Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka bërë thirrje për reformim të thellë të Kodit Zgjedhor, duke e cilësuar sistemin aktual si të padrejtë dhe favorizues për pushtetin.
I ftuar në Syri TV, Lapaj kujtoi se më 27 korrik 2024, në emër të 21 mijë firmëtarëve, depozitoi në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe për votën e diasporës. Sipas tij, ndërsa vota e diasporës u pranua, propozimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor u rrëzuan unanimisht nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Sipas Lapajt, mosndryshimi i sistemit zgjedhor i ka dhënë avantazh Edi Ramës.
Sipas Lapajt, reforma zgjedhore është kusht për demokratizimin e vendit, duke theksuar se pa ndryshime në sistem, pushteti aktual do të vijojë të përfitojë nga mekanizmat ekzistues. Ai e cilësoi këtë si një mision historik për të gjithë aktorët politikë në vend.
“Shiko, le t’i themi gjërat siç janë, se duke i thënë siç vërtet i mendojmë, krijohet mundësia më e madhe për të rikuperuar ato që mund të jenë paragjykime apo që mund të jenë të vërteta që duhen ndryshuar. Së pari, duhet të kujtoj që në datën 27 Korrik të vitit 2024, unë, si përfaqësues i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, në mbledhjen e 21.000 firmave të qytetarëve, kam qenë në komisionin përkatës në parlament, ku kam depozituar projektligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe për votën e diasporës. Në atë kohë, projektligji për votën e diasporës u pranua, ndërkohë që për ndryshimin e Kodit Zgjedhor u rrëzua me unanimitet të votave të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në atë komision.
Dhe ky ka qenë një gabim shumë i madh, të cilin unë ua kam thënë përfaqësuesve të PD-së aty. Madje, për hir të së vërtetës, ka qenë dhe zoti Fatmir Mediu i cili ua ka thënë. Po bëni një gabim fatal. Gabimi ishte që po i qepej sërish kostumi Edi Ramës për këtë që ndodhi në 11 maj. Kjo është e vërteta. Tani, nëse është reflektuar në këtë gabim, e gjithmonë është koha për të reflektuar, do të duhet që Partia Demokratike së bashku me të gjithë spektrin opozitar të dakordësojë për një variant të Kodit Zgjedhor, i cili, fut koalicionet parazgjedhore. Duhen koalicionet parazgjedhore, sepse ikën vota dëm. Dy, duhet që vota të njësohet në të gjithë vendin, sepse sot kemi një raport disproporcional të votës nga Kukësi deri në Konispol. Del me 7500 vota, 7600 vota deputeti në Vlorë, dhe del me 14.400-14.500 vota në Kukës. Si mundet ti ta pranosh këtë raport kur ty të shkojnë kaq shumë vota dëm në një qark, ndërkohë që tjetri e merr me kaq pak vota në një qark tjetër?
Partia Socialiste në qarkun e Vlorës me 64.000 vota ka marrë nëntë deputetë mo zotërinj, nëntë deputetë. Ndërkohë ne në qarkun e Vlorës, në gjithë Shqipërinë, me 64.000 vota të vlefshme kemi marrë një deputet. Tani, si mundet ti të shkosh në garë me një ligj të tillë elektoral? Dhe po të them, nuk është çështja vetëm jona, është çështja dhe vetë e Partisë Demokratike. Po të marrësh të gjitha qarqet dhe të shikosh, ka një dizavantazh në raport me pushtetin në të gjitha qarqet. Dhe kjo nuk mund të pranohet më, sepse kjo është që ai të merr ty në tavolinë një prim. Ta merr automatikisht. Dhe kjo duhet të ndryshohet. Dhe për të gjitha këto, ne kemi kërkuar që të reformohet Kodi Zgjedhor, për të krijuar mundësinë që asnjë votë e qytetarëve në opozitë të mos shkojë në favor të pushtetit, sepse qytetarët e japin për ta rrëzuar Edi Ramën, ndërkohë nga ana tjetër, vota përkthehet në mandate të shtuara për Edi Ramën. Dhe kjo nuk mund të vazhdojë më. Dhe po nuk e pamë kështu, ne mund të flasim sa të duam, po ai sërish si makiavelisti më i madh që ky vend ka parë, do të vazhdojë t’i shfrytëzojë në interesin e vet. Dhe ne na duhet absolutisht ta demokratizojmë Shqipërinë. Nëse ia kemi me hile njërit apo tjetrit, fiton në fund gjithmonë Edi Rama dhe vendi ngelet në vend. Na duhet të demokratizojmë Shqipërinë. Nëse Shqipëria demokratizohet përmes ligjit elektoral, do të prodhohen të gjitha kushtet për rrëzimin përmes votës të jo këtij pushteti, po çdo pushteti që abuzon me qytetarët dhe mashtron qytetarët. Dhe kjo, ky është për mua, ky është misioni historik i të gjithë atyre që merren me politikë sot.”,- u shpreh Lapaj.














