Vendi strategjik i Porto Palermos, buzë detit Jon në Himarë, ku ka qenë baza ushtarake dhe tunelet nënujorë për anijet, do t’i jepet privatit për të ndërtuar resort. Projekti është nisur nga Korporata e Investimeve Shqiptare para 3 vitesh, por asnjëherë nuk është bërë publik.
Një vendimmarrje tepër e guximshme e drejtuesve të kësaj Korporate, të cilët kanë kryer në fshehtësi një mori veprimesh në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, kjo me qëllim për t’a tjetërsuar. Janë marrë dokumente nga Ministria e Mbrojtjes, nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, teksa deri më sot nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush ka qenë nismëtari i planit.
Informacionet dhe dokumentet që ka siguruar VoxNews flasin se një sipërfaqe e stërmadhe prone, në vendin që dikur ka qenë repart ushtarak, do të ndërtohet një hotel luksoz. Ndërkohë, në afërsi të tuneleve nënujore, të ndërtuara gjatë diktaturës dhe të hapura vetëm në vitet e fundit për publikun, do të bëhet një marinë jahtesh dhe anijesh.

Në korrik të vitit 2022, qeveria mori një vendim për shpallen e ekosistemit natyror detar-bregdetar të gjirit të Porto – Palermos. Në vendim përcaktohet se parku natyror ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.694 hektarësh, nga të cilat 1.490 hektarë ose 87.93 % janë sipërfaqe detare dhe vetëm 204 hektarë ose 12.07 % janë sipërfaqe tokësore.
Një gjetje alla-shqiptare, pasi me këtë vendim, qeveria do të mbrojë ujin dhe jo tokën! Nëse do të shikosh edhe hartën, zona tokësore është vetëm ajo zallishte dhe disa shkëmbinj, gjithashtu edhe kalaja që ndodhet në atë zonë, në një ishull të vogël.
Ndërkohë që çuditërisht që e gjithë pjesa tjetër tokësore, që praktikisht është Porto Palermo, është lënë jashtë mbrojtjes strikte. Çka i ka hapur edhe rrugën e ndërtimeve apo tjetërsimit të të gjithë zonës. Një skemë e përdorur edhe në vende të tjera, tepër të mbrojtura, kjo me qëllim lejimin e ndërtimeve dhe betonit.


E njëjta ministri që propozoi “Parkun Natyror” të Gjirit të Porto Palermos financoi edhe një plan menaxhimi. Është bërë një studim nga vetë Ministria e Mjedisit, e cila përfshinte në park edhe Gjirin e Llamanit, por edhe një sipërfaqe të stërmadhe toke në Porto Palermo. Madje, edhe zonën e ish-bazës ushtarake.
Me apo pa dashje, ashtu si Gjiri i Llamanit, edhe ish-baza ushtarake e Porto Palermos, poshtë të cilës ndodhen edhe tunelet nënujore ku qëndronte flota ujore ushtarake, janë lënë jashtë parkut. Kjo me qëllim ndërtimin e resorteve në atë zonë.
Duket sërish një vendim tepër i diskutueshëm, pas ish-bazave ushtarake në Sarandë dhe Shëngjin, tjetërsimi i të cilave nga Ministria e Mbrojtjes është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Duket se, nëse zbatohet, edhe vendimmarrja për tjetërsimin e bazës ushtarake të Porto Palermos mund të jetë një tjetër dosje e SPAK-ut. VoxNews ka hulumtuar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka zbuluar se në atë vend do të ndërtohet një resort.
“Projekt propozimi ‘Porto Palermo Marina Resort’. Nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare është hartuar projekt-propozimi në muajin mars të vitit 2022, për zhvillimin e zonës së Porto Palermos me investime strategjike që përfshijnë ndërtimin e portit si dhe resorteve me 5 yje, ndërtimin e kapacitetit për vende ankorimi për jahte dhe varka, ndërtimin e një resorti model elite, shërbimet e mirëmbajtjes, rivitalizimi i tuneleve të nëndetëseve duke i kthyer në muze”, thotë KLSH.
Praktikisht në të gjithë zonën do të ketë ndërtime, të cilat do t’i marrë privati. Duket se shteti do t’i falë oligarkëve një sipërfaqe të stërmadhe prone, tepër të lakmuar dhe një nga më të bukurat në Shqipëri, për t’a bërë private.
“Në fazën e parë nga AIC është parashikuar përgatitja e fizibilitetit për asetin si dhe përgatitja e shprehjes së interesit nga investitorët privatë. Hapat e mëtejshëm në këtë Projekt-Propozim, janë përcaktuar të jenë miratimi nga bordi i AIC së inicimit të projektit, miratimi nga Kryeministri, marrëveshja e zhvillimit midis AIC Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përgatitjen e para fizibilitetit për zhvillimin e zonës dhe asetit dhe hapja e thirrjes së interesit për investitorët”, vijon KLSH-ja.
Por, është konstatuar se Korporata nuk ka ndjekur hapat, pasi fillimisht është iniciuar përgatitja e projekt propozimit, përfshirë studimin e para-fizibilitetit dhe kontraktimin e ekspertëve të jashtëm për finalizimin e projektit, pa u siguruar më parë transferimi i pronës/asetit shtetëror në administrimin e AIC-së.














