Policia ka arrestuar një 43-vjeçar në Lezhë, i cili dyshohet se ktheu lokalin e tij në një laborator droge.
Gjatë përpjekjes për t’u arratisur, ai hodhi një çantë me lëndë narkotike në lumin Drin, por u kap nga shërbimet e Policisë.
Kontrollet zbuluan doza me kanabis të gatshme për shitje brenda çantës, si dhe qindra doza të tjera të fshehura në lokalin e marrë me qira.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shëtitorja”.
Në kuadër të operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., alias K. Sh., 43 vjeç, banues në Lezh Ky shtetas, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me biçikletë dhe ka hedhur çantën e dorës në lumin Drin.
Pas disa minutash kërkime, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e çantës dhe kapjen e 43-vjeçarit.”, njofton policia.














