Gazetarja dhe aktivistja e shoqërisë civile, Aranita Brahaj, ka aplikuar në garën për Avokatin e ri të Popullit.
Këtë të hënë ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave që pritet të zëvendësojnë Avokaten në detyrë, Erinda Ballanca. Kjo e fundit vijon të qëndrojë në detyrë në shkelje flagrante të ligjit, megjithëse ka më shumë se tre vjet që i ka përfunduar mandati.
Aplikantja Brahaj ka një përvojë të gjatë në media, si edhe në fushën e transparencës dhe monitorimit të aktivitetit të strukturave shtetërore.
Ajo drejton organizatën “AIS” dhe është administratore e portalit informativ “Open Data Albania”, një bazë të dhënash për transaksionet e Thesarit të Shtetit dhe tenderat publikë.
Aranita Brahaj është dalluar si një prej zërave më ndikues në mediat shqiptare dhe si një model kritik e opozitar ndaj qeverisjes.
“Boldnews.al” kontaktoi me zonjën Brahaj, e cila, e konfirmoi pjesëmarrjen në garë. Aranita Brahaj u shpreh se e ka të qartë vështirësinë e një personazhi nga shoqëria civile për të bindur politikën që të mbështesë kandidaturën e saj.
“Kërkohet një kandidaturë e pavarur, për të cilën nënshkruajnë dhe votojnë individë të angazhuar drejtpërdrejt në varësi politike”, deklaroi ajo.
Parlamenti shpalli garën rreth 3 javë më parë dhe afati për dorëzimin e aplikimeve përfundonte pasditen e datës 3 nëntor 2025.
Deri në këtë moment, nuk janë bërë publike ende kandidaturat e tjera. Megjithatë, “Boldnews.al” ka mësuar se, ndër emrat e mundshëm, përmenden juristja Ardiana Kalaja dhe përfaqësuesi i të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni.
Procedurat e mëparshme për zëvendësimin e Erinda Ballancës kanë dështuar, pasi maxhoranca socialiste ka rrëzuar kandidatët e mbështetur nga opozita.














