paraditen e sotme (e enjte, 2 korrik) nuk munguan përplasjet dhe tensionet mes protestuesve dhe policisë përpara Parlamentit teksa deputetët u mblodhën në seancën e radhës parlamentare. Protestuesit brohorisnin njëzëri duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e seancës së sotme. Mes thirrjeve të dëgjuara në protestë kanë qenë edhe slogane kundër deputetëve të opozitës, ndaj të cilëve janë artikuluar akuza si “opozitë e shitur”.

Përplasjet mes policisë dhe protestuesve
Disa prej protestuesve kanë goditur me vezë deputetët dhe u kanë bllokuar rrugën duke u ndaluar të kalonin me makinë, ç’ka ka bërë që policia të reagojë duke i shoqëruar me dhunë në komisariat.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, është pritur nga protestuesit me miell, vezë dhe thirrjet: “O hajdut…”. Ndërsa, deputeti Erion Braçe u prit me thirrjet ‘Erion Braçe bib*lushi, la la la la’.

Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe spray lotsjellës.
Gjatë përplasjes, disa protestues në shenjë revolte pas sulmit të efektivëve, kanë sulmuar një automjet të Policisë së Shtetit, duke i thyer xhamat. Fillimisht ata kanë hedhur gurë në drejtim të mjetit, ndërsa më pas kanë marrë gardhe metalike dhe i kanë përplasur disa herë mbi automjet, duke i shkaktuar dëmtime.
Gjatë përplasjeve mbetën të plagosur disa efektivë policie dhe disa protestues.
Sakaq, burime mediatike bëjnë të ditur se policia ka shoqëruar me dhunë (siç shihet edhe në video) në komisariat 20 persona të cilët gjuajtën me vezë dhe miell makinat e deputetëve para parlamentit.
Rama dhe Balla nuk i ndalin sulmet dhe fyerjet karshi protestuesve
Edi Rama, në vazhdën e sulmeve që ka ndërmarrë ndaj protestuesve të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij dhe qeveri teknike, tha se në Bulevard, dikur janë vrarë njerëz, e sot protestojnë. Sipas tij, mercenarë nga Prishtina dhe Tetova kanë ardhur në protestë dhe janë shfaqur si përfaqësues të diasporës.
Rama deklaroi se protestuesit janë korba e sorra.
“Kur shkon atje, një grup për të ushtruar presion fizik ndaj deputetëve, jemi në rrethana të tjera. Por ata nuk janë flamingo, ata janë paqësore. Sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Flamingot do i trajtojmë me shumë respekt. Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund ata do jenë përsëri të humbur. Do shpërndahen kokrra kokrra”, theksoi Rama.
“Në vlerësimin tim, ne nuk mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale dhe politike mendojnë që Parlamenti duhet të shpërndahet”. Kështu u shpreh Taulant Balla për gazetarët në ambientet e jashtme të Parlamentit.
Sipas Ballës, edhe më skeptikët e kanë të qartë “se këtu është një skenar tërësisht joshqiptar, në dëm të Shqipërisë, në këtë moment historik”.
“E prisnim këtë skenar, kemi kohë që e presim. E kam parë edhe në vende të tjera. Ata që plagosin 3 punonjës policie, duhet të dinë se gjaku i punonjësve të policisë është gjaku i shtetit. Prandaj, dua të jem i qartë: mbështes policinë dhe i bëj me dije se kushdo që ngre dorën kundër policisë, do të përballet me forcën e policisë”, tha Balla.
Rama “thumbohet” edhe nga të vetët, Spiropali: Nuk duhet të merremi me protestuesit por me veten
PD bojkotoi seancën, PS miratoi me 72 vota ndryshimet në ligjin e SHISH
Maxhoranca miratoi me 72 vota pro ndryshimet në ligjin e SHISH, pas një seance ku opozita nuk ka marrë pjesë, ndërkohë që jashtë godinës së Parlamentit protestuesit përplaseshin me policinë.
Shumica ka votuar gjithashtu disa ndryshime në ligjin për administratën shtetërore dhe pr.rezolutën për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Votimet:
– Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025”.
Votimi: 71 pro, 0 abstenim, 0 kundër
– Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE Group) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë””.
Votimi: 71 pro, 0 abstenim, 0 kundër
– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore””.
Votimi: 71 pro, 0 abstenim, 0 kundër
– Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar”.
Votimi: 72 pro, 0 abstenim, 0 kundër














