Një autobus i linjës Athinë–Tiranë është ndaluar në Pikën Kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit janë gjetur mallra të padeklaruara që dyshohen për kontrabandë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijë të dytë nga policia kufitare dhe shërbimet doganore, në bagazhet e mjetit u zbuluan dhjetëra çanta me veshje, valixhe me produkte kozmetike dhe kuti me pjesë këmbimi për automjete, të cilat nuk kishin dokumentacion përkatës.
Pas verifikimeve, dy drejtuesit e autobusit, shtetasit M. Sh., 40 vjeç, dhe R. D., 45 vjeç, të dy nga Tirana, u shoqëruan në komisariat. Më pas, njëri prej tyre u arrestua, ndërsa për tjetrin nisën procedimet penale.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku në Pkk Kakavije efektivët e Policisë kanë kontrolluar një autobus dhe kanë zbritur pasagjerët dhe bagazhet e tyre, ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije në bashkëpunim me shërbimet doganore në Pikën Doganore Kakavije , në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, autobusin e linjës Athinë-Tiranë.
Gjatë kontrollit kanë konstatuar mallra të dyshuara kontraband, dhe për këtë fakt 2 drejtuesit e autobusit u shoqëruan në ambientet e Policisë për verifikim.
Gjatë kontrollit të ushtruar në autobus Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale dhjetëra çanta me veshje, valixhe me produkte kozmetike dhe disa kuti me pjesë këmbimi për automjete, të cilat nuk i kishin deklaruar konform ligjit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër arrestuan shtetasin M. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. D., 45 vjeç, banues në Tiranë, (shoferët e autobusit), për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, parashikuar nga neni 174 i Kodit Penal. Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.













