Arlind Qori, kryetar i “Lëvizja Bashkë” deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pro Veliajt për të rrëzuar shkarkimin e tij nga detyra dhe dekretin e presidentit për zgjedhje në Tiranë, me gjasë është porositur nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Qorit, ideja për të shkarkuar Veliajn dhe për të shpallur zgjedhje në Tiranë, iu kthye Ramës në bumerang.
“Nuk më duket vendim i drejtë ky i Gjykatës Kushtetuese dhe unë dyshoj se anëtarët nuk e kanë patur lirinë për të menduar dhe vendosur si gjykatës.
Është tejet absurd mendimi se ti mund ta mbash një zyrtar të zgjedhur edhe katër vjet në burg dhe në paraburgim dhe ai të qëndrojë në detyrë, sepse sipas këtij vendimi, sikur Erion Veliaj të mbahej i paraburgosur për një ditë pasi të ishte zgjedhur, ne duhej ta mbanim në kurriz katër vjet të plota përsëri si kryetar bashkie.
Gjithsesi unë besoj se Edi Ramës i kanë dalë llogaritë keq që ta shkarkonte Veliajn dhe të kishte zgjedhje të parakohshme në Tiranë. Në muajt e fundit kanë ndodhur disa ndryshime në jetën politike të Tiranës që kjo arroganca dhe mendjelehtësia e Ramës për të thirrur zgjedhje në Tiranë po i dilte si bumerang.
Rama ndoshta nuk e ka pritur që Veliaj të rezistonte, ta padiste në Gjykatën Kushtetuese dhe t’i qëndronte me kryeneçësi vendimit të vet, nuk e ka pritur që SPAK të merrej kaq herët me Belinda Ballukun, që është graduar si zv/kryeministre vetëm pak muaj më parë. Po ashtu ka patur shenja të përçarjes brenda PS në Tiranë, kritika dhe pakënaqësi.
Faktori më i rëndësishëm për zgjedhjet ka të bëjë me kandidaturat. Manastirliu është kandidatura më e dobët. Ajo është përfaqësuese e një partie të korruptuar, një personazh pa autonomi, e akuzuar për disa vepra. Rama mund të kandidonte më mirë një nëpunëse të rangut të ulët. Rama nisi të shpërndante njoftimet e saj në FB për ta mbështetur. – tha Qori.
	    	












