Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Endrit Nikën me 18 vjet burgim për vrasjen e partneres së tij, shtetase argjentinase, në Fushë-Kosovë më 2023.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, raporton Betimi për Drejtësi – medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë.
Të pranishëm në seancë ishte i pandehuri me avokatin e tij dhe mbrojtja e palës së dëmtuar.
Në maj të vitit 2025, Nika ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën për vrasje.
Rrjeti i Grave të Kosovës: Dënimi nuk është proporcional me peshën e krimit
Pas shqiptimit të aktgjykimit, Rrjeti i Grave të Kosovës tha se dënimi prej 18 vjetësh burgim “nuk është proporcional me peshën e krimit” dhe seriozitetin e rrethanave.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ky rrjet tha se kjo vrasje është me motiv gjinor – femicid, duke theksuar se vrasja e grave për shkak të gjinisë së tyre është shkelja më e rëndë e të drejtës për jetë “dhe kërkon ndëshkim maksimal”.
“Dënime të tilla rrezikojnë të normalizojnë dhunën ndaj grave dhe të dërgojnë mesazh se jeta e grave vlen më pak. Kërkojmë që gjykatat ta njohin qartë motivin gjinor dhe të aplikojnë standardet më të larta të ndëshkimit. Drejtësia duhet të jetë reale, proporcionale dhe e pamëshirshme ndaj femicidit”, u tha në reagim.
Rrjeti i Grave të Kosovës ndihmon viktimat e dhunës me bazë gjinore, duke ofruar këshillim dhe ndihmë juridike falas.
Çfarë thuhet në aktakuzën ndaj Nikës?
Aktakuza ndaj tij u ngrit në shkurt të vitit 2025. Sipas Prokurorisë, më 1 gusht të vitit 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me tashmë të ndjerën, ai e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.
Me të hyrë në dhomën e hotelit, sipas aktakuzës, Nika me dashje që ta privojë nga jeta viktimën M.K-U., kishte vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj saj duke e dërguar në qoshen e dhomës, ku ajo nuk kishte pasur mundësi të largohej.
Aktakuza thotë se më pas e kishte shtyrë viktimën, e kishte nxjerrë në kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit që gjendej në kat të gjashtë. Për shkak të rrëzimit nga lartësia, viktima nuk iu mbijetoi plagëve.
Sipas të dhënave, në Kosovë nga viti 2010 e deri më tani janë vrarë rreth 60 gra.
59 gra të vrara në 15 vjet
Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. /REL














