Benet Beci është një tjetër zyrtar i mazhorancës nën akuzë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme.
Ai është marrë i pandehur gjatë kohës që drejtonte Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, teksa zbërthimi i telefonit të ish-drejtorit Ergys Verdho, i ka zbuluar aferat, ashtu si disa zyrtarë të tjerë.
SPAK-u e ka nën hetim me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, teksa vlera e tenderit që ai akuzohet është rreth 700 mijë euro.
Bëhet fjalë për një procedurë me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjetik, ku Beci dhe Verdho flasin se “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë”.
Atualisht Beci drejton prej dy vitesh Bashkinë e Shkodrës, veprimet e së cilës janë denoncuar për abuzime, qoftë me prishjen e ndërtesave ashtu edhe në bërjen e tenderave, apo lejet e ndërtimit.
Koha po kalon dhe veprimet e ngadalta të institucioneve ligjzbatuese e kanë “detyruar” Becin që të pastrojë imazhin nga gjithë këto akuza e përgjime.

Sipas dokumenteve, kryetari i Bashkisë së Shkodrës ka urdhëruar vartësit të përgatisin një fushatë propagande në internet, për “punët e mbaruara gjatë 2 viteve të fundit”. Një fushatë që ka synim pikërishin imazhin e vetë kryetarit, të bërë shumë “pis” nga dosja në SPAK.
Ditët e fundit Bashkia e Shkodrës ka hapur procedurën me objekt “prodhim video për fushatat e marketingut online”. Kërkohet prodhimi i 3 videove promovuese, pikërisht për disa projekte që ka mbaruar apo ka në vijim Bashkia e Shkodrës. Nga ato video që të gjithë socialistët i bëjnë duke i krahasuar “si ka qenë vs si është”.
Një model që filloi nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe që u pasua më pas nga vetë kryeministri Edi Rama apo edhe aktualisht nga zëvendësja e tij, Belinda Balluku.
Krahas videove, Bashkia e Shkodrës kërkon edhe krijimin e menaxhiit të fushatës, kërkon edhe përmbajtje vizuale dhe tekstuale të videove. Gjithashtu, do që personi fizik apo kompania që do të shpallet fituese të bëjnë edhe menaxhimin e reklamave apo buxhetin e sponsorizimit në internet.

Në dokumentet shoqëruese, të hulumtuara nga VoxNews, Bashkia e Shkodrës kërkon që firma të bëjë me cilësi maksimale promovimin e përgjithshëm të qytetit të Shkodres Madje, kërkon edhe zonat e Shirokës, Velipojës apo edhe te Thethit.
“Ofruesi duhet të realizojë një fushatë marketingu online të plotë, e cila përfshin realizimin e tre videove promocionale. Të krijojë ndjesi krenarie, frymëzimi dhe dashurie për qytetin. Kërkon fytyra njerëzish, artizanë, arkitektura e vjetër, kisha, xhamia, muzeu. Ritëm i shpejtë, ndërrim pamjesh çdo 2–3 sekonda. Tinguj origjinalë ambienti (këmbë, zëra, biçikleta, fëmijë, ujë)” thuhet në dokumente.
Kërkohet edhe krijimi dhe menaxhimi i fushatës në rrjete sociale. “Platforma të detyrueshme në Facebook e Instagram.
Synohen grupmoshat 20–50 vjeç, të interesuar për evente kulturore, gastronomi dhe aktivitete sociale. Tipet e reklamave image ads, video ads, carousel ads, story ads” thuhet në dokumente.
Gjithashtu kërkohet reklamim me pagesë, sponsorizim digjital./Voxnews














