Nga The Guardian
Për Ina Shkurtin, ashtu si për shumë shqiptarë të tjerë, ishulli i Sazanit ka qenë gjithmonë një vend i veçantë.
Në fëmijëri ajo lahej në ujërat e tij “të qeta dhe smerald”, në adoleshencë ishulli ishte pjesë e ëndrrave të saj, ndërsa në moshë madhore u bë një pjesë e pandashme e kujtimeve dhe nostalgjisë që e rikthenin çdo verë në Vlorë, qytetin e saj të lindjes.
Ajo që Shkurti nuk e kishte imagjinuar kurrë ishte se planet për ndërtimin e një mega-resorti në Sazan, një nga dy resortet luksoze në bregdetin jugor të Shqipërisë të mbështetura nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, do të shkaktonin një revoltë që ka tronditur vendin.
The Guardian ka ndarë disa histori si ato të Inës.
“Sazani është i vetmi ishull i Shqipërisë. Është një parajsë e vogël që zë një vend të veçantë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Që një çift i pasur të vijë, ta zhvillojë dhe më pas të na mohojë aksesin, do të ishte një krim”, thotë kartografja.
Shqipëria nuk kishte përjetuar një zemërim kaq të gjerë shoqëror, që prej rënies së komunizmit, më shumë se tre dekada më parë. Në moshën 32-vjeçare, Shkurti, familja e së cilës emigroi në Shtetet e Bashkuara kur ajo ishte 11 vjeç, përfaqëson profilin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që i janë bashkuar protestave.
Kjo lëvizje është quajtur tashmë “revolucioni i flamingove”, për shkak të rrezikut që resortet e planifikuara paraqesin për jetën e egër dhe ekosistemet e brishta të zonës.
“Kjo qeveri nuk na përfaqëson më”, shprehet ajo. “Ajo ka zgjedhur të përfaqësojë investitorë oligarkë si Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Këto protesta nuk do të ndalen, nuk kanë më të bëjnë vetëm me ta.”
Çdo ditë, tregon Ina, miq të diasporës shqiptare po kthehen në atdhe për t’iu bashkuar protestave. Në demonstratën më të madhe deri tani, mijëra njerëz u mblodhën në Tiranë gjatë fundjavës. Shumë prej tyre të ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera europiane.
Në një vend ku protestat qytetare nuk kanë qenë kurrë pjesë e fortë e kulturës politike, këto tubime, pa drejtues dhe pa ngjyra partiake, kanë befasuar si autoritetet në Tiranë, ashtu edhe Bashkimin Europian. Gjithnjë e më shumë, zemërimi i protestuesve po drejtohet ndaj të gjithë klasës politike, të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për tranzicionin e Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist.
Mes thirrjeve të përditshme për largimin e tij, kryeministri Edi Rama ka reaguar herë me nervozizëm, herë me humor, e herë me irritim. I rizgjedhur për një mandat të katërt vitin e kaluar me premtimin për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, Rama e ka cilësuar investimin prej 1.4 miliardë eurosh si vendimtar për ta kthyer vendin në destinacionin më tërheqës turistik luksoz të Mesdheut.
“Pyetja është ku do të përfundojë e gjithë kjo,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, i cili nuk përjashton mundësinë që protestuesit të kalojnë në forma më radikale të reagimit. “Qeveria duket sikur nuk do ta pranojë se të gjithë këta njerëz që kanë dalë në rrugë janë kundër saj. Kjo mungesë dialogu, kjo mungesë empatie dhe ky refuzim për të gjetur një zgjidhje është i rrezikshëm.”
Kanë kaluar tre javë që kur protestat shpërthyen, pasi mjetet e rënda nisën pastrimin e pyjeve dhe dunave për t’i hapur rrugë ndërtimit në një zonë të mbrojtur përballë Sazanit. Rezervati i Pishë Poro-Nartës, ku ndodhet një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, përfshin një pjesë të madhe të gadishullit të Zvërnecit. Laguna shërben si korridor migrimi për qindra lloje shpendësh të rrallë dhe mbi 70 specie të rrezikuara.
Tensionet u rritën pikërisht në këtë zonë, e para e planifikuar për zhvillim, kur kundërshtarët e projektit u përplasën me rojet private që kishin ngritur një gardh për të ndaluar hyrjen. Teksa protestuesit përpiqeshin të kapërcenin barrierën, një qytetar u tërhoq zvarrë nga rojet e sigurisë, me duar të lidhura. Pamjet shkaktuan indinjatë, ndërsa policia nuk ndërhyri.
Një ditë më vonë, u rishfaq një podcast ku Ivanka Trump fliste me entuziazëm për projektin dhe për “këtë gadishull të mrekullueshëm me lagunë nga njëra anë dhe det nga ana tjetër”, të cilin ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, si investitorë kryesorë, synojnë ta transformojnë.
“Është një projekt gjigant,” tha ajo për planet në Sazan, ish-bazën ushtarake të periudhës komuniste, ku peizazhi i mbuluar me fiq të egër dhe lule është ende i mbushur me ndërtesa të braktisura që dikur strehonin ushtarakët dhe familjet e tyre.
“Jo vetëm ishulli, por kemi edhe pesë milje vijë bregdetare përballë tij,” shtoi vajza e presidentit amerikan, duke iu referuar zonës ku ndodhën përplasjet e këtij muaji.
“Njerëzit u zemëruan shumë,” thotë ambientalisti Kostandin Xhaho nga Vlora. “Sazani është një monument historik. Kam miq që janë rritur në ato ndërtesa dhe si ishulli, ashtu edhe Zvërneci janë habitate të rëndësishme për flamingot, fokat murgeshë dhe breshkat detare. Ideja e një resorti me 10 mijë dhoma në gadishull shkaktoi një zëmëratë të madhe.”
Mundësia që, sipas kritikëve, “elita më e keqe globale” të ndërhynte në rezervate natyrore të një prej vendeve më të varfra të Europës, nxori në pah pakënaqësi më të gjera ndaj pabarazive dhe abuzimeve. Projekti mori miratim paraprak pasi Kuvendi ndryshoi ligjet që mbronin zonat e ndjeshme mjedisore.
Për shumë kundërshtarë të projektit, mungesa e transparencës mbetet një shqetësim madhor. Ata pretendojnë se identiteti i investitorëve fshihet pas një strukture të ndërlikuar kompanish në Holandë.
“Ne duam një Shqipëri të re,” thotë 24-vjeçarja Justina Prenga, e cila udhëtoi nga Shkodra për t’iu bashkuar protestuesve në Tiranë, ku çdo mbrëmje dëgjohen thirrjet “Rama ik” para godinës së Kryeministrisë.
“Jemi brezi Z dhe po themi ‘mjaft më’. Ky vend nuk është në shitje”. Sipas saj, zemërimi tashmë ka shkuar shumë përtej familjes Kushner.
I mbështjellë me një flamur të madh kuqezi, Lizander Saraçi, menaxher risku në një bankë private dhe baba i dy fëmijëve, është një nga shumë qytetarët e një brezi më të vjetër që i janë bashkuar protestave.
“Kanë kaluar mbi 30 vjet dhe spitalet tona vazhdojnë të jenë në gjendje të keqe, arsimi lë për të dëshiruar, nuk ka vende pune dhe të rinjtë po largohen,” thotë ai. “Njerëzit po dalin në rrugë sepse janë lodhur nga padrejtësia dhe korrupsioni. Një nga sloganet tona është ‘ndal diktaturën e parave të pista’, sepse kemi parë se projekte të tilla përfitojnë vetëm një grusht njerëzish të pasur.”
Javën e kaluar edhe Parlamenti Europian reagoi. Në një rezolutë, eurodeputetët mbështetën protestuesit dhe i kërkuan qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet në zonat e mbrojtura. Disa prej tyre dënuan veprimtarinë e “kapitalistëve grabitqarë”, të cilët kanë përfituar nga ligjet që u japin investitorëve strategjikë procedura të përshpejtuara. Brukseli e ka kritikuar prej kohësh këtë legjislacion dhe ka kërkuar ndryshimin e tij. Zyrtarët europianë paralajmërojnë se pa përputhjen e ligjeve mjedisore me standardet europiane, negociatat e anëtarësimit nuk mund të përmbyllen.
“Prisnim që Shqipëria, vetëm një vit e gjysmë larg objektivit të saj për integrim, t’i kishte përafruar tashmë këto standarde me ato të Bashkimit Europian,” deklaroi ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Megjithatë, Rama vazhdon ta mbrojë projektin. Ai ka premtuar se zhvillimi në Zvërnec do të vijojë mbi bazën e një vlerësimi mjedisor sipas standardeve të BE-së dhe e ka quajtur investimin “një bekim” për vendin, duke argumentuar se do të krijojë vende pune dhe do të shtojë sipërfaqet e gjelbra. Vitin e kaluar, Shqipëria me rreth tre milionë banorë priti afro 12 milionë turistë, të tërhequr si nga bukuritë natyrore, ashtu edhe nga kostot relativisht të ulëta.
“Pyetja është se çfarë modeli zhvillimi duam,” thotë Ina Shkurti. “A ka kuptim të ecim në këtë drejtim kur infrastruktura ekzistuese mezi përballon fluksin aktual?”
Megjithatë, projekti ka edhe mbështetësit e vet. Albert Pushka, pronar i një restoranti të ri peshku pranë Vlorës, është aq entuziast sa e ka quajtur biznesin e tij “Ivanka”.
“Shqipëria duhet të ecë përpara. Duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi. Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjnë grekët,” thotë 48-vjeçari Walter Dimraj.
Ndërsa Elpiniqi Merkuri, psikologe dhe kryetare e Këshillit Bashkiak të Vlorës, beson se resorti do të sjellë optimizëm dhe besim në të ardhmen.
“Njerëzit ndihen më të qetë dhe më optimistë kur shohin zhvillim, mundësi të reja dhe mjedise të kuruara,” thotë ajo.
Por ornitologia Ledi Selgjekaj nuk e ndan këtë optimizëm. Prej pesë vitesh ajo monitoron jetën e shpendëve në lagunë dhe thotë se pasojat ekologjike janë tashmë të dukshme.
“Kur nisi ndërtimi i aeroportit të Vlorës, pamë menjëherë ndërprerjen e korridoreve ekologjike dhe shtimin e grabitqarëve që sulmojnë faunën e lagunës,” thotë ajo.
Sipas saj, flamingot dhe foletë e tyre janë prekur veçanërisht.
“Aeroporti do të jetë një katastrofë ur të nisë funksionimin. Nëse ndërtohen edhe këto resorte, atëherë do të jetë goditja përfundimtare për ekosistemin.














