Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 26 shkurt të pranojë kërkesën e drejtuesit të SPAK, për përmbylljen e procesit të vetingut për ish-gjyqtaren Mimoza Margjeka pa një vendim përfundimtar, pas shkarkimit të saj prej Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ si pasojë e një vendimi penal të formës së prerë për korrupsion.
Sipas KPA, Margjeka nuk e gëzonte më statusin e magjistratit dhe për rrjedhojë kishte humbur qëllimi dhe objekti i procesit të vetingut ndaj saj, nga për rrjedhojë mënyra e vetme është ajo e përmbylljes pa një vendim përfundimtar.
Margjeka u shkarkua prej Komisionit më 26 shkurt të vitit 2024, ndërkohë që ndaj saj kishte filluar në janar procedimi disiplinor në KLGJ, me kërkesë të ILD-së, për shkak të dënimit penal.
Nga ana tjetër, KLGJ vendosi ta shkarkojë Margjekën më 9 prill të vitit 2024, vendimmarrje që u ankimua prej subjektit në Kolegj, por me një vendim të 9 shkurtit KPA vendosi të mos e pranojë këtë ankimim.
Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, u dënua se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh.
Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022. Mimoza Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, si dhe u caktua në provë për 3 vjet. Po ashtu, i’u hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar. /BIRN














