Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ka folur këtë të hënë në lidhje me debatet mbi ligjin e barazisë gjinore që u kalua pak ditë më parë në Kuvend me votat e mazhorancës.
Në një dalje për mediat, Suard theksoi se respektimi i të drejtave të njeriut dhe barazisë është një vlerë thelbësore e Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se mbi këtë ligj nuk ka direktivë të posaçme të BE-së.
“Ajo që mund të them është se të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi kundrejt çdo lloj njeriu apo popullsie dhe barazia e gjinive janë vlera themelore të Bashkimit Europian. Nuk ka një direktivë të posaçme të BE-së, por të gjitha tekstet mbrojnë të drejtat njerëzore dhe mungesën e diskriminimit. Kjo është zemra e drejtësisë në BE dhe e diplomacisë franceze gjithashtu,” -u shpreh Suard.














