Banorët e fshatit Çërravë në Pogradec zhvilluan sot një protestë duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarit të tyre, Kevin Muçollari, i arrestuar pas një incidenti të ndodhur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Sipas banorëve, ngjarja është pasojë e një provokimi gjatë mbledhjes, ku u diskutua çështja e tokave të fshatit Çërravë.
Ata e konsiderojnë reagimin e këshilltarit bashkiak të padrejtë dhe theksojnë se incidenti nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të kishte pasur provokim.
Protestuesit shprehen se Muçollari ka vepruar në mbrojtje të interesave të banorëve dhe se arrestimi i tij është i padrejtë e me prapavijë politike.
Sipas tyre, qëllimi i protestës është jo vetëm lirimi i tij, por edhe mbrojtja e tokave të fshatit nga projektet për vendosjen e paneleve diellore, të cilat, sipas banorëve, rrezikojnë aktivitetin bujqësor dhe jetesën e komunitetit.
Në mbështetje të protestuesve është shprehur edhe këshilltari i pavarur Arbër Male, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Muçollarit dhe ka theksuar se ai ishte në mbrojtje të të drejtave të banorëve të Çërravës.
Ai dhe komuniteti janë shprehur të vendosur të vazhdojnë protestat deri në zgjidhjen e çështjes.














