Një qytetar nga Tirana ka bërë një denoncim të fortë për cilësinë e produkteve ushqimore që shiten në treg, duke ngritur shqetësimin për mungesën e kontrolleve nga autoritetet përgjegjëse.
Në një mesazh dërguar redaksisë, ai tregon se ka blerë një sallam në një market të njohur, por pas hapjes ka mbetur i shokuar nga ajo që ka parë.
“I bëjmë pak thirrje Hako-s. Mirë që i fusin pulat me gjithë pupla, por ta shohësh sallamin, i ke me gjithë pupla brenda. Mjafton ta hapësh një ‘sallam popullor’ dhe i sheh qartë. E kam blerë te Spari, tek ish-fusha e Aviacionit. Nuk është problemi te leku apo pesha, por te cilësia po hamë plehra!”, – shkruan qytetari.
Ky denoncim ka hapur sërish debatin për sigurinë ushqimore në vend, në një kohë kur gjithnjë e më shumë qytetarë raportojnë raste shqetësuese për produktet që përfundojnë në tryezat tona.
Ku është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU)?
Kontrollet e këtij institucioni shpesh raportohen vetëm në rrjetet sociale, me postime që tregojnë sekuestrime produktesh, por qytetarët pyesin: a po kontrollohen realisht këto produkte në terren?
A janë të sigurta ushqimet që konsumojmë çdo ditë?
Në tregjet dhe supermarketet shqiptare gjenden me dhjetëra produkte të përpunuara, që shpesh nuk përmbajnë as etiketa të plota apo përbërës të qartë. Ekspertët prej kohësh kanë paralajmëruar se mungesa e transparencës dhe mbikëqyrjes po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Në rastin e fundit, qytetari kërkon që AKU të ndërhyjë menjëherë dhe të verifikojë cilësinë e produktit në fjalë, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Një apel që, siç thotë ai, “nuk është për lekun, por për shëndetin e njerëzve që nuk dinë çfarë po hanë”./JOQ
	    	













