Ndërsa dimri afron, kërkesa për ngrohje po rritet në të gjithë kontinentin. Por kostoja e mbajtjes së shtëpive të ngrohta nuk është më e njëjtë. Pushtimi rus i Ukrainës vazhdon të hedhë një hije të gjatë mbi tregjet europiane të energjisë, ndërsa diferencat në politikat kombëtare, përzierjet energjetike dhe sistemet e tarifimit kanë zgjeruar hendekun mes vendeve më të lira dhe më të shtrenjta.
Energjia elektrike më e lirë në Turqi, më e shtrenjta në Gjermani
Energjia elektrike për familjet (2025)

Në gjysmën e parë të vitit 2025, çmimet e energjisë elektrike për familjarët varionin nga 6.2 euro për 100 kWh në Turqi deri në 38.4 euro në Gjermani, sipas të dhënave të Eurostat. Mesatarja për 38 vendet europiane, anëtare të BE-së, vende kandidate dhe shtete të EFTA-s, ishte 28.7 euro.
Europa Perëndimore regjistroi çmimet më të larta nominale, ku Belgjika (35.7 euro) dhe Danimarka (34.9 euro) ishin menjëherë pas Gjermanisë. Çmimet gjithashtu i kaluan 30 euro në Itali, Irlandë dhe Çeki.
Në të kundërt, shumica e vendeve të Europës Lindore dhe shtetet kandidate të BE-së raportuan çmime dukshëm më të ulëta.
Energjia elektrike kushtonte më pak se 10 euro për 100 kWh në Turqi, Gjeorgji, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Ndër vendet e BE-së, Hungaria (10.4 euro) regjistroi çmimin më të ulët të energjisë elektrike, ndërsa Spanja (26.1 euro) dhe Franca (26.6 euro) mbetën nën mesataren e BE-së.
Ekspertët e konsulencës VaasaETT thanë se diferencat pasqyrojnë faktorë si kombinimi kombëtar i prodhimit të energjisë, strategjitë e furnitorëve, subvencionet e kryqëzuara dhe struktura tarifore.
Ekspertët nga VaasaETT shpjeguan se diferencat në çmimet nominale të energjisë elektrike për familjarët burojnë nga disa faktorë specifikë të tregut. Këtu përfshihen ndryshimet në përbërjen e prodhimit të energjisë, mënyrat e prokurimit dhe strategjitë e çmimeve të furnitorëve, subvencionimi i kryqëzuar dhe struktura e tarifave.
Fuqia blerëse ngushton hendekun e çmimeve
Kur çmimet rregullohen sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS), një masë që merr parasysh të ardhurat vendore dhe koston e jetesës, hendeku midis vendeve zvogëlohet.
Një euro nuk ka të njëjtën vlerë në gjithë Europën: 1,000 euro mund të mbulojnë qiranë e një muaji në Gjermani, por dy ose tre muaj në Bullgari. Ndaj, megjithëse të ardhurat në euro duken më të ulëta, përshtatja me nivelin real të çmimeve e ngushton hendekun.
Sa i përket çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit, ato variojnë nga 12.8 PPS në Islandë deri në 39.2 PPS në Çeki, e ndjekur nga Polonia (35 PPS). Italia dhe Gjermania renditen gjithashtu në pesëshen e vendeve me çmime më të larta, secila mbi 34 PPS.
Në skajin tjetër ishin Malta (13.7 PPS), Turqia (14 PPS) dhe Hungaria (15 PPS). Vendet nordike, veçanërisht Norvegjia (16 PPS) dhe Finlanda (18.7 PPS), kanë energji elektrike më të lirë pas rregullimit, ndërsa Suedia mbetet nën mesataren e BE-së prej 28.6 PPS.
Çmimet e energjisë elektrike mbetën relativisht të qëndrueshme në shumë vende, me ndryshime më të vogla se 10% mes gjysmës së parë të 2024 dhe asaj të 2025. Megjithatë, disa vende panë luhatje të forta në monedhat kombëtare. Moldavia dhe Turqia u veçuan me rritje mbi 50%.
Brenda BE-së, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan rritje të konsiderueshme mbi 25%. Nga ana tjetër, Sllovenia, Finlanda dhe Qipro patën rëniet më të mëdha, secila mbi 9% në terma absolutë.
Në Shqipëri, çmimi i energjisë elektrike për familjarët në gjysmën e parë të vitit 2025 ishte 11.6 euro për 100 kWh, ndjeshëm më poshtë se mesatarja e BE-së prej 28.7 euro, duke e renditur vendin ndër më të lirët në Europë në terma nominalë.
Megjithatë, kur çmimet rregullohen sipas fuqisë blerëse (PPS), panorama ndryshon: Shqipëria arrin në 18.3 PPS, ende më e ulët se mesatarja e BE-së prej 28.6 PPS, por dukshëm më e lartë se vendet fqinje me kosto të ulëta të energjisë si Turqia (14 PPS), Hungaria (15 PPS) apo Mali i Zi e Kosova, të cilat gjithashtu mbeten nën nivelin shqiptar.
Kjo tregon se, ndonëse energjia elektrike në Shqipëri kushton më pak në euro, fuqia e kufizuar blerëse e familjeve shqiptare e ngushton avantazhin nominal, duke e bërë faturën e energjisë relativisht më të rëndë në krahasim me vendet e tjera të rajonit.
Çmimet e gazit: Suedia më e shtrenjta, Gjeorgjia më e lirë
Çmimet familjare të gazit natyror ndryshuan ndjeshëm në të gjithë Europën në gjysmën e parë të 2025. Suedia regjistroi çmimin më të lartë me 21.30 euro për 100 kWh, e ndjekur nga Holanda (16.2 euro) dhe Danimarka (13.1 euro). Mesatarja e BE-së ishte 11.4 euro.
Në kontrast, Hungaria (3.07 euro), Kroacia (4.61 euro) dhe Rumania (5.59 euro) patën çmimet më të ulëta në BE.
Duke përfshirë vendet e tjera me të dhëna të disponueshme, Gjeorgjia kishte çmimin më të ulët, vetëm 1.7 euro, e ndjekur nga Turqia (2.1 euro).
Ndër ekonomitë më të mëdha të BE-së, Franca (13 euro) ishte më e shtrenjta, e ndjekur nga Italia (12.4 euro) dhe Gjermania (12.2 euro). Spanja (8.6 euro) mbeti më e lirë se të treja të tjerat.
Sipas ekspertëve të VaasaETT, faktorë si strategjitë e ndryshme të prokurimit dhe çmimeve, nivelet e magazinimit, temperatura dhe kushtet e motit, ndërthurja me tregjet e tjera, subvencionimi i kryqëzuar dhe kombinimet tarifore luajnë rol të rëndësishëm në diferencat e çmimeve të gazit.
Çmimet e gazit të rregulluara me PPS tregojnë një realitet tjetër
Kur çmimet korrigjohen sipas fuqisë blerëse, Suedia mbetet në krye me 17.6 PPS, ndërsa Hungaria regjistron nivelin më të ulët brenda BE-së me 4.4 PPS.
Maqedonia e Veriut u veçua si përjashtim, me 24.1 PPS, pavarësisht një çmimi nominal relativisht të moderuar prej 12.2 euro.
Në terma vjetorë, çmimet familjare të gazit në gjysmën e parë të 2025 u rritën më shumë, në monedhat kombëtare, në Turqi (28.2%), Maqedoninë e Veriut (26%), Estoni (23.9%), Bullgari (23.6%) dhe Suedi (20.9%).
Çmimet ranë në mënyrë të theksuar në disa vende, me Slloveninë (12.7%), Austrinë (11.5%) dhe Çekinë (10.9%) që regjistruan rënie mbi 10% në terma absolutë./MONITOR














