Djali i 48 vjeçares, Gentiana Nano, e cila ka ndërruar jetë ditën e sotme në banesë, në lagjen 15 të qytetit të Korçës ka akuzuar mjekët për neglizhencë.
Në një prononcim për mediat, ai thotë se nëna e tij u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më parë pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje, ndërsa është trajtuar në shërbimin e urgjencës dhe është dërguar më pas në shtëpi.
Ditën e nesërme, përsëri nuk është ndjerë mirë dhe familjarët kanë njoftuar ambulancën dhe mjekët pasi i kanë bërë disa injeksione e kanë dërguar sërish në shtëpi.
Erdiol Nano, akuzon mjekët se këta të fundit nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për nënën e tij dhe i kanë larguar nga spitali ndërkohë që nëna e tij nuk ndjehej mirë.
“Mami thoshte që nuk jam mirë, e ndjej veten të lodhur dhe kam rrahje të larta të zemrës. Nuk ishte mirë dhe tha do vemë në spital. E çuam, ju bënë kontrollet, i thanë që kishte anemin, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte që nuk ndihem mirë por doktorët s’na thanë asgjë dhe e nxorrën. Si mundet të lesh një njeri të largohet kur ai të thotë nuk ndihem mirë?
Ditën tjetër përsëri tha që s’jam mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë që e ka tensionin e ulët, rrahjet e zemrës të larta dhe i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës mami ankohej sërish që nuk ishte mirë. Sot në mëngjes u ngrit, mori për të ngrenë dhe ishte në dhomën e saj. Gjyshi më tha hajde foli mamit se spo na përgjigjet. U ngrita dhe shkova atje, e pashë të shtrirë, e kuptova që kishte ndërruar jetë.
Dua të di përse mjekët nuk na thanë çfarë duhet të bënim? Pse nuk e lanë në spital por e nxorrën? Si e lanë të ikte nga spitali në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund ti ndodhë dikujt tjetër”,- është shprehur djali.














