Nga Boldnews.al
Në një vendim të rrallë për praktikën e viteve të fundit, Gjykata e Lartë riktheu për gjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, e cila lidhet me dënimin e ish-prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka.
Përcaktimi “vendim i rrallë” është mëse i përshtatshëm për Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, i cili është treguar tejet bujar me hetimet dhe vendimmarrjen e prokurorisë dhe gjykatave të posaçme, edhe atëherë kur ekzistenca e provave dhe fakteve kanë qenë të dyshimta ose zbatimi i procedurës penale ka kryer kapërcime aspak normale.
Por, ajo që ishte më e rënda në çështjen “Zarka” është fakti që, nga cilësimi juridik që i kishte dhënë Gjykata e Posaçme e Apelit veprave penale të dyshuara si të kryera nga i pandehuri, ai rrezikonte që dënohej nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm për një episod korrupsioni.

Rasti “Zarka” duket se ka qenë një vijë e kuqe, e pakalueshme, një çështje, në të cilën trupa gjykuese e Apelit të Posaçëm, e drejtuar nga gjyqtari Dhimitër Lara, përmbysi tërësisht normal proceduriale dhe që rrezikonte të merrte me vete të gjithë sistemin gjyqësor.
Gafa e rëndë e Apelit të Posaçëm
Legjislacioni procedurial penal shqiptar parashikon se, në rastet kur i dënuari nga shkalla e parë bën ankim në Gjykatën e Apelit, ai, pra i pandehuri, më së paku nuk mund të dënohet më shumë, gjithnjë në rast se nuk ka bërë ankim edhe prokuroria.
Në rastin e Aurel Zarkës, ai kundërshtoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë në 25 Maj 2025, e cila e kishte dënuar me 4 vjet burgim për “korrupsionin pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, “korrupsion aktiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si edhe për 3 episode të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm” në formën e bashkëpunimit të thjeshtë, për atë që njihet si çështja “Toyota Yaris”
Procesi ndaj Zarkës ishte me gjykim të shkurtuar dhe ai u dënua përfundimisht nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë me 2 vjet e 8 muaj.
Ky vendim përmbushi pritshmëritë e SPAK-ut, ndërkohë që ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës bëri ankim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, në të cilën kërkonte pafajësi.
Por, e drejta e tij e ankimit u kthye në një problem shumë më të madh. Trupa gjykues e shkallës së dytë vlerësoi se, si prokuroria, ashtu edhe Gjykata e Posaçme e shkallës së parë, kishin vlerësuar gabim faktet dhe provat.
Në vlerësimin e trupës së drejtuar nga gjyqtari Lara, i pandehuri Aurel Zarka nuk duhej hetuar dhe gjykuar për kryerjen e veprave penale në formën e “bashkëpunimit të thjeshtë”, por në formën e posaçme të “grupit të strukturuar kriminal”, sipas parashikimeve të nenin 334/2 të Kodit Penal.

Duke vlerësuar se gjykata nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e prokurorit, Gjykata e Apelit vendosi rikthimin e çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke urdhëruar edhe saktësimin e cilësimit juridik të formës së bashkëpunimit në kryerjen e veprës penale.
Ligji penal shqiptar parashikon se krimi i kryer në formën e bashkëpunimit të thjeshtë është një rrethanë rënduese për dhënien e dënimit brenda marzheve të asaj vepre penale. Ndërkohë, kryerja e krimit në formën e posaçme të “grupit të strukturuar kriminal” i shton dënimit bazë të veprës edhe maksimumi 5 vjet të tjera burgim.
Pra, praktikisht, trupa e Apelit të Posaçëm sugjeroi shtimin e dënimit për Aurel Zarkën, megjithëse ishte vetë ky që kishte bërë ankim. Sistemi u përmbys. Por, Apeli i Posaçëm nuk është ndalur në premisën për “rëndim minimal” të dënimit. Argumentat e saj sugjeronin që Zarka duhej të dënohej më së paku 25 vjet burgim.
Rëndimi i akuzës
Gjykata e Apelit të Posaçëm, e bindur se vendimi i saj rëndonte praktimisht dënimin për të pandehurin Zarka, bëri një argumentim, i cili ngjan më shumë si përsiatje teorike, se sa e mbështetur në Kodin e Procedurës Penale.
Trupa e drejtuar nga Dhimitër Lara thotë në vendimin e 12 nëntorit 2025 se “…në të pestë faktet historike të vlerësua si penal mbi të cilët është gjendur fajtor i pandehuri z. Aurel Zarka, kanë marrë pjesë tre e më shumë persona, të cilët janë marrë vesh e kanë rënë dakord për kryerjen e një veprave penale, për të realizuar përfitime materiale apo të çfarëdo lloji. Për këtë vlerësohet të është kryer bashkëpunimi i veçantë në formën e “grupit të strukturuar kriminal”.

Gjykata e Apelit vlerëson se Zarka është “gjykuar gabimisht në tre raste në bashkëpunimit të thjeshtë si rrethanë rënduese, në vend të përcaktimit të saktë për tu gjykuar nën akuzën e krimit kompleks 3 herë “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” sipas paragrafi 2 neni 334 K.Penal”.
Paragrafi i dytë i nenit 334 të Kodit Penal, parashikon se: “2. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”.

Gjykata e Lartë nuk është treguar asnjëherë agresive me Prokurorinë dhe Gjykatat e Posaçme, edhe atëherë kur ka pasur mundësitë të normojë disa sjellje dhe qasje jo shumë normale të këtyre strukturave të reja të Reformës në Drejtësi.
Por, përballë dosjes “Zarka”, Kolegji Penal u tregua rigoroz, jo më shumë për të pandehurin, sesa për cënimin pa kthim të standardeve që i ishin bërë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Në rast se ruhej standardi i trupës së apelit të kryesuar nga Dhimitër Lara, atëherë, jo vetëm Zarka rrezikonte të merrte një dënim përtej logjikës, por krijoheshin premisat që asnjë individ të mos ushtronte të drejtën e ankimit, pasi mund të përballej me rëndimin e pozitës së vetë penale.
Gjykata e Lartë vendosi “kufirin”
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në 15 janar 2026, pranoi rekurset e Aurel Zarkës dhe Prokurorisë dhe Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur rikthimin e çështjes në Apelin e GJKKO, me një trup tjetër gjykuese.
Në vendimin e zbardhur në mesin e Prillit 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë thotë se “në thelb, trupa gjykues e Apelit ka komunikuar akuza të reja ndaj të pandehurit (Zarka)”.

Sipas gjyqtarëve të lartë, Gjykata e Apelit të Posaçëm “…ka bërë interpretim të gabuar të ligjit procedural penal – me pasojë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim – në po atë gjykatë – me tjetër trup gjykues”.
Tashmë, me zbardhjen e vendimit, rasti i Aurel Zarkës pritet të ri-shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, me përfundimin, më së paku lënien në fuqi të dënimit të shkallës së parë, por, me mundësi edhe pafajësie, siç ka argumentuar në mbrojtjen e tij ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës.














