Shkalla e regjistrimit të studentëve të huaj në universitetet amerikane ka rënë me 17% këtë vjeshtë krahasuar me vitet e mëparshme, sipas një studimi të publikuar të hënën. BBC shkruan se, rënia vjen ndërsa administrata Trump e ka bërë më të vështirë marrjen e vizave studentore, me studimin që sugjeron se problemet me aplikimet për viza, si vonesat dhe refuzimet, janë ndër arsyet kryesore për uljen e numrit të studentëve të rinj.
Anketa zbuloi një rënie modeste prej 1% në numrin total të studentëve ndërkombëtarë, duke përfshirë ata që kanë qenë në SHBA prej vitesh.
Studentët e huaj përbëjnë rreth 6% të regjistrimeve totale në SHBA dhe kanë kontribuar me 55 miliardë dollarë në ekonomi, sipas të dhënave të vitit 2024 nga Departamenti i Tregtisë. Studimi i Institutit për Arsimin Ndërkombëtar analizoi popullatën e studentëve të huaj në 828 institucione të arsimit të lartë.
“Ka shenja paralajmëruese për vitet e ardhshme dhe jam vërtet i shqetësuar për atë që kjo nënkupton për vjeshtën e ’26 dhe ’27”, tha Clay Harmon, drejtor ekzekutiv i AIRC: Shoqata për Menaxhimin e Regjistrimeve Ndërkombëtare, për Associated Press.
Rënia prej 17% e studentëve të rinj është më e ulët se parashikimi i bërë gjatë verës nga NAFSA, një organizatë jofitimprurëse e edukatorëve ndërkombëtarë, e cila kishte vlerësuar një rënie të mundshme prej 30%-40% këtë vjeshtë për shkak të problemeve me vizat.
Rreth 84% e universiteteve i thanë Institutit për Arsimin Ndërkombëtar se e konsiderojnë rekrutimin e studentëve të huaj si prioritet.
Shumë shkolla thanë se po ofrojnë fleksibilitet për studentët që janë përballur me pengesa në nisjen e studimeve në SHBA, duke përfshirë shtyrjet e regjistrimit, të cilat panë një rritje prej 39% krahasuar me anketën e vitit 2024.
Institucionet amerikane i thanë studiuesve të raportit se ka disa faktorë që po ndikojnë në rënien e numrit të studentëve të rinj, përfshirë problemet me vizat, kufizimet e udhëtimit që prekin rreth 2% të popullatës së studentëve të huaj, dhe disa “shqetësime të studentëve për ndjenjën e mospranimit në Shtetet e Bashkuara”.
Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë disa hapa që kanë kufizuar numrin e studentëve të huaj, shumica e të cilëve paguajnë tarifa më të larta shkollimi.
Më herët këtë vit, administrata Trump pezulloi caktimin e takimeve për viza për studentët ndërkombëtarë. Në qershor, kur ato rifilluan, administrata njoftoi se do të kontrollonte më rreptësisht aplikimet për viza, duke përfshirë kërkesën që aplikantët të lejojnë verifikimin e llogarive të tyre në rrjetet sociale.
Kjo politikë erdhi pas protestave të mëdha pro-Palestinë në shumë kampuse universitare.
Para kësaj, Departamenti i Shtetit anuloi më shumë se 6,000 viza studentore ndërkombëtare për shkak të shkeljeve të ligjit amerikan, përfshirë sulme fizike, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit (DUI), dhe “mbështetje për terrorizmin”.
Presidenti Donald Trump ka pranuar rëndësinë e studentëve të huaj për ekonominë dhe si burim të ardhurash për arsimin e lartë.
Në shtator, ai tha se planifikon të lëshojë 600 mijë viza për studentët kinezë, rreth dyfishi i numrit aktual, pavarësisht shqetësimeve nga disa prej mbështetësve të tij për sigurinë kombëtare.
“E dini, studentët paguajnë më shumë se dyfish kur vijnë nga shumica e vendeve të huaja. Dua të shoh sistemin tonë arsimor të lulëzojë. Dhe nuk është se i dua ata, por e shoh si një biznes”, tha Trump në Fox News javën e kaluar.














