• Kontakt
Wednesday, November 5, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Tendera të dyshimtë/ Ku përfundojnë mbetjet spitalore? Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan një nga aktorët kryesorë

22:19 : 05/11/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Në çdo spital të vendit, çdo ditë prodhohen mbetje spitalore. Nëse ato nuk trajtohen sipas standardeve, kthehen burim sëmundjesh për popullatën. Shpesh, në koshat urbanë shohim mbetje spitalore si: garza me gjak, shiringa, substanca toksike, por edhe medikamente, antibiotikë, shurupë e vitamina.

Fëmijë dhe të rritur, të cilët kërkojnë në koshat e mbetjeve për kanaçe alumini, shishe plastike apo qelqi i hasin këto mbetje. Në këto pamje, shihni teksa gjenden sasi të mëdha mbetjesh farmaceutike të hedhura në koshat urbanë. Njerëzit bien në kontakt pa e ditur rrezikun që u kanoset në shëndetin e tyre.

“Shumë nga mbetjet spitalore apo farmaceutike shkëputen nga ky trajtim pra ose hidhen sëbashku me mbetjet urbane apo hidhen në mjedise të tjera të cilat nuk përfundojnë në trajtimin e specializuar të tyre”, tha Mihallaq Qirjo, Ambjentalist, drejtues i “Rec Albania”.

“Në mënyrë të menjëhershme bëhen të aksesueshëm nga persona të cilët nuk e kanë kualifikimin e duhur nuk e kanë kulturën e duhur të përdorimit të barnave mund të jenë persona të papërgjegjshëm”, tha Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

“Mbetjet spitalore në mjedis kanë ndikim mjaft negativ jo vetëm për mjedisin por edhe për shëndetin e njeriut duke kaluar në mjedis ato mund të ndosin ujërat”, tha Mihallaq Qirjo, Ambjentalist, drejtues i “Rec Albania”.
Këto kosha ndodhen në rrugën kryesore që shkon në Spitalin e Traumës, sapo kalon kryqëzimin e Laprakës. Pranë tyre ndodhet një shkollë.

Lexo edhe:

Gjokutaj: SPAK po mbron Ballukun me akuza të buta për të mbajtur qeverinë në pushtet

Kush do e qëllojë Ramën në blindin 600 milionë?!

Në këtë zone operojnë mjaft subjekte farmaceutike. Nga mënyra se si janë paketuar dhe mbështjellë medikamentet, si dhe sasia e tyre mjaft e madhe, të bën të kuptosh se i ka hedhur një farmaci. Rrezikshmëria për banorët mbetet e madhe. Rruga që ndjekin këto medikamente nuk është ajo që përcakton ligji, por trajtohen me mbetjet urbane. Kjo sjell pasoja në mjedis dhe shëndet.

“Po të bëjmë një investigim të plotë të të gjitha spitaleve të republikës të spitaleve private të klinikave private të klinikave stomatologjike të depove farmaceutike jemi në një situatë alarmi të jashtëzakonshëm, të tmerrshëm sepse ndotja e tyre është maksimale”, tha Besnik Jakaj, Mjek nefrolog.

“Në nëse jemi duke hedhur në natyrë në mjedis disa mbetje spitalore apo barna të skaduara thjesht po kryejmë procesin e vetehelmimit”, tha Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

“Në kohë të gjatë kemi ndotje të tokës dhe bimësisë për shkak të hedhjes së barnave produkteve imunoogjike, të mbetjeve spitalore të produkteve të gjakut e të gjitha këto me radhë. Sigurisht këto kanë një kosto për strukturat private për ti eliminuar sipas protokolleve për të shmangur dhe kostot por edhe duke mos i dhënë rëndësi ne po shkojmë drejt shkatërrimit të shëndetit public”, tha Besnik Jakaj, Mjek nefrolog.

Prezenca e grupit të xhirimit i zuri disi në befasi këta fëmijë. Mjaftueshëm të shqetësuar të kuptonin se ato që mbanin nëpër duar, nuk ishin normale. Ata, kërkuan të mos i filmonim. Por, na pohuan se kjo ngarkesë e madhe barnash, ishte vetëm një prej mjaft episodeve.

Fëmijët na pohuan se kanë mbledhur disa herë paketime me sasi të mëdha barnash të hedhura. Pyetja shqetësuese që mbeti pa përgjigje ishte se ku i çojnë ato paketime që mund të kthehen në rrezik për ata vetë dhe popullatën. Madje, nuk përjashtohet që këto barna të mbledhura nëpër kosha, të rihidhen në treg, për sa kohë data e skadencës është vetëm në ambalazhet e jashtme. Kjo është një çështje që duhet marrë seriozisht dhe të hetohet nga autoritetet.

Ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme spitalore

Për të kuptuar abuzimin me mbetjet e rrezikshme spitalore, mjafton të ndjekësh rutinën e përditshme pranë koshave në qendrat spitalore.

Intervista:

Qytetari: Kam parë mbetje spitalore shumë here. Vigonë, shiringa po jam shpuar.

Gazetarja: Nuk ke frikë.

Qytetari: Më përpara, por tani jo.

Gazetarja: Pse.

Qytetari: Ka kush më kuron.

Gazetarja: Sot ke parë?

Qytetari: Jo, e pashë por sa e pashë ika.

Gazetarja: Pse?

“Ka risk jo vetëm fizik pra prerje shpime e me radhë, kanë dhe risk kimik se ka edhe materiale kimike brenda medikamente ka risk biologjik pasi ka patologji infektive ka materiale biologjike që hiqen gjatë interventeve me radhë ka risk radioaktiv se ka edhe materiale të cila kanë potencial radioaktiv dhe me radhë”, tha mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti.

Prania e kamerës frikësoi ata njerëz të pamundur që nxjerrin bukën e gojës duke rrëmuar nëpër koshat urbanë. Ata, e dinë mirë se dikush ka abuzuar që i ka hedhur në ato kosha mbetjet e rrezikshme.

Mbetjet përmbajnë baktere, viruse, materiale që mund të përhapin sëmundje vdekjeprurëse. Ata rrëfejnë se kanë gjetur mbetje kirurgjikale, mbetje indesh njerëzore nga sallat e operacioneve, kimikate.

Qytetari: Ju nuk bëni mirë kështu, edhe ju edhe Policia e Shtetit. Vini këtu më drejtohesh mua…

Gazetarja: Pse?

Qytetari: Ata që kanë atë aty janë të tërë mafiozë, vijnë e më vrasin mua dhe nuk ke çfarë i bën. Ku e di ti që ai nuk e merr vesh që nuk ti kam thënë unë ty këto? Edhe policia e shtetit thotë hajde denonco, po çfarë të denoncoj unë, ai të vret, të vret ty e jo mua. Ti çfarë pune bën? Kape shkopin vetë dhe kontrollo, po të doli mirë. Ja dil këtu ti një ditë të tërë nga mëngjesi deri në darkë dhe do ta shikosh do ta gjesh qeskën apo jo… Jo qese, por plasmas të zi e ke, dhe kam çarë disa herë duart. Gjeje, po nuk e gjete mua më rrahin ata, më vrasin po të them.

Ky bashkëbisedim është zhvilluar pranë koshave të mbetjeve urbane që ndodhen përballë urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare Tiranë. Qytetari rrëfen çfarë ka parë, por edhe frikën që i kanoset nëse tregon për median apo persona të tjerë.

“Të kenë kontakt me mbetjen spitalore pra të kontaminohen dhe krijohet ai që thamë rreziku i menjëhershëm për shëndetin e këtyre personave që kanë kontakt të drejtpërdrejte me këto mbetje”, tha Kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Dëfrim Goma.

“Ato në fakt duhen zhdukur brenda ditës sepse të jemi shumë të qartë 4-5 ditë janë shumë për mbetje biologjike. provoni ju të lini diçka jashtë frigoriferit 4-5 ditë me këto temperatura për të kuptuar se çfarë i ndodh”, tha mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti.

Ekzistojnë dy forma të mbetjeve që prodhohen brenda sektorit shëndetësor, mbetjet e rrezikshme dhe ato jo të rrezikshme. Të rrezikshmet përfshijnë mbetjet e mprehta, ato laboratorike, indet njerëzore, indet shtazore si dhe ato citostatike, farmaceutike, kimike apo radioaktive.

Punonjës u sëmurën pasi materialet e rrezikshme ishin brenda institucionit, shumica e autoklavave jashtë funksioni

Metodat më të zakonshme të trajtimit të mbetjeve spitalore të rrezikshme janë nëpërmjet incinerimit dhe autoklavimit me avull.

Mbetjet e rrezikshme përpara se të trajtohen, hidhen dhe ruhen në kontejnerë, si dhe në magazina të veçanta, ku mbahen për një periudhë të përkohshme, para se ato të trajtohen. Por, praktikat në shumë raste janë larg standardeve. Transporti është i pasigurt. Përfundimi i shumë prej këtyre mbetjeve është në lumenj.

“Ky si shërbim është bërë më parë nga vet strukturat shtetërore, nuk ka qenë fare sektori privat i përfshirë në të, u tha që do të merrej privati me këtë për dy aspekte, njëri për investimin në pajisje që në fakt e kemi blerë vetë me para publike dhe e dyta për trajnimi e mundshëm që do të kenë ky personel, ne e kishim personelin që merrej me atë punë”, tha mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti.

Aktualisht në vendin tonë janë 10 autoklava të cilat janë vendosur në punë prej shumë vitesh. Më e vjetra është e vendosur në Kukës që prej vitit 1974, ndërsa të tjerat kanë 14-20 vite që janë në gjendje pune.

“Sipas të dhënave të MSHMS janë jofunksionale 5 autoklava dhe 1 incenerator për djegien e mbetjeve të rrezikshme i cili ndodhet në Spitalin rajonal Durrës”, thuhet në auditimin e KLSH.

“Këtu kemi problem të madh me incenerimin por edhe me autoklavat po i kemi problematike dhe që nuk po na funksionojnë ka periudha kohore që nuk funksionojnë”, tha Alimehmeti.

Gjysma e autoklavave janë jashtë funksioni sipas KLSH dhe ato 5 që janë në gjendje pune janë tepër të vjetra. Një situatë të vështirë kaloi QSUT përgjatë gjysmës së parë të vitit 2025 teksa malet e mbetjeve spitalore u grumbulluan në një hapësirë të jashtme.

Autoklava ishte jashtë funksioni dhe kompania private e mirëmbajtjes, nuk shprehu interes për rinovim pas përfundimit të afatit. Peshën kryesore nëprodhimin e mbetjeve spitalore e zënë 3 spitalet në Tiranë, QSUT, Spitali “Shefqet Ndroqi” e më pas Spitali i Traumës. Spitali i Traumës në një përgjigje zyrtare për Inside Story tha se për trajtimin e mbetjeve ka një kontratë me afat 48 muaj me Eco Riciklim SHPK.

“Operatori ekonomik ka siguruar furnizimin me bazën materiale te nevojshme për realizimin e ndarjes ne burim dhe magazinimin provizor te mbetjeve spitalore deri në tërheqjen e tyre, sipas kërkesave për secilin kod të mbetjeve spitalore”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Traumës.

Në sqarimin e dhënë thuhet se trajtimi i mbetjeve realizohet në impiantin e kompanisë private. Spitali Shefqet Ndroqi i tha Inside Story se për trajtimin e mbetjeve janë kontraktuar bashkimi i operatorëve VALE Recycling dhe Eco Riciklim. Spitalet kryesore, pra ato që gjenerojnë më shumë mbetje kanë kontraktuar kryesisht këto dy kompani për menaxhimin, ndërsa spitalet e tjera rajonale gjenerojnë më pak mbetje spitalore.

KLSH auditoi 4 spitale rajonale Shkodër, Durrës, Korçë dhe Vlorë për vitet 2020-2023. Në shumicën e rasteve, dokumentacioni mbi menaxhimin e mbetjeve spitalore ishte problematik. Kontratat e lidhura nga spitalet me operatorë ekonomikë kanë ndryshime të mëdha çmimesh edhe me të njëjtët operatorë, duke treguar mungesë reference të konsoliduar për fondet limite të prokurimeve.

Në Shkodër, ambienti i autoklavës ishte shumë afër me koshat e mbetjeve urbane, dhe frigoriferi ishte jashtë godinës, duke rritur rrezikun gjatë transportit. Inside Story gjeti në koshat urbanë përballë spitalit garza të gjakosura dhe materiale të tjera të cilat janë përdorur në spital, çka tregon se mbetjet spitalore janë hedhur në koshat urbanë.

Në një përfundim të tillë kishte arritur më herët edhe KLSH gjatë periudhës që është bërë auditimi. Kjo tregon se nuk është marrë asnjë masë nga Spitali edhe pas rekomandimeve.

“U konstatua se qeset e mbetjeve spitalore gjatë vëzhgimit u hodhën në koshin e mbetjeve urbane (kosh i cili ndodhet në afërsi të ambienteve të autoklavës)”, thuhet në raportin e KLSH.

Në Korçë, autoklava dhe frigoriferi janë në të njëjtin ambient me kaldajën e spitalit, ku temperaturat janë të larta, çka favorizon përhapjen e infeksioneve.

Për të kuptuar rrezikun që vjen nga mbetjet spitalore, Besnik Jakaj, ndau me Inside Story një histori personale nga koha kur drejtonte Institutin e Shëndetit Publik. Ai konstatoi një përhapje të tumoreve te punonjësit, që duke analizuar statistikat, ishte tepër i lartë.

“2007-2008 unë kam qenë drejtor i ISHP dhe rastësisht nga disa punonjës që kishte disa probleme, pra disa femra kishin kaluar tumor dhe ishin me tumor dhe marr vesh që bodrumet e ISHP kishte mbetje të produkteve imunobiologjike të prodhimit të vaksinave që në vitet 1960-1970”, tha mjeku nefrolog dhe ish drejtor i ISHP, Besnik Jakaj.

Kontradikta mes institucioneve

Raporti i Gjendjes në Mjedis për vitin 2022, i përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se janë krijuar, përpunuar apo transferuar rreth 18 mijë ton mbetje të rrezikshme.

Nga këto, rreth 1 mije e 248 ton janë regjistruar si mbetje spitalore. Një vit më herët, pra në 2021 janë regjistruar 933 ton mbetje të rrezikshme spitalore. Ajo që bën përshtypje janë të dhënat zyrtare për vitin 2023 që janë servirur nga Agjencia e Mjedisit pas një kërkese të Inside Story.

Thuhet se janë gjeneruar plot 48 mijë ton mbetje të rrezikshme në total. Pra, më tepër se 2-fishi i vitit pararendës.

“Sasinë më të madhe të mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë e zë kodi i mbetjeve spitalore të cilat trajtohen në autoklavë apo incenerator specifik për mbetje spitalore”.

Pra, nga 48 mijë ton mbetje të rrezikshme në vitin 2023, AKM sqaron se shumicën e zënë mbetjet spitalore. Por, raportimet e kompanive që i trajtojnë zbulojnë një firo të madhe rrugës. Pra, ato nuk dihet ku shkojnë.

Thënë më thjesht, ato hidhen në mjedis. Në parkun industrial të Rrashbullit, në subjektin privat të licensuar për mbetjet e rrezikshme spitalore, shkon një sasi shumë e vogël në raport me atë që prodhohet sipas administratorit të kompanisë.

“Unë di që kaq pak sa vjen këtu është 1/11 mungojnë shumë, në Shqipëri nuk ka një landfill tjetër që të merret me disiplinimin e mbetjeve spitalore që quhen të rrezikshme. këtu duhet parë, kush e shikon, se di”, thotë juristi Selim Bregu, operator privat në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

“Ka shumë artikuj shkencorë të përgatitur edhe nga studiues shqiptarë të cilët shohin në ujërat e lumenjve Ishëm, Erzen sasi të mëdha të medikamenteve të tilla si ibuprofeni betabllokues antibiotikë të cilët ndikojnë në cilësinë e këtyre ujërave, ndikimi mund të jetë toksik mbi gjallesat”, thotë Mihallaq Qirjo, Ambientalist nga “Rec Albania”.

Abuzimet me hedhjen e mbetjeve të rrezikshme në mjedis janë së fundi edhe në lupën e SPAK. Koj konfirmohet nga subjektet private që informojnë rreth verifikimeve që po kryhen.

“Mua më kanë ardhur nga organet e prokurorisë kërkesa edhe nga SPAK edhe nga prokuroria e Durrësit se cilat janë kompanitë që mund të sjellin që janë potencial dhe unë i kam dhënë data-bazën që kam”, tha Selim Bregu, subjekt në trajtimin e mbetjeve.

Për të analizuar gjurmueshmërinë e këtyre mbetjeve, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Doganave. Në përgjigje të saj, ky institucion tha se pas verifikimeve nuk rezulton që të ketë dalje nga Shqipëria të mbetjeve të rrezikshme.

“Pas verifikimeve ne sistemin doganor, duke përdorur përpunimet kampion “mbetje” rezulton se NMK parashikon ‘Mbetjet Klinike’ të klasifikohen në kodin 382-530-00, por nuk ka as importe dhe as eksporte me këtë kod tarifor”, thuhet nga dogana.

Inside Story kërkoi informacion nga POLYECO ALBANIA SH.P. K e cila ka degë në Shqipëri, por qendrën e saj e ka në Greqi. Kjo kompani tha se nuk trajton snjë mbetje në Shqipëri por të gjitha i dërgon në Greqi. Por, në kushtet kur asnjë e dhënë e tillë nuk rezulton në dogana, çfarë ka ndodhur në të vërtetë me mbetjet dhe ku kanë shkuar ato?

“Polyeco Albania nuk trajton asnjë mbetje brenda territorit të Shqipërisë. Aktiviteti ynë konsiston ekskluzivisht në grumbullimin dhe eksportin e mbetjeve industriate të rrezikshme dhe jo te rreziksheme jashtë vendit, drejt impianteve të autorizuara në Bashkimin Evropian, për trajtim të mëtejshëm. Shumica e mbetjeve dërgohen në kompaninë mëmë Polyeco SA (Greqi), e cila zotëron kapacitete dhe licenca për trajtimin të mbetjeve të tilla”, thuhet nga subjekti privat Polyeco.

Kompania tha se sasia e mbetjeve të rrezikshme të eksportua ku përfshihen edhe ato industriale në 5 vitet e fundit nuk i kalon 350 ton në total. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në përgjigje të kërkesës së Inside Story tha se janë regjistruar gjatë 5 viteve të fundit 5 procedime penale për mbetjet spitalore. Por ajo çka është e çuditshme është fakti se janë proceduar si të dyshuar vetë spitalet.

“Gjatë 5 viteve të fundit janë regjistruar 5 procedime penale për mbetjet spitalore, konkretisht: 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 rast pa autor. Të proceduar, si të dyshuar nga veprimet fillestare, janë spitalet”, sqaron Policia.

Burime për Inside Story, bëjnë me dije se ka subjekte të ndryshme të cilat iu kërkojnë subjekteve të tjera të licencuara që të nënshkruajnë kontrata fiktive trajtimi për provë ndaj institucioneve. Kjo tregon se edhe kontratat e dërguara në subjektet që janë pjesë e zinxhirit të trajtimit të mbetjeve duhet të merren me rezerva dhe të hetohen plotësisht.

Ky nuk është vetëm një proces ku shteti humbet para. Në plan afatgjatë ndot mjedisin, kontaminohen ujërat, dëmet kthehen tek qytetarët nëpërmjet bimëve, apo formave të tjera. Po ashtu, rrit prezencën bakteriale. Një kambanë alarmi e ngritur edhe nga OBSH.

Tendera të dyshimtë dhe abuzime, kush janë aktorët që kontrollojnë miliona euro të mbetjeve spitalore

Në Shqipëri, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, 16 kompani kanë leje mjedisore për trajtimin ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Megjithatë, vetëm katër prej tyre fitojnë rregullisht tendera nga spitalet kryesore: Eco Riciklim, V.A.L.E Recycling, Medi‑Tel, dhe Pura Medical. Referuar të transaksioneve në thesar për periudhën kohore 2019 -2025 kompania Eko Riciklim ka përfituar rreth 614 milionë lekë të rinj për menaxhimin e mbetjeve spitalore, ose rreth 6 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se spitale të ndryshme në vend e kanë kontraktuar këtë kompani duke përfshirë Spitalin e Traumës, klinika stomatologjike por edhe degë të kujdesit shëndetësor parësor.

Numrin më të madh të tenderave, 13 të tillë, kjo kompani i ka përfituar nga Qendra Spitalore “Xhafer Kongoli” në Elbasan, 10 tendera ka marrë nga spitali i traumës, 9 nga Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Tiranë dhe 8 nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Më tej renditen spitalet Rajonale në vend.

“Alarmi i parë është, fshati që duket nuk do kallauzë në momentin që ne kemi parë se si pirgje të mëdha mbetjesh spitalore duken përtej mureve, pra kanë kapërcyer lartësinë e mureve mund ti shohim me sy të lirë dhe nuk asgjësohen problemi është madhor”, thotë mjeku infeksionist, Ilir Alimehmeti.

Nëse i referohemi të dhënave të Open Data, nga 77 tendera që ka përfituar kompania Eco Riciklim, 48 tendera janë me flamur të kuq. Pra, me risk të lartë korrupsioni apo mungese konkurrence.

Tenderat me vlera më të larta parash janë pjesë e kësaj liste. Tenderi trajtim dhe asgjësim i mbetjeve spitalore, i dhënë nga QSUT për këtë kompani ka një afat 24 muaj dhe vlerë 142 milionë lekë. Tenderi është realizuar në 20 shkurt të vitit 2025. Ky tender ka pasur mungesë konkurrencë pasi në garë ishte vetëm një operator.

Tenderi tjetër me vlerë 138 milionë lekë i lidhur me këtë kompani nga spitali i traumës për një afat kohor 48 muaj sërish rezulton se ka mungesë gare. Nga një kontroll në QKB rezulton se kjo kompani administrohet nga Ervin Meçe i cili është edhe ortak me 30% ndërsa kompania “ANA Mark” është ortake me 70%.

“Ana Mark” është një kompani në pronësi të Klodjan Allajbeut, pronarit të rrjetit privat të quajtur Spitali Amerikan. Të dhënat sugjerojnë se ky rrjet kompanish ka pasur lidhje edhe në të shkuarën me kompaninë Eco Riciklim, para se të bëhej shitblerja zyrtare e kuotave në vitin 2025.

Sa i takon vlerës së përfitimit nga tenderat për trajtimin e mbetjeve spitalore, Medi-tel ka përfituar 28 milionë lekë të rinj. Në tërësi ka përfituar 121 tendera. QSUT kryeson në listë me 14 tendera, më pas Spitali “Shefqet Ndroqi” me 13 të tillë, qendra kombëtare e transfuzionit të gjakut dhe Spitali rajonal i Durrësit kanë përkatësisht nga 12 tendera.

46 tendera janë renditur me flamur të kuq për shkak se ka mungesë konkurrencë apo skualifikim të subjekteve të tjerë. Tenderi me spitalin rajonal të Shkodrës në vitin 2022 me vlerën e fondit limit 2.3 milionë lekë pa tvsh kjo kompani e fitoi duke qenë e vetme në garë. Edhe një tender tjetër I vitit 2022 me afat 1 vjeçar dhe vlerë 2 milionë lekë u konsiderua problematik për shkak të skualifikimit të konkurrentëve të tjerë.

“Kemi parë një tjetër kompani e cila është ndjekur për një incenerator merrte mbetjet por ky incineratori kurrë nuk kishte ekzistuar nuk ishte blerë. Nuk ka asnjë organ ligjorë që e sheh këtë, patjetër që ka nuk është e padukshme kjo”, thotë mjeku Alimehmeti.

Kompania VALE RECYCLING e zotëruar nga Elvis Miri, u vu në qendër të një skandali. Ajo ka fituar dhjetëra tendera për trajtimin e mbetjeve spitalore edhe pse nuk zotëronte linjën teknologjike të nevojshme. Në procedura, paraqiste dokumente false sikur i dispononte.

Dyshohet se ka fituar të paktën 30 tendera në këtë formë me vlerë rreth 65 milionë lekë të reja. Kompania ka pretenduar posedimin e paisjes Econos Tsc 150, për trajtimin e mbetjeve spitalore. “VALE” e ka deklaruar këtë pajisje që në vitin 2016, por, e ka blerë vetëm në fillim të vitit 2024. Aktualisht, kjo çështje është në gjykim dhe ka nën akuzë administrtorin e subjektit VALE dhe10 persona të tjerë.

Pavarësisht skandalit, kjo kompani ka arkëtuar miliona edhe përgjatë vitit 2025, teksa administrator është para drejtësisë për abuzime me tenderat. Nga viti 2019 deri në vitin 2025, subjekt ka arkëtuar nga thesari plot 487 milionë lekë të reja ose afro 4.9 milionë euro.

Kompania ka fituar plot 72 kontrata publike në total nga spitale të ndryshme në të gjithë vendin. Nga të gjithë tenderat e përfituar nga kjo kompani 21 janë me flamur të kuq, çka do të thotë që procedura ka qenë e dyshimtë, me risk të lartë për korrupsion.

“Të gjithë ata që mbyllin një sy mbyllin një vesh mbyllin gojën që nuk flasin nuk dëgjojnë nuk shohin janë të gjithë pjesë kush më shumë e kush më pak e këtij problemi të madh. Në radhë të parë ne duhet të pranojë  që ekziston problemi dhe këtë ne e kemi në raporte zyrtare e kemi në media e kemi qartësisht nën sytë tonë dhe e shohim”, vijon mjeku.

Kompania Pura Medical ka përfituar nga buxheti i shtetit në periudhën 2019-2025 afro 50 milionë lekë të reja. Kjo kompani vetëm për mbetjet spitalore ka përfituar 12 tendera nga QSUT, spitali “Shefqet Ndroqi”, nga Spitali rajonal i Durrësit, Spitali Korcë etj. Dy tendera të kësaj kompanie janë listuar me flamur të kuq. Një prokurim me spitalin Sarandë dhe një tjetër me spitalin rajonal Berat.

Agjensia Kombëtare e mjedisit thotë se ka ushtruar kontrolle në subjektet përkatëse që merren me trajtimin e mbetjeve dhe në disa raste ka ndërmarrë edhe masë administrative, gjobë.

“Medi Tel, rezulton të jetë inspektuar 3 herë nga viti 2023- 2025. V.A.L.E Recycling, rezulton të jetë inspekuar 11 herë nga viti 2021-2025 dhe rezulton të ketë 1 masë administrative gjobë dhe pezullim aktiviteti në vitin 2023.

Eco Riciklim, rezulton të jetë inspektuar 10 herë nga viti 2021- 2025 dhe nuk rezulton të ketë masë administrative. Pura Medica, rezulton të jetë inspektuar 3 herë nga viti 2021-2025 dhe rezulton të ketë 1 masë administrative në vitin 2023”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Mbetjet e barnave nëpër familje, ku përfundojnë ato

Mbetjet farmaceutike që gjenerohen në familje janë një problematikë e cila është e dukshme në vendin tonë. Për të nuk ka asnjë parashikim ligjor apo nismë tillë.

Qytetarët nuk kanë asnjë udhëzim apo informim lidhur me rrezikshmërinë e produkteve farmaceutike që ata i hedhin pasi skadojnë apo nuk konsumohen. Këto mbetje, bëhen bashkë me ato urbane.

“Një nga aspekt ende të patrajtuara qoftë në legjislacionin shqiptar apo edhe në praktikën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme janë trajtimi i mbetjeve farmaceutike që gjenerohen në familje. Në shumicën e medikamenteve që gjenden në ujërat e lumenjve tanë gjenden vitamina ibuprofen dhe në një përqindje më të ulët edhe antibiotikët. sasia e tyre është në përpjesëtim të drejtë me sasinë e shitur nëpër farmaci”, tha Mihallaq Qirjo, Ambjentalist, “Rec Albania”.

Rec Albania ka zhvilluar një studim në Tiranë, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian. Janë anketuar 175 persona, e në përpunimin e të dhënave rezulton se 92% e qytetarëve i hidhnin mbetjet farmaceutike në koshat urbane.

Një pjesë e vogël i hidhnin ato në tualete. Qytetarët e Tiranës treguan gjatë anketimit që ishin të painformuar se ku duhet t’i hedhin medikamentet që nuk përdorin apo që kanë skaduar. 51% e qytetarëve mendojnë se do të ishte zgjidhje t’i kthenin në farmaci, ndërsa pjesa tjetër presin një zgjidhje efikase nga shteti.

Ndër mbetjet që gjenerohen në familje, janë: suplemente, antibiotikë, vitamina, shurupë, si dhe medikamentet të tjera të rrezikshme të të sëmurëve me tumore të ndryshme të cilët trajtohen në banesë.

“Kemi parë se dy mënyrat e trajtimit janë ose në hedhjen në koshin e mbetjeve që më pas përfundon në landfille, ose shkarkimi i tyre në tualete nëse janë në gjendje të lëngshme pra ën të dyja rastet shkaktojën dëme mjedisore për popullatën”, tha Mihallaq Qirjo, ambientalist, “Rec Albania”.

“Farmacia gjithashtu nuk është e detyruar ose më mirë nuk i lejohet që të tërheqë në farmaci as barnat të dhënë nga farmacia pacientëve të ndryshëm”, tha Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

Në lumenj janë hedhur medikamente të ndryshme të cilat kanë cënuar mjedisin, gjallesat në ujë por edhe rrezikojnë që të japin efekte negative pasi kontaminojnë tokën.

Ndër mbetjet më të rrezikshme që gjenerohen në familje janë citostatikët, apo barnat që përdorin të sëmurët me tumore të ndryshme, një pjesë e të cilëve e marrin trajtimin në banesë.

Në këtë rast vlen të theksohet se sasia nuk është përcaktues i rrezikshmërisë. Mund të jetë sasi e pakët por ndikimi dhe rreziku ështëi madh./Inside Story

Etiketa: abuzimeilaceinfeksionetendera

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Gjokutaj: SPAK po mbron Ballukun me akuza të buta për të mbajtur qeverinë në pushtet

18:52 : 05/11/2025
AKTUALITET

Kush do e qëllojë Ramën në blindin 600 milionë?!

19:28 : 04/11/2025
AKTUALITET

Faktet tronditëse të KLSH-së: Shëndetësia e nënfinancuar. S’ka kontroll në zinxhirin e furnizimit të barnave

16:38 : 04/11/2025
AKTUALITET

SPAK merr zyrtarisht të pandehur ‘besnikët’ e Ballukut! Nga Evis Berberi, te Gentian Gjyli i ARRSH! Akuzat

17:00 : 03/11/2025
AKTUALITET

Skandali/ Tuneli i Llogarasë pa leje ndërtimi, Policia dhe IKMT mbyllën sytë për 3 vjet

13:45 : 02/11/2025
AKTUALITET

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i heq liçencën CFO Pharma-s së Nadir Çaushollit

10:47 : 02/11/2025
Para

Dumani kritikon Policinë e Shtetit: Ka mbi 10 mijë efektivë në terren, por referimet në SPAK kanë rënë 40%

TË GJITHA

Horoskopi, 6 nëntor/ Zbulo çfarë parashikojnë yjet për secilën shenjë

23:01 : 05/11/2025

Trump pas fitores së Mamdanit në Nju Jork:Do të largohem, nuk dua të jetoj në një regjim komunist

22:55 : 05/11/2025

Vendimi i Kushtetueses për Veliajn, Dumani: Nuk ndikon në hetimet e SPAK

22:40 : 05/11/2025

Dumani kritikon Policinë e Shtetit: Ka mbi 10 mijë efektivë në terren, por referimet në SPAK kanë rënë 40%

22:39 : 05/11/2025

Tendera të dyshimtë/ Ku përfundojnë mbetjet spitalore? Klodian Allajbeu i Spitalit Amerikan një nga aktorët kryesorë

22:19 : 05/11/2025

SPAK përballet me kërcënime, Dumani: Presionet vijnë edhe nga politika

22:02 : 05/11/2025

Tuneli i Llogarasë, gazetarja: SPAK të hetojë kush i mori dhjetëra mln euro nga fryrja e fondit limit

22:00 : 05/11/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com