Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) njoftoi të mërkurën, më 14 janar, lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në seancë këshillimi të ankimit të Sterkajt ndaj vendimmarrjes së Komisionit.
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Gjyqtari i Shkodrës, Tonin Sterkaj, u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), pasi u konkludua se ai nuk arrinte një nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, si dhe se kishte cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
Tonin Sterkaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi për më shumë se dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës./BIRN














