Policia e Kosovës ka njoftuar se xhandarmëria serbe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, ku ka plagosur dhe rrëmbyer një shtetas kosovar, të nacionalitetit serb.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor në zonën kufitare të Leposaviçit.
“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M.V.), shtetas i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmëria serbe,” thuhet në deklaratën e Policisë.
Sipas informacioneve fillestare, viktima është dërguar me autoambulancë drejt qytetit të Nishit në Serbi. Policia e Kosovës ka sqaruar se vendi i ngjarjes ndodhet brenda territorit të Republikës së Kosovës, në zonën e njohur si “pika zero (0)”, që shtrihet midis kufirit të Kosovës dhe Serbisë.














